Ndërlidhjet

Pse gjasat për embargo të naftës ndaj Izraelit janë shumë të vogla?


Njerëzit mblidhen pranë hyrjes së ndërtesës së Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, në Vjenë, Austri, tetor 2022.
Njerëzit mblidhen pranë hyrjes së ndërtesës së Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, në Vjenë, Austri, tetor 2022.

Reuters

Ofensiva ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës, pas sulmit të Hamasit – grupit radikal palestinez të cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA – ndaj qyteteve izraelite më 7 tetor, ka nxitur thirrje në Lindjen e Mesme, posaçërisht nga anëtari i OPEC-it, Irani, për ta përdorur naftën si armë për ndëshkimin e Izraelit.

Ky konflikt i ka shtyrë shumë analistë, vëzhgues të tregut të naftës dhe politikanë, të ngrenë paralele me embargon e OPEC-it më 1973, kur prodhuesit arabë të naftës e ndërprenë eksportimin e naftës për disa aleatë të Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, pas luftës izraelito-arabe atë vit.

Analistët dhe burime brenda OPEC, megjithatë, thotë se bota e sotme e energjisë është shumë më ndryshe se ajo e para 50 vjetëve, prandaj edhe e hedhin poshtë mundësinë e vendosjes së një embargoje të re.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të udhëhequr nga Rusia, do të takohen të më 30 nëntor në Vjenë, për të biseduar për politikat e prodhimit, dhe burimet kanë thënë për Reuters se ka mundësi të flitet për ulje shtesë të prodhimit.

Nga po vijnë thirrjet për embargo?

Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, u bëri thirrje anëtarëve të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) të vendosin embargo të`naftës dhe sanksione të tjera ndaj Izraelit dhe t’i përjashtojnë të gjithë ambasadorët e Izraelit.

Katër burime brenda OPEC-it, e cila e prodhon një të tretën e naftës së botës dhe përfshin disa vende myslimane, në mesin e tyre edhe Iranin, thanë për Reuters në atë kohë se nuk janë planifikuar veprime të menjëhershme apo takime emergjente nga ky grup pas komenteve të Iranit.

Të dielën e kaluar, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, iu lut vendeve myslimane të cilat kanë marrëdhënie të normalizuara me Izraelin, t’i ndërpresin ato për së paku “një kohë të kufizuar”.

Javë më parë, ai kishte bërë thirrje për një embargo islamike të naftës dhe ushqimit ndaj Izraelit.

Gjatë një takimi të përbashkët mes anëtarëve të OBI-t dhe Ligës Arabe në Riad më 11 nëntor, shtetet myslimane nuk u pajtuan për vendosjen e shumë sanksioneve kundër Izraelit, e cila ishte kërkesë e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi.

Çfarë ndodhi më 1973?

Më 1993, prodhuesit araba të OPEC-it, të udhëhequr nga Arabia Saudite, vendosën embargo të naftës ndaj Shteteve të Bashkuara si hakmarrje për mbështetjen e tyre për Izraelin në luftën e Lindjes së Mesme në tetor të atij viti. Embargoja, dhe ulja e prodhimit si pasojë, u vendosën më vonë edhe ndaj vendeve tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Holandën dhe Japoninë.

Embargoja bëri që të kishte mungesë të madhe nafte dhe krijim të radhëve në pompat e karburantit. Ndikimi negativ në ekonominë amerikane ishte shumë i madh.

Embargoja, po ashtu, nxiti ngritjen e madhe të çmimit të naftës, por, njëkohësisht, ajo krizë nxiti zhvillimin e burimeve të reja të naftës jashtë Lindjes së Mesme, siç janë Deti Verior dhe asetet e ujërave të thella, si dhe burimeve alternative të energjisë.

Pse gjasat janë shumë të vogla për një embargo tjetër?

Derisa vendet e Perëndimit ishin blerësit kryesorë të naftës së prodhuar nga vendet arabe para gjysmë shekulli, ditët e sotme Azia është blerësi më i madh i naftës së papërpunuar të OPEC-it, pasi rreth 70% e eksportit të përgjithshëm të këtyre vendeve përfundon atje.

“Mjedisi gjeopolitik është ndryshe krahasuar me atë para 50 vjetëve”, tha një burim i OPEC-it për atë se pse një embargo e re është vështirë e mundur.

“Një embargo e naftës e stilit të viteve ’70 nga vendet e Gjirit që prodhojnë naftë, duket të ketë shumë pak gjasa, sepse dy e treta e eksportit të naftës së GCC (Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim) sot blihet nga klientët aziatikë”, tha JPM Morgan në një komunikatë.

Analisti i bankës për investime UBS, Giovanni Staunovo, tha se ndikimi i Kinës në Lindjen e Mesme po rritet.

“Kina e ka ndërmjetësuar një marrëveshje mes Arabisë Saudite dhe Iranit dhe...është kliente e rëndësishme për prodhuesit e naftës në Lindjen e Mesme, blerësi i dytë më i madh i naftës dhe, bashkë me Indinë, makineria e rritjes së kërkesës për naftë”, tha ai.

Morgan Bazilian, drejtor i Institutit Payne, tha se bota e energjisë ka ndryshuar vazhdimisht në 50 vjetët e fundit.

“SHBA-ja është tani prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit, dhe ka një rezervë strategjike të naftës tash e shumë kohë”, theksoi ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG