Ndërlidhjet

Studentët e mjekësisë kundër “pengmarrjes së diplomës” nga shteti


Protesta e studentëve të Universitetit të Mjekësisë para Kuvendit të Shqipërisë.
Protesta e studentëve të Universitetit të Mjekësisë para Kuvendit të Shqipërisë.

“Qeveria të tërhiqet, ose do t’i vazhdojmë protestat dhe do ta bojkotojmë vitin e ri akademik”. Ky ishte reagimi i një grupi studentësh të Universitetit të Mjekësisë në Shqipëri, pas një vendimi të Qeverisë së vendit që synon të frenojë largimin e mjekëve të rinj.

Me këtë vendim, që u bë publik më 5 korrik nga kryeministri Edi Rama, studentët e mjekësisë duhet të firmosin një marrëveshje për të punuar 2 deri në 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve. Ata që kundërshtojnë, do të duhet të paguajnë një tarifë të lartë studimesh, por që nuk është përcaktuar ende.

“Tarifa do të përcaktohet nga Universiteti dhe do të mbulojë plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, tha Rama.

Vendimin e sqaroi më tej ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Ajo tha se studentët e vitit të 5-të dhe të 6-të të Universitetit të Mjekësisë do të duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr diplomën; ata që kanë përfunduar sivjet studimet nga viti i parë deri në të katërtin, duhet të punojnë 3 vjet me detyrim, ndërsa ata që do të nisin vitin e parë, duhet të punojnë 5 vjet në vend për të tërhequr diplomën.

Një grup studentësh të mjekësisë duke qëndruar ulur, gjatë një proteste para Kuvendit të Shqipërisë.
Një grup studentësh të mjekësisë duke qëndruar ulur, gjatë një proteste para Kuvendit të Shqipërisë.

Aktualisht, tarifa vjetore e studimit për një student të mjekësisë kap vlerën nga 22 mijë lekë (210 euro) deri në 45 mijë lekë (430 euro), varësisht mesatares që arrin në fund të çdo viti akademik. Nga tarifa përjashtohen studentët me mesatare mbi notën 9.

Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë - 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.

Ata ankohen kryesisht për kushte jo të mira në spitale, mungesa medikamentesh dhe paga të ulëta.

Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro. Për krahasim, paga e pataksuar e mjekut në Gjermani arrin deri në 4.000 euro.

Projektligji i ri i Qeverisë, që pritet të kalojë në Kuvend për miratim, kundërshtohet nga studentë dhe ekspertë të mjekësisë.

Studentët në protestë: Kushte dhe mbështetje, jo detyrim!

Një grup i studentëve të mjekësisë doli në protestë këtë javë para Kuvendit të Shqipërisë, duke u kërkuar deputetëve që të mos e votojnë masën e re.

Dorina Gaçi, studente e mjekësisë.
Dorina Gaçi, studente e mjekësisë.

Dorina Gaçi, studente në vitin e pestë për mjekësi, tha se para se të merren nisma të tilla, duhet të plotësohen disa kushte për studentët.

Jemi në kushte skandaloze. Nuk kemi një godinë tamam ku ta zhvillojmë mësimin. U bë spitali i ri dhe nuk u la një ambient për zhvillimin e mësimit për studentët. Nuk ka libra të përditësuar. Na dalin sytë duke gjetur material në laptop apo ipad, sepse librat janë botime të viteve 2000-2005. Me këtë vendim do të ketë zero mjekë që do të dalin nga kjo shkollë”, tha Dorina për Radion Evropa e Lirë.

Ilda Zekaj, një tjetër studente e mjekësisë në vitin e pestë, e kundërshtoi po ashtu vendimin.

Ilda Zekaj, studente e mjekësisë.
Ilda Zekaj, studente e mjekësisë.

“Ajo që dëgjuam nga kryeministri Edi Rama, është diskriminuese. Na paraqitet ‘fabula’ që na mbajnë me taksat e shqiptarëve, ndërkohë që investimet për ne janë zero. Ne studiojmë në kushte mizërie. Nuk kemi leksione, libra... Nuk e dimë se ku shkojnë investimet. Jemi vërtet kuriozë ta dimë se ku shkojnë”, tha Ilda, duke shtuar se nuk do ta nënshkruajë kontratën.

Studenti Eugen Lazaj, i cili në protestë mbante një pankartë me mbishkrimin “Nuk kisha plan të ikja, tani nuk kam plan të kthehem”, tha për Radion Evropa e Lirë se reagimi do të vazhdojë në të gjitha format.

“Ne e kemi diskutuar edhe në Senatin Akademik, nuk do të ketë mësim vitin tjetër nëse hyn në fuqi ky ligj. Për mua, nisma shkel disa të drejta, duke nisur nga e drejta e lëvizjes së lirë... dhe, nga ana tjetër, nuk zgjidh asgjë sa i përket largimit të mjekëve. Është një vendim që, madje, i dualizon mjekët që kanë menduar të rrinë, që do të ulë cilësinë e studentëve që do të zgjedhin mjekësinë”, tha Eugeni.

Eugen Lazaj, student i mjekësisë.
Eugen Lazaj, student i mjekësisë.

Specializanti - katër vjet punë pa asnjë lek pagesë

Kristi Trako është specializant në vitin e fundit të ciklit 4-vjeçar në gastrohepatologji.

“Pas gjashtë vjetësh studime, jam duke përmbyllur vitin e katërt si specializant. Kam punuar katër vjet, me orar të plotë, në urgjencë apo kudo ku ka pasur nevojë dhe nuk jam paguar asnjë lek. Sepse, specializimi im nuk mbulohet nga Ministria [e Shëndetësisë], njihet si kuotë e lirë. Kjo është sakrificë shumë e madhe dhe nuk vlerësohemi. Prandaj, studentët zgjedhin të largohen”, shprehet Kristi.

Edhe pse vendimi i ri nuk e prek atë, ai thotë se i kupton dhe i mbështet studentët. Ai shton se e ka detyrim këtë mbështetje, pasi është kryetar i Këshillit Studentor dhe anëtar i Senatit Akademik.

“Në të dyja këto struktura është diskutuar gjatë për pakënaqësitë që ka shkaktuar nisma e Qeverisë dhe është vendosur vijimi i protestave dhe bojkotimi i vitit të ri akademik”, thotë Kristi.​

Alimehmeti: Cenohen disa të drejta dhe nuk zgjidhet problemi

Ekspertë të mjekësisë mendojnë, gjithashtu, se projektligji nuk e zgjidh problemin e largimit të mjekëve.

Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik, profesor në Universitetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të përhershëm të Shëndetësisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thotë se sistemi i shëndetësisë, prej dhjetë vjetësh, është në këtë krizë, për shkak të keqmenaxhimit.

Ai thotë se pa e njohur problemin nuk mund të krijosh zgjidhje. Alimehmeti i sheh problematikat në tri drejtime.

“E para është problematika e të ardhurave. Kemi pagat më të ulëta në Evropë për çdo kategori të personelit mjekësor. E dyta është mungesa e një avancimi në karrierë, sepse doktoraturat janë të mbyllura mbi 11 vjet, specializimet janë të hapura, por mbi 60% janë pa asnjë pagesë. Për katër vjet punë dhe përkushtim, studentët specializantë nuk paguhen. Dhe, së treti, roli dhe dinjiteti i mjekut dhe siguria në punë”, thotë Alimehmeti.

Studentët e mjekësisë duke protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.
Studentët e mjekësisë duke protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas tij, këto problematika janë theksuar vazhdimisht nga ekspertët dhe OJQ-të, por jo edhe nga institucionet shtetërore.

Këto problematika, shton ai, kanë bërë që në pesë vjetët e fundit, nga 1.322 të diplomuar në mjekësi, 801 ose afro 61 për qind e tyre të largohen nga Shqipëria.

Duke vlerësuar se duhet një zgjidhje, pasi situata është e rëndë, Alimehmeti thotë se nuk pajtohet me Qeverinë, për faktin se ajo e sheh zgjidhjen te detyrimi dhe jo te mbështetja.

“Projektligji është i gabuar, sepse është ‘de facto’ detyrim, askush nuk mund të detyrohet të bëjë atë që nuk do dhe ky vendim vjen si reminishencë e së shkuarës [komuniste] kur duhej të punoje ku ta caktonte shteti”, thotë profesori i Universitetit të Mjekësisë.

Ai shton se masa cenon disa të drejta.

Pankarta në protestën e studentëve të mjekësisë.
Pankarta në protestën e studentëve të mjekësisë.

“Cenohet e drejta e lëvizjes së lirë. E drejta për arsimim... ata studentë që fitojnë mjekësinë, kanë nisur punën që në 9-vjeçare, dhe kur e fitojnë, përballen me detyrime ose tarifa të papërballueshme. Cenohet Konventa e Bolonjës, që ne e kemi firmosur, që përcakton se studentët duhet të marrin formim evropian, se tregu është i tillë”, thotë Alimehmeti.

Ai sugjeron një konsultim të gjerë për këtë çështje dhe shton se studentëve duhet t’u krijohen kushte për të studiuar siç duhet, si dhe t’u jepen arsye të rrinë në Shqipëri - përmes mbështetjes, e jo me anë të bllokimeve.

E, nëse vendimi zbatohet, Alimehmeti thotë se mjekët sërish do të ikin, pasi ta përfundojnë detyrimin për të qëndruar.

“Ditën e parë që përfundojnë detyrimin, do të ikin, sepse i kemi keqtrajtuar dhe ofenduar. Studentët e Mjekësisë ju garantoj se nuk duan të ikin, por nuk kanë kushte që të rrinë. Le t’ua krijojmë dhe t’i mbajmë në Shqipëri”, thotë Alimehmeti.

Qeveria e Shqipërisë e cilëson si çështje urgjente miratimin e projektligjit në fjalë, para nisjes së vitit akademik, që sivjet fillon më 2 tetor. Për këtë arsye, nisma kaloi me procedurë të përshpejtuar në Qeveri dhe u fut në kalendarin e punimeve të Kuvendit, për t’u miratuar brenda këtij sesioni parlamentar, që mbyllet në fund të korrikut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG