Ndërlidhjet

Prokuroria në Shqipëri: Arma me të cilën u krye vrasja, u fut në burg para 20 ditësh


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë në Peqin të Shqipërisë, dhe 11 punonjës të tjerë, janë ndaluar nga Policia, me urdhër të Prokurorisë, pas vrasjes me armë dhe plagosjes që janë regjistruar në këto ambiente.

Zyrtarët akuzohen për “shpërdorim të detyrës”.

Një ditë më parë, i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj qëlloi me pistoletë për vdekje të dënuarin Arben Lleshi, dhe e plagosi Indrit Shaqjan.

Prokuroria e Elbasanit njoftoi se nga hetimet ka rezultuar se i dënuari Sokol Mjacaj, pasi ka kryer krimin, ka kanosur me armë punonjësit e shërbimit, dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se arma me të cilën kreu vrasjen, është futur në ambientet e burgut të Peqinit, 20 ditë më parë.

Kjo sipas Prokurorisë është vërtetuar nga analizimi i vendit të ngjarjes, marrjes në pyetje të autorit, deklarimeve tjera, dhe nga akte shkresore të administruara gjatë hetimit.

Prokuroria thotë se ka dyshime se arma, përgjatë 20 ditësh, është mbajtur nga i dënuari me burgim të përjetshëm, në ambientet e përbashkëta në këtë burg, siç janë ambienti i ajrimit dhe regjimit të brendshëm.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar arma e zjarrit, pesë gëzhoja si dhe dy predha të dëmtuara.

“Nga punonjësit e shërbimit nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditët e ngjarjes, por edhe në ditët e mëparshme”, thekson Prokuroria e Elbasanit.

Kontrolli fizik dhe i sendeve personale, siç parashikon skema e sigurisë - sipas Prokurorisë - nuk është zbatuar as gjatë transferimit nga ambientet e godinës së regjimit të posaçëm, ku ka qenë duke qëndruar, Sokol Mjacaj.

Prokuroria thotë se autoritetet e informacionit në këtë burg nuk e kanë njoftuar ngjarjen e rëndë në Polici.

Sokol Mjacaj akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, njëra prej të cilave e mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje e armëve” dhe “futje e mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Pak orë pas ngjarjes, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, tha për mediat se situata e rendit në këtë burg u vu menjëherë nën kontroll dhe sipas tij, nuk ka pasur cenim të jetës së personelit dhe stafit civil.

Prokuroria, në anën tjetër, thotë se janë kanosur me armë punonjës të shërbimit.

Sokol Mjacaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015 në Shqipëri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG