Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u bëri thirrje rusëve të votojnë në zgjedhjet presidenciale më 18 mars, duke apeluar te ta që "të shfrytëzojnë të drejtën e tyre" për të ardhmen e, siç tha, "Rusisë sonë të madhe dhe të dashur".
Apeli i Putinit është postuar në ueb-faqen e Kremlinit.
"Ne në Rusi e kemi vendosur gjithmonë fatin tonë, kemi bërë gjëra në mënyrë të ndërgjegjshme, duke kuptuar të vërtetën dhe drejtësinë. Dashuria jonë ndaj atdheut na ka udhëhequr. Kjo është në karakterin tonë kombëtar, që është e ditur edhe në botë", tha Putin.
Zgjedhjet në Rusi mbahen në kohën kur marrëdhëniet e këtij vendi me Perëndimin janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
Palët kanë mosmarrëveshje për çështje si agresioni i Rusisë në Ukrainë, roli i saj në luftën e Sirisë dhe ndërhyrja e saj e dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Në total janë tetë kandidatë për zgjedhjet presidenciale në Rusi, por Putin thuhet se e ka fitoren të sigurt.