Qeveria e Kosovës pret që pushteti lokal në Deçan - komunë në pjesën perëndimore të vendit - ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.
Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Edhe pse Qeveria e kryeministrit Albin Kurti vazhdon ta konsiderojë të padrejtë atë vendim, Radio Evropa e Lirë merr vesh se ajo është duke zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës, me qëllim zbatimin e tij, përpara sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo justifikohet edhe me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.
Siç merret vesh, Qeveria është e gatshme që ta ftojë publikisht komunën për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm”, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”.
Ndonëse “nuk do që ta obligojë komunën” për ta zbatuar vendimin, me shpresën se kjo do të arrihet “në mënyrë të pavarur dhe pa presion”, Qeveria beson se po shkon “në drejtimin e duhur”.
Çfarë thonë aktorët përkatës?
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e vendimit, ai tha se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.
Nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i thanë REL-it se askush nga institucionet e Kosovës “nuk ka kontaktuar as me Dioqezën, as me Manastirin e Deçanit”, në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t’i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigje.
Shtohet, po ashtu, se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë gjithmonë e gatshme “për dialog, me qëllim të përmirësimit të jetesës dhe zgjidhjes së çështjeve praktike”.
Çfarë kontestohet?
Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.
Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.
Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.
Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.
Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës - gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.
Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe etj.
Publicisti kosovar, Veton Surroi, njëherësh këshilltar i jashtëm i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, shkroi më 6 mars në platformën X se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet menjëherë si detyrim i shtetit ligjor, shenjë e ndjeshmërisë kulturore e fetare dhe gatishmërisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
“Një pikë e mundshme kthese”, tha ai.
“Procedurat e rregullta në zhvillim e sipër”
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përgatit një “opinion statutor” për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas procedurës së zakonshme, ndërsa vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave, i cili përbëhet nga shtetet anëtare, ose përfaqësuesit e tyre të përhershëm diplomatikë në Strasburg.
Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë nga shërbimi për shtyp i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pa specifikuar se kur mund të merret vendimi përfundimtar.
Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dorëzoi në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në prill të vitit 2023 dhe kështu nisën zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës.
Nga shërbimi për shtyp i Asamblesë thonë, po ashtu, se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, ka përgatitur një “notë informative”, që është shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar për Çështje Politike në një seancë në Paris, më 4 mars, por se nuk është marrë ndonjë vendim.
“Pasi Komisioni i Çështjeve Politike ta miratojë projekt-mendimin, dy komisionet tjera (Komisioni Parlamentar për Çështje Juridike dhe Komisioni për Barazi) do të japin mendimin e tyre për të. Puna e të tria komisioneve, më pas, diskutohet në seancën e Asamblesë, pas së cilës mendimi miratohet nga Asambleja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, thuhet në shpjegimin që shërbimi për shtyp i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i dha REL-it.
Aty shtohet se mbledhja e radhës e Komisionit për Çështje Politike duhet të mbahet gjatë seancës së Asamblesë nga data 15 deri më 19 prill, por se agjenda nuk dihet ende.
Rasti i Manastirit të Deçanit si kusht i domosdoshëm
Më 4 mars, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se kontesti pronësor midis autoriteteve të Kosovës dhe Manastirit të Deçanit është një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia kthejë pronën Manastirit të Deçanit.
“Kjo çështje është bërë, kohëve të fundit, kusht i domosdoshëm që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt Këshillit të Evropës”, sipas kësaj iniciative.
Ndërkohë, raportuesit nga Greqia, Suedia dhe Monakoja, të cilët u emëruan nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për përgatitjen e raportit të progresit për Kosovën, vlerësuan se me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, shkelet sundimi i ligjit.
Ata, po ashtu, theksuan se kjo çështje rrezikon “të kthehet në një pengesë të pakapërcyeshme”.
Edhe vendet e QUINT-it - SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia - thanë në maj të vitit 2023 se shtyrja e mëtejshme e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, mund të ndikojë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, prej vitesh, i bëjnë thirrje Kosovës që ta zbatojë këtë vendim.
Weber: Rasti i Manastirit të Deçanit nuk duhet politizuar
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se çështja e kthimit të pronës te Manastiri i Deçanit duhet parë ekskluzivisht si çështje teknike, sepse bëhet fjalë për sundimin e ligjit.
“Është një çështje që nuk ka kuptim të politizohet, çfarëdo që të mendojnë politikanët për të. Është një vendim përfundimtar dhe, faktikisht, kur flasim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është një lloj kushti i drejtpërdrejtë”, thotë Weber për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se çështja e Manastirit të Deçanit përmendet si pengesë edhe në raportet e ekspertëve dhe deputetëve në Këshillin e Evropës.
Do të ishte një shenjë pozitive, shton Weber, nëse Qeveria e Kosovës do ta zgjidhte tani çështjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit ortodoks.
“Atëherë do të ishte vërtet e vështirë për shtetet anëtare, veçanërisht ato që mbështesin Kosovën e pavarur, të mos votojnë pozitivisht për aplikimin e Kosovës. Është e vështirë të parashikohet se cili do të ishte rezultati i votimit në atë kontekst, kur kemi bllokim të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Por, Kosova sigurisht se do ta përmirësonte pozicionin e saj nëse më në fund do ta zbatonte vendimin për Manastirin e Deçanit”, thotë Weber.
A ka edhe kushte të tjera?
Weber nuk e përjashton mundësinë që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të mos e bazojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës në këtë organizatë vetëm në kushte teknike, por në “motivimin politik”.
Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në fillim të shkurtit se lëvizjet e njëanshme të Kosovës i kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të lobojnë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Ai reagoi kështu pasi Qeveria e Kosovës i shpërfilli thirrjet e shteteve perëndimore për pezullimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e heq dinarin serb nga qarkullimi.
Bashkësia ndërkombëtare mendon se kjo rregullore ndikon negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili merr të ardhura nga buxheti i Serbisë.
Weber beson se lëvizjet e tilla të Qeverisë së Kosovës mund të ndikojnë negativisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai shton se kjo çështje mund të kushtëzohet me përparimin në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën dy palët e pranuan vitin e kaluar, me propozim të Bashkimit Evropian.
“Ai [dialogu] ka lidhje me këtë, sepse Kosova ka nevojë për mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, vlerëson Weber.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar më herët se do të përpiqet ta pengojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve është dakorduar që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.