Ndërlidhjet

Kurti: Dikush duhet ta paguajë rrymën e shpenzuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po importon energji elektrike me çmime të larta, andaj ai tha se rritja e tarifave të energjisë dhe subvencionimi i tyre është rruga që duhet ndjekur për t’u përballur me krizën energjetike që ka prekur vendin.

"Dikush duhet ta paguajë rrymën e shpenzuar", tha Kurti gjatë një konference për media të mbajtur më 19 janar.

Kryeministri Kurti tha se subvencionimi i tarifave të energjisë nga ana e Qeverisë së Kosovës e zbutë situatën me krizën energjetike, por nuk e zgjidhë atë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka propozuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët për 9 për qind dhe vendosjen e bllok-tarifave.

Qeveria e Kosovës njoftoi se ka ndarë deri në 75 milionë euro për të subvencionuar konsumatorët që do të shpenzojnë mbi 600 kilovatë për orë.

“Janë tri mënyra sesi mund të bëhet financimi: rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo reduktimet e ashpra të energjisë. Ne e pamë sesa të dëmshme janë reduktimet e energjisë sepse një njërën anë e kemi të amortizuar rrjetin e distribucionit dhe shkaktohen shumë kollaj dëme të kushtueshme, dhe gjithashtu prej makinerive të industrive deri te pajisjet shtëpiake krijojnë dëme të mëdha”, tha Kurti.

Kurti tha se vetëm gjatë ditës së djeshme, Kosova ka blerë energji elektrike në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro.

Sipas tij, Kosova të martën ka prodhuar 727 megavatë energji elektrike, por ka konsumuar 26,608 megavatë. Ai tha se Kosova nga tregjet ndërkombëtare zakonisht blen energji me çmim të lartë dhe sipas tij, dje një megavat ka kushtuar rreth 250 euro.

“Këtë diferencë dikush duhet ta paguajë”, tha Kurti.

Kurti tha se faji për krizën aktuale energjetike është për shkak të mosveprimit të qeverive paraprake, duke argumentuar se sikur shteti të investonte me kohë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, në rindërtimin e atyre aktuale, tani Kosova nuk do të kishte nevojë për të importuar energji, “por por përkundrazi kriza energjetike do të mund të sillte përfitime për prodhuesit e energjisë”.

Kryeministri Kurti, por edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli thanë se tarifat e propozuara nga ZRRE-ja nuk vlejnë për bizneset, pasi nëse do të rritej çmimi për bizneset, kjo do të mund të çonte në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe rrezikimin e vendeve të punës.

ZRRE-ja më herët kishte paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se vendimi do të aplikohej nga muaji shkurt. Ky organ i pavarur ditë më parë publikoi raportin konsultativ për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të energjisë elektrike ku shpalosi propozimet për tarifat e reja, pas rritjes së çmimeve të importit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG