Në fshatin Kika të komunës së Kamenicës, të martën ka filluar vendosja e nëntë turbinave që prodhojnë energji nga era më kapacitet 32.4 megavatë në orë. Kompania turko - kosovare “Air Energy- Guirish”, ka bërë investimin në ndërtimin e Parkut Energjetik, "KITKA", në këtë fshat.
Vlera e deritanishme arrin shumën e 50 milionë eurove.
Parkun të martën e ka vizituar edhe kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu. Më këtë rast ai ka thënë se energjia alternative duhet të jetë prioritet për furnizim me rrymë. Sipas tij, kjo është një dëshmi, se Kosova ka kushte dhe ambient ku mund të zhvillohet dhe prodhohet energjia alternative.
Gërxhaliu u ka bërë thirrje institucioneve të punojnë në mënyrë që të krijojnë kushte për investime të tilla nga investitorët e huaj dhe të eliminohen barrierat eventuale.
Sasia më e madhe e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli dhe një sasi shumë e vogël nga uji në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar në termocentralet e KEK-ut, janë prodhuar mbi 5 milionë megavatë orë energji elektrike me rreth 8 milion tonë thëngjill.