Ndërlidhjet

“Të mos dënohen punëtorët e seksit”: A duhet të ndryshojë ligji në Kosovë?


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Për dallim nga shumica e vendeve në Evropë, Kosova ndalon plotësisht secilën formë të prostitucionit: shitjen dhe blerjen e këtij shërbimi, organizimin e tij në shtëpi publike dhe ofrimin e lokaleve për mundësim të prostitucionit.

Numri i saktë i personave që ofrojnë shërbime seksuale në Kosovë nuk dihet, mirëpo Fondi Global - organizatë ndërkombëtare e themeluar nga OKB-ja - raporton se 642 “punonjësve të seksit” në Kosovë u janë ofruar programe parandaluese për virusin HIV, gjatë vitit 2021.

Me ligjin në Kosovë, personat që shesin shërbime seksuale, dënohen me gjobë prej 100 deri në 900 euro apo me burgim deri në 60 ditë, ndërsa format e shtyrjes në prostitucion dhe mundësimit të tij parashohin dënime deri në gjashtë vjet burgim.

Të vetmit që nuk dënohen janë viktimat e trafikimit me njerëz, të cilat detyrohen të ofrojnë shërbime të tilla.

“Viktimat nuk ndëshkohen për veprimtarinë e kryer gjatë kohës sa kanë qenë viktima të trafikimit me njerëz”, thotë Riza Murati, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Policinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, të dhënat e policisë, ndër vite, tregojnë se më shumë persona janë akuzuar për prostitucion sesa që janë vlerësuar si viktima të trafikimit me njerëz.


Por, në shumicën e vendeve të Evropës dhe në shumë vende të tjera të botës, ligjet i përjashtojnë nga dënimet edhe personat që ofrojnë vullnetarisht shërbime seksuale në këmbim të parave.

A mund të ndryshohen ligjet në fuqi?

Të pyetur nëse është menduar të bëhet ndonjë ndryshim në ligje dhe Kod penal sa i përket mënyrës se si rregullohet prostitucioni, nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës thonë për REL-in se “çështjet e ngritura janë të mbuluara me legjislacionin penal në fuqi në Kosovë”.

Por, legjislacioni në fuqi në Kosovë shihet si problematik nga aktivistja Teutë Rrusta, për shkak të, siç thotë, ndëshkimeve të parapara për ofruesin e shërbimit seksual.

“Ligji nuk do të duhej asnjëherë që ta ndëshkonte e penalizonte dikë, që në kushte varfërie, i duhet të mbijetojë, madje edhe duke u prostituuar. Janë mekanizma të tjerë, të cilët duhet të ofrohen me qëllim të integrimit në punë të tjera”, thotë Rrusta për Radion Evropa e Lirë.

“Pikënisja jonë do të duhej ta kishte për bazë mirëqenien e grave dhe jo moralizimin mbi to”, shton ajo.

Murati, nga Policia e Kosovës, thotë se gjatë punës së tij ka hasur në persona që thonë se prostituohen, pasi që është e vetmja punë që mund ta gjejnë lehtësisht. Pikërisht shkaku i faktorëve socio-ekonomikë, ai beson se prostitucioni në Kosovë nuk do të duhej të legalizohej.

“Duke marrë parasysh që në Kosovë, gjendja socio-ekonomike po ndikon si faktor që të kemi edhe raste të trafikimit me njerëz, vlerësojmë që [legalizimi i prostitucionit] nuk mund të jetë diçka që do ta zgjidhte problemin... Nuk duhet të ndërmarrim hapa të ngutshëm”, thotë Murati.

...është më mirë ta pranosh që ajo po ndodh dhe të paktën të sigurohesh që po zhvillohet në mënyrën më të sigurt".


Studiuesja Roos de Wildt, nga Instituti Verwey-Jonker në Holandë, thotë për Radion Evropa e Lirë se hapi i parë do të duhej të ishte mosndjekja penale e personave që i ofrojnë këto shërbime, në mënyrë që atyre të mund t’u ofrohet ndihmë institucionale.

“Ju mund t’i keni mendimet e juaja për punën seksuale, por ajo po ndodh. Kështu që është më mirë ta pranosh që ajo po ndodh dhe të paktën të sigurohesh që po zhvillohet në mënyrën më të sigurt. Kështu që nëse ato gra abuzohen, të paktën të kenë ku të drejtohen”, thotë De Wildt, duke iu referuar institucioneve të drejtësisë dhe mjekësisë.

De Wildt është autore e librit “Prostitucioni pas luftës: Trafikimi me njerëz dhe paqeruajtja në Kosovë”, i publikuar në vitin 2019.

Gjatë hulumtimeve për këtë libër, ajo tregon se ka takuar një grua prostitutë që është rrahur nga klienti i saj, por nuk e ka raportuar rastin në polici, shkaku i punës së saj.

“Pavarësisht se si kanë arritur gratë tek ajo punë [përmes trafikimit apo vullnetarisht], është e rëndësishme t’i shikojmë nevojat e tyre dhe t’u ndihmojmë. Të paktën, organizatat që duan t’i ndihmojnë duke i pajisur me mjete mbrojtëse apo në aspektin e parandalimit të HIV/AIDS-it, të mund ta bëjnë punën e tyre”, thotë De Wildt.

Ofrimi i këtyre shërbimeve për ata persona do të ishte në të mirë të shoqërisë, sipas saj, pasi që do të parandalonte përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme seksualisht te klientët dhe partnerët e tjerë të tyre.

Kush janë klientët?

Në vitin 2004, një raport i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka vlerësuar se trupat e misioneve të NATO-s dhe OKB-së në Kosovë - KFOR dhe UNMIK - kanë ndikuar që të ketë rritje të "skllavërisë seksuale".

Sipas atij raporti, 27 ushtarë të KFOR-it janë dyshuar për vepër të tillë penale, ndërsa UNMIK-u ka bërë të ditur se dhjetë zyrtarë të tij policorë janë shkarkuar nga puna, shkaku i akuzave të ngjashme në vitin 2003.

E pyetur nëse ka pasur raste të tilla edhe më vonë, zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, thotë se, së paku nga viti 2016, kur janë vendosur sistemet e reja të grumbullimit të të dhënave, nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

“Bashkë me zyrat e tjera të OKB-së, UNMIK-u ka punuar në parandalimin e rasteve të abuzimit dhe eksploatimit seksual nga stafi, përfshirë këtu përmes trajnimeve të obligueshme për parandalimin e këtyre rasteve”, thotë Dolatshahi për REL-in.

Në librin e saj, de Wildt tregon se shumica e klientëve janë vetë kosovarët dhe se rritje të numrit të tyre ka sidomos gjatë muajve të verës, kur Kosovën e vizitojnë më shumë njerëz nga diaspora.

Si mund të luftohet trafikimi i njerëzve për shërbime seksuale?

Sipas studimit “Ulja e trafikimit me njerëz përmes dekriminalizimit të punës seksuale”, të publikuar në revistën shkencore të Shoqatës Amerikane Mjekësore, punëtorët shëndetësorë duhet ta përkrahin dekriminalizimin e plotë të prostitucionit.

“Duke larguar ligjet ndëshkuese që parandalojnë raportimin e eksploatimit dhe abuzimit, dekriminalizimi lejon që punëtoret e seksit të punojnë me më siguri, duke zvogëluar cenueshmërinë dhe margjinalizimin e tyre”, thuhet në atë studim të vitit 2017.

Sipas raportit për vitin 2021 të Departamentit amerikan të Shtetit, më të rrezikuar për të qenë viktima të trafikimit janë personat nga komunitete të margjinalizuara, si rom, ashkali, egjiptian, LGBT dhe emigrantët.

Për aktivisten Teutë Rrusta, kjo nuk është aspak e çuditshme.

“Prostitucioni ndodh vetëm në kushte pabarazie ekonomike e shoqërore. Ai shkon dora-dorës me trafikimin dhe skllavërimin, që në thelb ka shfrytëzimin dhe përfitimin nga grupet e papushtetshme. Prandaj, nuk është e rastësishme që shumica e atyre që kryejnë prostitucion, janë gra të varfra”, thotë Rrusta.

Në raportin e grupit të Këshillit të Evropës kundër trafikimit me njerëz, GRETA, thuhet se shumica e viktimave, 59 për qind, janë të mitur. Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se rreth 90 për qind e këtyre viktimave rekrutohen për të ofruar shërbime seksuale.

Rexhep Gojnovci, drejtor i organizatës joqeveritare AKTI, ka punuar gjatë viteve të fundit në një projekt që synon t’u ofrojë mbështetje psikologjike dhe sociale viktimave të trafikimit. Ky projekt është zhvilluar në katër qytete të Kosovës: Fushë Kosovë, Ferizaj, Lipjan dhe Podujevë.

Ai tregon se Fushë Kosova është zgjedhur për shkak të pozicionit të saj gjeografik, që “lidh jo vetëm qytetet më të mëdha të Kosovës, por mbase edhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërsa, tri qytetet e tjera janë përzgjedhur për shkak të afërsisë me zonat kufitare dhe problemeve të shfaqura, si “në Ferizaj me numrin e fëmijëve në situatë rruge, në Gjilan dhe Podujevë me dhunën në familje dhe të rinjve abuzues me substanca psiko-aktive”.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, gjatë pesë vjetëve të fundit janë identifikuar gjithsej 102 viktima të trafikimit, ndërsa 76 personave u është ngritur kallëzim penal për trafikim me njerëz. Gjatë së njëjtës periudhë, 174 personave u është ngritur kallëzim penal për marrje me prostitucion.

Në Kosovë, aktualisht, po zhvillohen “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë në vend.

Në kuadër të kësaj fushate, në Prishtinë është rishfaqur shfaqja teatrale “Stiffler”, e cila tërheq vëmendjen për mungesën e të drejtave të punëtorëve të seksit në Kosovë.

Personazhi i kësaj vepre, Hava Mara, theret me thikë nga personi që i ka ofruar shërbim seksual.

“Përmes shfaqjes, ne kemi dashur t’i tronditim njerëzit me fatin e një gruaje që kryqëzohet nga shoqëria, për shkak të aspektit moral, por kryqëzohet edhe nga sistemi. Këto gra e kanë thikën në shpinë prej të gjithëve”, thotë regjisori i shfaqjes, Kushtrim Koliqi, për Radion Evropa e Lirë.

Thika mbetet në shpinën e Havës përgjatë gjithë shfaqjes, me qëllim që, siç thotë Koliqi, audienca të shqetësohet nga trajtimi që merr një grua si Hava. “Ne jemi shoqëri që këtyre grupeve, përveçse ua mbytim shpresën, ua marrim edhe jetën. Dhe, ky është edhe fati i Havës”, thotë Koliqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG