Qeveria e Kosovës vlerëson se Kosova nuk mund të varet nga resurse të ripërtërishme për prodhim të energjisë, siç janë era, rrezet e diellit dhe uji, mirëpo do të vazhdojë me planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Debati rreth potencialeve të burimeve alternative nga shoqëria civile dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, është shpërfaqur pas tërheqjes se Bankës Botërore për ta mbështetur ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Banka Botërore ka thënë se nuk do ta përkrah ndërtimin e “Kosovës së Re” për të prodhuar rrymë nga thëngjilli dhe se për bankën prioritet mbetet rryma e prodhuar nga mundësi tjera alternative.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese “ContourGlobal” kanë thënë se pavarësisht tërheqjes së Bankës Botërore, projekti i Termocentrali “Kosova e Re”, do të jetësohet.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk ka kapacitete që të zëvendësojë prodhimin e energjisë nga thëngjilli në burime alternative.
Për këtë, thotë Lluka, e vetmja mundësi për të siguruar furnizim stabil dhe të qëndrueshëm për qytetarët me energji elektrike është thëngjilli, por që me teknologji moderne që nuk e ndotë ambientin.
“Energjia e ripërtërishme apo energji alternative i ka mangësitë e veta. Sepse energjia solare prodhon në kohën kur Kosovës nuk i duhet shumë energji, për shembull gjatë verës prodhon më së shumti. Pastaj, energjia me erë ka paparashikueshmëri të mëdha, sepse ne nuk e dimë, kur ka erë dhe kjo e destabilizon transmisionin dhe të gjitha ngarkesat në rrjet. Prandaj, duke ditur që kemi pasurinë, një ndër më të mëdha në botë për thëngjill, dhe teknologjia ka avancuar jashtëzakonisht shumë në zvogëlimin e emetimit të ndotjes, atëherë për Qeverinë e Kosovës mbetet që ky projekt (ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’) duhet të realizohet”, tha Lluka.
Por, ndryshe mendojnë përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë lobuar kundër ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.
Dajana Berisha nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), për Radion Evropa e Lirë shprehet se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për energji alternative. Por, që sipas saj, Kosova nuk ka një hartë të besueshme të erërave dhe potenciali i shfrytëzimit të energjisë së erës mbetet i paeksploruar.
*Video: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Mungesa e një harte të tillë, sipas Berishës, ka krijuar një situatë që ofron hapësirë për pretendime të tilla se Kosova ka pak kapacitete të energjisë se ripërtërishme.
“Kur flasim për energji alternative, Kosova ka shumë diell, ka shumë erë që të gjitha këto do duhej të jenë të matshme, do duhej që Qeveria të dispononte të dhëna. Por, Qeveria është fokusuar vetëm te ‘Kosova e Re’, kurse tashmë gjendet në një moment që nuk di kah të shkojë. KOSID, megjithatë, ka ofruar zgjidhje dhe ka treguar hapat që duhet të ndërmerren. Izolimi i shtëpive dhe ndërtesave publike është një masë e domosdoshme që është dashur të bëhet dje, por duhet të niset tashmë”, thotë Berisha
Ministri Lluka shprehet se Kosova aktualisht nuk ka mundësi buxhetore që të investojë në energji të ripërtërishme, pasi, sipas tij, vendi nuk mund të varet nga kushtet klimatike. Një kushtëzim i tillë, thotë ai, do bënte që Kosova vazhdimisht të varet nga importi.
“Nuk mund të prodhojmë energji elektrike vetëm kur kemi kushte klimatike, sepse prapë se prapë edhe nëse bëjmë investim të madh miliardësh në energji të ripërtërishme, ne do jemi importues i energjisë elektrike. Sepse duhet të importojmë në kohën e nevojës më të madhe, gjatë dimrit. Duhet të importojmë në vazhdimësi dhe kjo nuk na ndihmon neve që mos të jemi shtet importues”, thotë ministri Lluka.
Në anën tjetër, në Strategjinë e Energjisë se Republikës se Kosovës për vitin 2017- 2026 thuhet se burimet e ripërtërishme të energjisë paraqesin një burim të rëndësishëm të energjisë me të cilin disponon Kosova, me një potencial ende të pashfrytëzuar sa duhet.
Megjithatë, si anëtare e Komunitetit të Energjisë, Kosova është e obliguar që të arrijë caqet, që deri në vitin 2020 të përmbushë deri në 25 për qind të synimeve të konsumit përfundimtar të energjisë prej burimeve të ripërtërishme të energjisë.