Ndërlidhjet

Opozita: Kurti dështoi në menaxhimin e pandemisë


Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, deklaruan të hënën deputetët e partive opozitare, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të diskutuar gjendjen me pandeminë COVID-19 në vend.

Sipas tyre, prioritet politik i kryeministrit, Albin Kurti, ishin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe jo shëndeti i qytetarëve të Kosovës.

Kurti nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, nuk ka prioritet menaxhimin e pandemisë. Ai ka kritikuar edhe administrimin e vaksinave, duke thënë se procesi i imunizimit ka qenë i ngadalshëm.

Ismaili, partia e të cilit ka bërë kërkesën për debatin parlamentar, ka kërkuar që të njofton qytetarët se kur pritet të arrijë kontingjenti i radhës me vaksina kundër COVID-19.

“Qeveria Kurti ka para vetes një detyrë të thjeshtë, që të blejë 2.5 milionë vaksina. Kompanitë e vaksinave u shesin qeverive vaksinat e tyre, në mënyrë që qytetarët t’i marrin falas. Por, mënyrën se si po sillen kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë (Arben Vitia), duket se këta janë duke u munduar të zbulojnë një vaksinë dhe jo ta blejnë. Përgjigje nuk ka as në çështjet esenciale: sa vaksina na nevojiten, kur vijnë vaksinat... e patëm një episod të një vaksinimi tejet të shkurtër, me shumë pak vaksina, fare pak transparencë. Nuk dihet kush është vaksinuar”, tha Ismaili.

Deputeti Lumir Abdixhiku, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar mungesën e kryeministrit, Kurti në seancën në të cilën po debatohet për pandeminë, që vlerësohet si problemi kryesor në vend.

Abdixhiku ka kërkuar nga qeveria që të kuptojë seriozitetin e situatës me pandeminë dhe të përkushtohet për të gjetur zgjidhje. Kurti, ka thënë ai, ka anashkaluar qytetarët e Kosovës, për t’u marrë me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

“Kur çdo dy orë një kosovarë vdes, kryeministri Albin Kurti bënte fushatë në Shqipëri. Për dy javë ditë kohë, kryeministri katër herë ka vizituar Shqipërinë, kurse Klinikën Infektive dhe repartet përreth, të mbushura me 975 pacientë, shumica me gjendje të rëndë, asnjëherë. I bëjë thirrje që punën e parë, çdo mëngjes, ta nisë nga QKUK-ja”, thekson Abdixhiku.

Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet që të sigurojë pa vonesa vaksina kundër COVID-19, të cilat janë të sigurta dhe jo me origjinë të dyshimtë, tha deputeti Ramush Haradinaj, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deri në sigurimin e vaksinave, Haradinaj kërkoi që të sigurohen ilaçe falas për pacientët me koronavirus si dhe të merren masa lehtësuese për bizneset dhe qytetarët.

“Siguroni pako financiare për të prekurit nga kriza ekonomike në vazhdimësi sa të zgjasë pandemia. Merrni kredi të buta, veproni me urgjencë dhe mos lejoni zbritjen e pagave, pensioneve apo siç vepruat së fundmi edhe zbritjen e shtesave për pensionistët, por edhe profesionistët e tjerë që janë në front dhe përballen me pandeminë çdo ditë”, tha Haradinaj.

Vitia: Kemi ulje të rasteve të reja dhe të viktimave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se fokusi i kësaj ministrie gjatë kësaj periudhe, ka qenë menaxhimi i situatës epidemiologjike, sigurimi i vaksinës dhe barnave esenciale. Ai ka folur edhe për masat që janë në fuqi dhe të cilat do përditësohen çdo dy javë.

Ministri Vitia ka thënë se ditëve të fundit ka rënie të të infektuarve dhe të viktimave.

“Raportimet zyrtare në këto ditët e fundit flasin se kemi një ulje të rasteve të reja me COVID-19, ulje të hospitalizimeve dhe vdekjeve. Hospitalizimet, nga mbi 900 në fund të muajit mars, në 700 në ditët e fundit. Rastet e rënda me oksigjeno- terapi nga 700 deri 750 sa kishim në muajin mars, kanë rënë në 500-550, sipas raportimit në ditët e kaluara. Vdekje me nga mbi dhjetë raste në ditë, në më pak se dhjetë raste, me njëshifrore në disa ditë radhazi”, tha Vitia.

Vitia ka thënë se Kosova është në rrugë të mbarë për sigurimin e vaksinave. Komitetet e ngritura për vaksinim, u shpreh ai, po përgatisin planin e resurseve humane për distribuimin dhe administrimin efikas dhe efektiv të vaksinave që do të vijnë se shpejti.

“Kemi bërë ndryshim plotësimin e domosdoshëm të rregullativës ligjore për t’i hapur rrugë importit të vaksinave, gjë e cila parashihet nga të gjithë prodhuesit në nivel global. Ndërkohë, presim edhe kontingjentin e dytë të vaksinave nga COVAX-i dhe tani jemi në bisedime të drejtpërdrejta me të gjitha kompanitë prodhuese, dhe me disa nga to, jemi në rrugë të mirë për të pasur një marrëveshje shumë optimiste”, theksoi Vitia.

Kosova prej 13 marsit, 2020 e deri më 26 prill, 2021, ka regjistruar 104.196 raste me COVID-19, 2.140 viktima dhe 91.972 të shëruar.

Raste aktive vazhdojnë të jenë mbi 10.000.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se në sallën "1 Tetori" në Prishtinë është ndërprerë fushata e imunizimit, pasi janë administruar të gjitha dozat që ka pasur kjo qendër.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24.000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Është thënë që Kosova do të pranojë edhe 76.800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100.000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Bashkimi Evropian më 20 prill njoftoi se deri në muajin gusht do të furnizojë Kosovën me 95.000 vaksina kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech, në kuadër të një ndihme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG