Ndërlidhjet

Të zhvendosurit nga veriu i Mitrovicës s’kanë ku të kthehen


Mitrovicë, foto nga arkivi
Mitrovicë, foto nga arkivi

Kthimi i pronave të uzurpuara te pronarët e ligjshëm mbetet një parakusht i domosdoshëm për kthimin e qytetarëve shqiptarë të zhvendosur nga veriu në jug të Mitrovicës. E njëjta vlen edhe për serbët e zhvendosur nga jugu në veri të këtij qyteti, ndonëse sipas shifrave zyrtare, ata janë në numër shumë të vogël.

Më shumë se 400 prona dhe banesa banimi llogaritet se janë të uzurpuara në veri të Mitrovicës. Pronarët e tyre janë kryesisht banorë shqiptarë, të cilët janë detyruar që për afër 20 vjet të jetojnë me qira në jug të këtij qyteti apo edhe në qytete tjera. Ndërkaq, pronat dhe banesat e serbëve në jug të Mitrovicës, sipas autoriteteve lokale të atjeshme janë shitur nga vet pronarët e tyre.

Mitrovica, është një qytet me dy komuna, atë veriore të banuar me shumicë serbe dhe komuna jugore e dominuar nga popullata shqiptare.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës për komunitete, Bashkim Cimili, tha për Radion Evropa e Lirë se uzurpimi i pronave të shqiptarëve në veri të Kosovës nga serbet, vazhdon të jetë një nga problemet kryesore.

Kroi i Vitakut në Mitrovicën veriore, foto nga arkivi
Kroi i Vitakut në Mitrovicën veriore, foto nga arkivi

Cimili thekson se për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre, asnjëherë deri më tash nuk është diskutuar në organet komunale të Mitrovicës veriore.

“Nuk kemi të kthyer dhe është njëri ndër problemet kryesore, kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre. Mund të themi se të uzurpuara janë më shumë se 400 banesa të cilat ndodhen në objektet kolektive dhe janë diku 250 shtëpi të djegura të cilat ende nuk janë rindërtuar", tha Cimili.

Nga ana tjetër, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale të Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se kthimi i banorëve në pronat e tyre në veri të Mitrovicës është një sfidë për komunën dhe për institucionet e tjera në nivelin qendror. Ajo thotë se në këtë drejtim nuk ka pasur nisma të duhura për shkak të ndjeshmërisë politike.

"Edhe në ato pjesë ku njerëzit kanë tentuar që të kthehen, për shembull në lagjen 'Kroi i Vitakut', unë e di që njerëzit kanë tentuar që të kthehen, por ky proces është politizuar". Unë e di që diku afër 20 familje janë kthyer në banesat e tyre qendër të Mitrovicës", tha ajo.

Hoxhiq thotë se autoritetet në nivelin qendror është dashur të merren më shumë dhe më herët me ketë problematikë.

"Komuna si komunë nuk ka edhe aq mundësi që ta ndihmojë këtë proces. Kur bëhet fjalë për pronën e uzurpuar, duhet të inkuadrohet edhe policia edhe i tërë sistemi juridik, kështu që me të vërtet për ta gjetur një zgjidhje duhet të zhvillohet një strategji në të cilën patjetër duhet të kyçet edhe niveli qendror", tha Hoxhiq.

Ajo deklaroi se është e pakuptimtë që sot, pas kaq kohësh që kur ka mbaruar lufta, mbetet e pamundur për njerëzit, si në veri apo në jug që të kthehen në pronat e tyre.

"Unë nuk po e shoh që ekziston vullneti politik, kjo është e para, kurse së dyti, unë e di që institucionet kanë prioritete tjera, por askush nuk po merret me kualitetin jetësor të qytetarëve", u shpreh Hoxhiq.

Zëvendësministri për Komunitet dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Milazim Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se në veri të Kosovës, ka raste konkrete të kthimit të banorëve ku pronat e tyre kanë qenë të uzurpuar për shumë vjet.

"Situata dhe politika serbe ka ndryshuar në Kosovë, Lista Serbe e ka një domen të vetin dhe faktikisht ka një kryesues që qw sipas tij janw për zgjidhje. Na duhet edhe pak kohë. Sa i përket pjesës sonë jugore dhe komplet nëpër Kosovë, më nuk ka temë që serbët janë të rrezikuar që të kthehen në pronat e veta. Do të thotë janë të lirë dhe mund të kthehen", tha Gashi.

Ai tha se në pjesën veriore duhet të ndryshojë edhe mentaliteti i banorëve që serbët ta kuptojnë realitetin.

Në Agjencinë Kosovare të Pronave zyrtarët kanë thënë se kanë shumë kërkesa për largimin e familjeve dhe personave që kanë uzurpuar banesat dhe pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG