Ndërlidhjet

Zgjidhja e lëndëve të Speciales zbeh bisedimet për Ligjin e prokurorisë


Ndërtesa e Prokurorisë Publike në Shkup. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Prokurorisë Publike në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Dështimi i negociatave mes partive politike për Ligjin e Prokurorisë Publike ka ngritur dilemën nëse me zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale apo të lëndëve të saj, partitë kanë hequr dorë nga miratimi i këtij ligji.

Para datës 15 shtator, kur përfundonte afati i Speciales, ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, nga burgu kishte dërguar një letër, përmes së cilës të gjitha lëndët që ka udhëhequr prokuroria që drejtonte, ia ka kaluar organit të rregullt të akuzës me çka edhe ka evituar mundësinë e mbylljes së tyre pa epilog konkret.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se partitë, në veçanti ato në pushtet, tani ndjehen më të relaksuara dhe sikur u mungon energjia që kishin më parë për Ligjin e prokurorisë, që ndodhet në procedurë parlamentare.

“Tani kemi një zgjidhje, pasi Prokuroria e Rregullt ka marrë lëndët e Prokurorisë Speciale, procedurat gjyqësore po vazhdojnë dhe më nuk e kemi atë situatën e paqartë se çfarë do të ndodhë me këto raste. Pra, kemi një lehtësim për ato subjekte që duan të ketë epilog për gjithë atë punë që është bërë deri më tani, për ndjekjen e atyre personave të akuzuar për vepra të rënda penale. Kjo mund të jetë edhe një arsye se pse partive ndoshta nuk u ngutet që të arrijnë një marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë Publike”, thotë Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese.

Por, ai konsideron se zgjidhje duhet të arrihet që të ketë një rrumbullkasim ligjor për funksionimin e organit të akuzës.

Prokuroria mund të funksionojë edhe më ligjin aktual, por ndryshimet e reja janë të nevojshme për forcimin e pavarësisë së saj në përputhje me standardet evropiane.

“Pushteti, vlerësoj se ka më shumë interes për ta shtyrë para këtë ligj, por kjo nuk vlen edhe për opozitën e cila për arsyeje të ndryshme, apo për të shpëtuar zyrtarët e saj nga ndjekja penale sikur po i bën obstruksione, po e bllokon procedurën. Se sa do të zgjasë kjo nuk dihet, por pengesa do të ketë. Mendoj se zgjidhje duhet të arrihet që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me aktet ligjore dhe besoj se nuk do të mungojnë as presionet që palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët”, thotë Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese.

Partitë politike ndërkohë akuzojnë njëra-tjetrën me dështimin e bisedimeve.

“Ne do të donim të shihnim atë që pushteti e premtonte. (Kryeministri i Maqedonisë së Veriut) Zoran Zaevderi sa ishte mandatar për formimin e Qeverisë, premtonte se prokuroria do të jetë një organ në të cilin do të kthehet besimi i qytetarëve, por edhe dy vjet nga marrja e pushtetit, e shohim se ai nuk lejon që prokuroria të jetë pjesë e zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm. Pushteti tani tenton që dështimet për këtë ligj t’ia hedh opozitës. Kjo aspak s’ka të bëjë me të vërtetën”, ka deklaruar Antonio MIlloshoski nga partia në opozitë, VMRO-DPMNE.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, thotë se opozita po i zvarrit bisedimet për të përfituar në kohë dhe me këtë të shpëtojë, siç thotë, përfaqësuesit e saj të pushtetit të kaluar që dyshohen për shpërdorim të detyrës. Ajo nuk është optimiste se mund të ketë ndonjë marrëveshje.

“Duke e ditur se më kë negocioj nuk mund të them se jam optimiste. Por, ne do të bëjmë gjithçka me qëllim që të tejkalohen dallimet që kryesisht kanë të bëjnë me procedura dhe mekanizmat mbrojtëse për zgjedhjen e drejtuesit të prokurorisë së re, nëse do të ketë një të tillë si dhe për lëndët e Speciales, periudhën dhe procedurat e tyre”, ka deklaruar Deskoska.

Në fillim, partitë, në veçanti ato në pushtet, deklaronin se Ligji për prokurorinë do të jetë një nga kushtet për marrjen e datës së bisedimeve me Bashkimin Evropian në tetor, por tani një gjë të tillë nuk e shpreson, ndërsa si më të rëndësishëm e theksojnë zgjidhjen e problemit me lëndët e Prokurorisë Speciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG