Ndërlidhjet

Punëtorët kundërshtojnë shitjen pa kushte të “Llamkos”-it


Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks”
Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks”

Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks” në Vushtrri, pritet të dalë në ankand publik brenda pak muajsh.

Më 8 shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës - Departamenti për Çështje Ekonomike ka marrë vendim që ta vë në shitje, pa kushte, këtë fabrikë, e cila është në procedurë të falimentimit që nga viti 2015.

Por, këtë vendim të gjykatës po e kundërshton Sindikata e Punëtorëve të “Llamkos”-it, e cila është kreditorja e dytë më e madhe e kësaj fabrike, me mbi 700 mijë euro. Në total kjo ndërmarrje ka obligime të pakryera financiare në vlerë prej mbi 4 milionë euro ndaj më shumë se 20 kreditorëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Ragip Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e punëtorëve dhe Komunës së Vushtrrisë, për mosndryshim të destinimit të ndërmarrjes, pas shitjes së saj, është mbivotuar nga shumica e kreditorëve.

Kështu, sipas tij, me vendimin e gjykatës për shitje të fabrikës pa kushtëzime për blerësin potencial, është vënë në rrezik e ardhmja e “Llamkos”-it dhe e rreth 500 punëtorëve të saj.

Për të kundërshtuar këtë vendim, Hasani ka thënë së punëtorët do të protestojnë.

“Të premten kemi mbajtur një takim masiv me punëtorët, ku i kam informuar ata për vendimin e gjykatës. Punëtorët patën vërejtje dhe nuk ishin të kënaqur, sepse fabrikës po i ndërrohet destinimi dhe për këtë vendosëm që të protestojmë”, ka thënë Hasani.

Kërkesat kryesore të punëtorëve, sipas Hasanit, janë: mosndryshimi i destinimit të fabrikës pas shitjes, rinisja e punës në të dhe kthimi i punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Interesi ynë – i punëtorëve, është që fabrika të fillojë punën, të kthehen punëtorët në punë dhe të ngjallet ky gjigant ekonomik, një prej shtyllave më të forta ekonomike jo vetëm në Vushtrri por edhe në Kosovë”, ka shpjeguar Hasani.

Ai ka thënë se janë takuar edhe me Avokatin e Popullit dhe kryesuesen e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. Ndërsa ka shtuar se janë në kërkim të një avokati që ky vendim të kundërshtohet edhe përmes rrugëve ligjore.

Hasani e ka quajtur poshtëruese vlerën prej 4 milionë eurosh, e cila është vënë si çmim fillestar për shitjen e kësaj fabrike, që sipas tij ka vlerë dhjetëra milionëshe:

“Ky çmim është poshtërues për një fabrikë si fabrika jonë, e cila e ka vlerën dhjetëra miliona, e jo të dalë (në shitje) me 4 milionë euro. Mirëpo nëse është ndonjë investitor që punon ne nuk kundërshtojmë, por në bazë të vendimit të gjykatës administratori nuk është i interesuar që fabrika të gjejë ndonjë investitor të punojë, por vetëm për ta shitur dhe larë këto borxhe të kreditorëve”.

Viryt Ibrahimaga, administrator i “Llamkos”-it, i caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kushtet e ankandit i ka vendosur gjykata duke u mbështetur në votën e shumicës së kreditorëve.

Aika shtuar se kërkesa e sindikatës dhe Komunës së Vushtrrisë është diskutuar, por, sipas tij, ligji nuk lejon kushtëzime dhe se interesi i shumicës së kreditorëve ka qenë që përmes shitjes pa kushte të marrin pjesën e tyre.

“Edhe në ankand publik, sipas rregullave – flasim për procedurën përmbarimore - nuk mund të vë kushte askush, sepse duhet të sigurohet barazia e të gjithë ofertuesve. Tash e kemi kuptuar që është interes i të gjithëve që të vijë një investitor që do ta blinte dhe ndoshta të vazhdonte veprimtarinë, por një kushtëzim i tillë nuk mund të parashihet me ligj”, ka sqaruar Ibrahimaga.

Ibrahimaga ka vlerësuar se edhe borxhi prej 4 milionë eurosh ka ndikuar për vënien e fabrikës në shitje pa kushte, duke shmangur shitjen përmes ofertës më të ulët.

“Pastaj është edhe problemi tjetër, kush do ta mbikëqyrë atë që do ta vazhdojë veprimtarinë. Është pra problem edhe monitorimi, nëse e vazhdon vërtet atë veprimtari, sepse unë si administrator me shitjen e aseteve, e humbi kontrollin mbi atë vend”, ka theksuar Ibrahimaga.

Ai ka shtuar se përmbyllja e procesit të shitjes është çështje e dy-tre muajve të ardhshëm. Sipas tij, çfarëdo ankese në shkallët më të larta të gjykatës vetëm sa do ta prolongonte procesin, pasi vendimi i Gjykatës Themelore për këtë formë shitjeje, ka qenë strategjik.

Kundër shitjes pa kushte është shprehur edhe ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës edhe njohësi i fushës, Safet Gërxhaliu. Sipas tij, ekonomia e Kosovës, pas luftës ka pësuar shumë dëme nga procesi i privatizimit, nga i cili, sipas tij, nuk është arritur asnjë prej objektivave.

Gërxhaliu thotë që fabrikës së llamarinës në Vushtrri nuk duhet t’i ndërrohet destinimi pasi ajo përbën një aset strategjik për Kosovën.

“Jemi në kohën kur industria e metaleve, e përpunimit të tyre, është në vlugun më të madh, qoftë në aspektin evropian apo global dhe në këtë drejtim duhet të kemi kujdes me këtë ndërmarrje, e cila besoj që jo vetëm për komunën (e Vushtrrisë), por edhe për Kosovën është e rëndësisë strategjike”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas ish-kreut të Odës Ekonomike, “Llamkosi” duhet të vihet në funksion të punësimit dhe zhvillimit, e jo të ketë fatin e keq të shumë fabrikave tjera, që u është ndërruar destinimi.

“Në qoftë se deri tash kemi pasur dështim të ‘Spin Off-it special’, atëherë kjo fabrikë nuk meriton një fat të tillë. Prandaj, duhet përgjegjësi dhe definitivisht një ndër kushtet kryesore duhet të jetë mosndërrimi i destinimit, sepse jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur, ku shumë fabrikave të tilla jo vetëm që u është ndërruar destinimi, por edhe janë shndërruar në objekte banimi. Dhe, me këtë nuk mund të ketë krijim të vendeve të reja të punës ose efekte pozitive, prandaj është koha kur duhet që kjo fabrikë duhet të shpëtohet nga një situatë e tillë e cila do të ishte fatale për komunën e Vushtrrisë, por edhe për Kosovën në fund të fundit", vlerëson ai.

Fabrika për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamkos”, ishte privatizuar dy herë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit – fillimisht më 2005 përmes “Spin Off-it special” dhe për herë të dytë më 2011.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG