Ndërlidhjet

Qeveria bavareze në shënjestër të kritikave për islamofobi


Fotografi e nxjerrë nga videoja e diskutueshme anti-ekstremiste tashmë e fshirë, e cila ishte publikuar nga Ministria e Brendshme e Bavarisë, më 2 shtator.
Fotografi e nxjerrë nga videoja e diskutueshme anti-ekstremiste tashmë e fshirë, e cila ishte publikuar nga Ministria e Brendshme e Bavarisë, më 2 shtator.

Autoritetet në landin jugor gjerman të Bavarisë fshinë një video, e cila paralajmëronte për rreziqet e ekstremizmit islamik.

Disa politikanë e përshkruan atë si “mbeturinë raciste” dhe e krahasuan me propagandën e epokës naziste.

Videoja e publikuar në X nga Ministria e Brendshme e Bavarisë më 2 shtator kishte një muzikë serioze në sfond dhe shfaqte një klerik të vizatuar mysliman duke qeshur, teksa gëlltiste një grua të re. Gruaja më pas shfaqet e veshur me hixhab, duke qarë dhe duke pastruar kuzhinën në një martesë poligamie.

Me qëllimin e deklaruar për të paralajmëruar për rreziqet e salafizmit - një lëvizje kjo sunite ultra-konservatore - videoja shkaktoi reagime pothuajse të menjëhershme nga disa ligjvënës gjermanë, të cilët e akuzuan ministrinë për shpërndarje të propagandës së papërpunuar dhe për nxitje të ndjenjave antimyslimane.

“Një videoklip tërësisht racist nga Ministria e Brendshme bavareze! Patetike, sidomos në këto kohë! Në vend të dëbimit dhe nxitjes, ne duhet të mbajmë një qëndrim kundër racizmit antimysliman”, shkroi në platformën X Nicole Gohlke, anëtare e Parlamentit gjerman nga Partia e Majtë.

Videoja u publikua në kohën kur në shoqërinë gjermane, sipas studiuesve, është duke u rritur islamofobia, si dhe numri i incidenteve antimyslimane.

Ajo erdhi, po ashtu, pas suksesit zgjedhor që shënoi partia kundër imigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në dy lande gjermane, më 1 shtator.

“Urrejtje dhe nxitje direkt nga ministria, kur një ditë më parë ishin ende të befasuar me rezultatet e mira të AfD-së”, shkroi në X ligjvënësi i Partisë së Majtë, Ferat Kocak.

Kocak pyeti, gjithashtu, nëse Ministria e Brendshme bavareze është duke përdorur karikatura, të cilat kujtojnë propagandën naziste kundër hebrenjve, për të nxitur urrejtje kundër myslimanëve.

Avokatja Niema Movassat, një politikane tjetër e Partisë së Majtë dhe ish-deputete, e cilësoi videon si “mbeturinë të pabesueshme raciste” dhe tha se do të shqyrtojë një ankesë të mundshme penale për nxitje, kundër ministrit të Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann.

Ministria e fshiu më vonë postimin në X dhe i tha Radios Evropa e Lirë më 3 shtator se i vjen “shumë keq nëse videoja ka çuar në acarim dhe keqkuptime”.

“Ne i marrim kritikat për videon shumë seriozisht dhe e kemi ndalur fushatën për momentin”, tha një zëdhënës i ministrisë në një deklaratë me shkrim.

Zëdhënësi tha se videoja ishte pjesë e një fushate të re në mediat sociale “për t’i informuar njerëzit për rreziqet që paraqesin salafistët dhe islamistët e tjerë”, si dhe “për t’i demonstruar metodat e tyre”.

“Meqenëse puna për parandalimin dhe deradikalizimin në luftën kundër salafizmit është shumë e rëndësishme për ne, ne do t’i ripunojmë skenat e videos. Megjithatë, rreziqet e salafizmit nuk duhet të banalizohen”, tha zëdhënësi.

Videoja në fjalë shfaqte gruan e re edhe duke u joshur përmes mediave sociale, pasi pyeti në internet nëse grave myslimane u lejohet të përdorin grim.

Fotografi e shkëputur nga videoja.
Fotografi e shkëputur nga videoja.

Komisioni Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka “ndonjë koment specifik për këtë video”.

“Gratë myslimane luajnë një rol shumë aktiv në shoqërinë e BE-së. Kjo është një gjë pozitive”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Rreth 5.5 milionë ndjekës të Islamit jetojnë në Gjermani - prej tyre rreth tre milionë janë shtetas gjermanë.

Këto janë të dhëna të Konferencës Gjermane të Islamit - një nismë e ndërmarrë qysh në vitin 2006 nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë, e cila mbikëqyr çështjet e azilit, migrimit dhe integrimit në këtë vend.

Christiane Feichtmeier, zëdhënëse për politikën e brendshme të Partisë së Social-Demokratëve në Bavari, tha për agjencinë DPA se videoja “e ka bërë atë që ta tundte kokën”.

Ajo tha se lufta kundër salafizmit është e rëndësishme, por se “nuk bën të ndodhë që paratë e taksapaguesve të shpenzohen për diçka që nuk funksionon ose ndoshta edhe shkakton dëm. Kjo është, padyshim, përshtypja që lë videoja tek unë dhe të tjerët”, raportoi DPA.

Kontribuoi: Rikard Jozwiak; përktheu: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG