Kosova edhe më tej është duke u përpjekur që të ndërtojë institucione transparente dhe llogaridhënëse, por sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet që janë në pronësi publike, ende vuajnë nga mungesa e transparencës.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se po bëhen gati 100 ditë të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, dhe sipas saj, kjo qeveri ende nuk ka emëruar zëdhënësin e saj, i cili konsiderohet si një urë lidhëse mes qeverisë dhe shoqërisë civile.
"Marrë parasysh edhe gjendjen aktuale shkaku i pandemisë, shumë vendime kjo qeveri i ka marrë, por jo që janë prezantuar para qytetarëve në mënyrën e duhur. Sa i përket takimit të 4 shtatorit në SHBA, që mendoj se duhet të kemi një transparencë më të madhe rreth këtij takimi. Është thënë se do të ketë një ‘Ekip të Unitetit’, por ende gjithçka është në mjegull, pra nuk kemi informata nga qeveria se sa është punuar në këtë drejtim, a janë ftuar partitë opozitare apo shoqëria civile", tha Demolli-Nimani.
Ajo thotë se Kosova kohëve të fundit ka marrë donacione të ndryshme nga shtete të ndryshme dhe Bashkimi Evropian dhe në këtë drejtim, siç shprehet ajo, duhet një transparencë më e madhe për mënyrën se si do të adresohen ato mjetet.
"Do të donim të kemi një transparencë shumë më të madhe rreth kësaj çështjeje se si do të shpenzohen këto mjete e donacione nga Qeveria e Kosovës", tha Demolli-Nimani.
Visar Xhambazi, analist nga organizata Demokracia për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë zotimet e kryeministrit Avdullah Hoti se qeveria e tij do të jetë transparente, në praktikë nuk është. Ai thotë se mostransparenca është duke u vërejtur.
"Në fakt, për dallim nga qeveria e kaluar, Qeveria Hoti nuk ka zëdhënës të qeverisë. Si rezultat, kjo po krijon vështirësi për mediat në marrjen e informacioneve nga institucionet relevante. Vlen të theksohet mungesa e informacioneve në raport me dialogun Kosovë-Serbi", tha Xhambazi.
Mostransparenca, thekson Xhambazi, nuk është problemi i vetëm me të cilin po ballafaqohet kjo qeveri.
Sipas tij, rritja e numrit të rasteve me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri) si dhe mungesa e unitetit brenda koalicionit qeverisës, ka krijuar një situatë tejet të vështirë, e cila, siç thotë ai, mund ta dërgojë vendin në një krizë të re politike.
"Të gjitha postet publike, të cilat i kanë këta persona, pa marrë parasysh a jemi duke folur për kryeministrin, apo ministra apo nëpunës civilë, të gjithë kanë përgjegjësi publike dhe prandaj qasja në informacione është obligative dhe kërkohet me ligj. Në çdo moment këto institucione duhet të jenë të hapura për të gjitha vendimet që i marrin dhe në fakt e kanë edhe obligim ligjor që të japin informacione mediave dhe qytetarëve të Kosovës apo të paktën t'i publikojnë ato informacione në ueb-faqet e tyre përkatëse", tha Xhambazi.
Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë, se Qeveria Hoti është mjaft transparente dhe se sipas tij, pohimet se ekzekutivi nuk është transparent, nuk qëndrojnë.
"Ne mundohemi me punën tonë që të jemi maksimalisht transparent. Në cilësinë e këshilltarit për media, mirëpo edhe këshilltarët e tjerë të sektorëve përkatës, zakonisht u përgjigjemi interesimit të mediave. Kështu që sa i përket Kryeministrisë, secili aktivitet ne përpiqemi që maksimalisht të jetë i hapur për opinionin dhe mediat të kenë mundësi të qasjes", tha Beqiri.
Beqiri tha po ashtu se edhe sa i përket bisedimeve dhe procesit të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti është transparent.
"Pas çdo takimi ka treguar se cilat kanë qenë rezultatet e atyre takimeve. Njëjtë po vepron edhe koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni. Ndërsa sa i takon çështjes së ‘Ekipit të Unitetit’, nuk ka ende diçka konkrete, prandaj edhe nuk kemi pasur çka të komunikojmë", tha Beqiri.
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, tha për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm Qeveria Hoti, por edhe dy qeveritë e kaluara të Kosovës, nuk kanë qenë sa duhet transparente. Ajo thotë se edhe ish- qeveritë dhe kjo aktualja, kanë vonuar në emërimin e zëdhënësve të ekzekutivit.
"Është fatkeqësi marrë parasysh kur shohim veprimet e qeveritarëve që t'i plotësojnë të gjitha pozita vakante në qeveri, të shtojnë numrin e personave me këshilltarë, ndërkaq kur vjen puna te zëdhënësi i qeverisë, kur vjen puna te transparenca ndaj gazetarëve, që rrjedhimisht është transparencë ndaj qytetarëve të Kosovës, atë e prolongojnë derisa shihet një trysni shumë e madhe nga ana e publikut", tha Begolli.
Transparenca është një çështje me të cilën merren shumë autoritete, institucione dhe biznese. Transparenca paraqet një nga parimet themelore për arritjen e një demokracie të shëndoshë dhe një shteti apo shoqërie funksionale, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.