Ndërlidhjet

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën në mbështetje të Kosovës


Kuvendi i Shqipërisë. 12 tetor 2023.
Kuvendi i Shqipërisë. 12 tetor 2023.

Me 101 vota për dhe një abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën në mbështetje të Kosovës pas shtatë orësh debat më 12 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë seancës deklaroi se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.

Ai i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, është kthyer në "litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës."

Rama tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – duke theksuar se "është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus".

Votimi i rezolutës në Kuvendin shqiptar vjen pasi më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues.

Kuvendi i Kosovës e miratoi më 28 shtator një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Çfarë përmban rezoluta për Kosovën?

Në rezolutën e miratuar më 12 tetor theksohet se "Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës."

Gjithashtu, sipas rezolutës, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqishëm dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës".

Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG