Pavarësisht se të gjitha gjërat janë supozuar të kenë qenë të barabarta, një kandidat ka qenë më i barabartë se të tjerët në fushatën për zgjedhje presidenciale në Rusi.
Vetëm presidenti aktual, Vladimir Putin ishte pjesë e dokumentarëve të mbështetur nga televizioni shtetëror para zgjedhjeve të 18 marsit.
Bilbordet e tij janë ruajtur nga policia pas incidenteve të vandalizmit, është thënë në raportimet e mediave.
Këto janë vetëm disa nga përfitimet që Putin i ka gëzuar gjatë fushatës, falë atyre që njihen si “burime administrative”, një listë e gjatë e mjeteve burokratike, të cilat mund të përdoren për të ndihmuar që të arrihet rezultati i dëshiruar zgjedhor për autoritetet.
Putin ka mbajtur një takim gjatë fushatës së tij në stadiumin kryesor të Moskës, pavarësisht raporteve se disa pjesëmarrës në turmë janë detyruar të jenë aty apo janë paguar.
Derisa duket se janë pak ditë deri te fitorja e Putinit, zyrtarët rusë kanë folur kundër abuzimeve me resurse administrative gjatë fushatës.
Mirëpo ata kanë qëndruar larg ankesave, të atyre që kritikët dhe kundërshtarët e Putinit i quajnë si përkrahje të padrejtë që ai i fiton nga sistemi shtetëror.
Pasi udhëheqësi i Moskës, Sergei Sobyanin, ka publikuar qëndrimin e tij për Putinin në faqen e tij zyrtare, një anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor ka thënë se ky hap mund të ketë shkelur ligjin e zgjedhjeve, që u ndalon shërbyesve publikë pjesëmarrjen në fushatë, mirëpo ka shtuar se “nuk do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve”.
Keqpërdorimi i kapitalit administrativ në një mënyrë të tillë është i ngulitur thellë dhe nuk të largohet aq lehtë”, ka thënë analistja politike ruse me bazë në Paris, Tatiana Stanovaya.
“Kremlini ka tentuar të ndikojë në qeveritë rajonale për të mos abuzuar me burimet administrative, mirëpo nuk funksionon ashtu për shkak të inercisë së sistemit”, i ka thënë ajo Radios Evropa e Lirë.
Rojet e bilbordeve
Udhëzimet e monitoruesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, pjesë e së cilës është dhe Rusia, kanë thënë se, “derisa ekziston një përparësi e pashmangshme, legjislacioni duhet të jetë i kujdesshëm për të mos kryer avantazhe të tilla”.
“Kandidatët dhe partitë nuk duhet të përdorin fondet shtetërore dhe burimet tjera siç janë kontratat e punës, mjetet transportuese apo punëtorët”, në përparësi të tyre, thuhet në udhëzime.
Këtë muaj, dy dokumentarë për Putinin, secili i mbështetur nga televizioni shtetëror, Rossiya-1, janë publikuar në mediat kombëtare.
Monitoruesit e mediave të Partisë Komuniste kanë gjetur se media shtetërore ka reklamuar në mënyrë aktive njërin nga këta filma të publikuar online nga autori i saj, njëherësh moderatori i televizionit shtetëror, Vladimir Solovyov.
Mirëpo shefja e zgjedhjeve ruse, Ella Pamfilova ka thënë se asnjë nga filmat e publikuar online nuk kanë shkelur ligjin për zgjedhjet.
“Ne nuk e rregullojmë internetin”, ka thënë ajo.
Dy kandidatë liberalë në zgjedhje, Grigory Yavlinsky dhe Ksenia Sobchak, janë ankuar për fjalimin dy orësh të Putinit të transmetuar në televizion.
Pamfilova ka kundërshtuar ankesat për këtë fjalim, i cili sipas Kushtetutës Ruse duhet të mbahet çdo vit.
Ajo ka thënë se fjalimi ka qenë pjesë e detyrave të Putinit.
Putin nuk ka mbajtur fjalimin e tij vjetor që tradicionalisht mbahet në dhjetor, mirëpo ka vendosur ta mbajë të njëjtin vetëm disa javë para zgjedhjeve.
Po ashtu ka supozime të ndryshme se studentët në Moskë janë duke u përballur me sugjerimet apo presionin që ta votojnë Putinin.
Në anën tjetër zyrtarëve policorë u është kërkuar të ruajnë bilbordet e Putinit nga aktet vandale.
Zgjedhje të “pastra”?
Monitoruesi i pavarur i zgjedhjeve, Golos ka përmendur më shumë se 600 raporte te shkeljeve të supozuara zgjedhore duke përfshirë përdorimin e burimeve administrative në fushatë.
“Autoritetet posedojnë buxhetin dhe burimet organizative, të cilat atyre ua ka besuar publiku, andaj të njëjtat nuk duhet të përdoren për të përfituar disa aktorë politikë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, njëri nga udhëheqësit e Golos, Grigory Melkonyants.
Derisa Kremlini dhe qarqet e tij bëjnë thirrje për numër më të madh të votuesve, në disa nga raportet për abuzim të burimeve administrative përmendet dhe presioni ndaj studentëve e punëtorëve vetëm për të shkuar tek kutitë e votimeve, pavarësisht se si planifikojnë të votojnë ata.
Një zyrtar i lartë i partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar, Andrei Turchak, është raportuar t’i ketë qortuar zyrtarët rajonalë të partisë së tij në muajin shkurt “për përdorim të burimeve administrative” në përpjekjet e tyre për të rritur numrin e votuesve.
Stanovaya ka thënë se tentime të tilla për të siguruar “zgjedhje” të pastra pengohen pjesërisht nga guvernatorët, të cilët janë të frikësuar se mbështetja për Putinin apo dalja në zgjedhje mund të jetë shumë e ulët në rajonet e tyre.
Sipas saj është “pothuajse e pamundshme që të anashkalohet përdorimi i burimeve administrave” në Rusinë bashkëkohore.
“Mënyra se si përdoren burimet mund të ndryshojë, pasi ato mund të adapotohen në stilin e Kremlinit, mirëpo ka shumë përpjekje nga autoritetet rajonale për të arritur rezultatin e kërkuar”, ka thënë ajo.