Prokuroria në Mitrovicë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të hënën është kryer një vrasje e dyfishtë në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.
Autoritetet kanë thënë se dyshohet që një burrë 58-vjeçar me inicialet A.M., fillimisht ka vrarë një grua 42-vjeçare me inicialet N.H., dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
“Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, ka thënë Prokuroria në një njoftim për publikun.
Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, dy trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Një familjar i të ndjerës, Rrahim Ajeti, ka thënë se viktima në të kaluarën ka punuar së bashku me bashkëshortin e saj në biznesin – furrë buke - e burrit që dyshohet se e ka vrarë.
“Sipas një informate jo fort zyrtare, [shkaktar] është xhelozia pse ka shkuar në tjetër vend për të punuar dhe e ka lënë këtu. Kjo është”, ka thënë Ajeti.
Rasti ka ndodhur disa orë pasi autoritetet kanë bërë të ditur se të dielën në Vushtrri është vrarë një 19-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij.
I dyshuari është kapur pak kohë pas aktit dhe është dërguar në mbajtje, ku thuhet ta ketë pranuar fajësinë.
Motivet e vrasjeve nuk dihen ende, derisa autoritetet kanë thënë se po kryejnë hetime të vazhdueshme.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se mbi 230.000 armë pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës.
Njohësit e çështjeve të sigurisë kërkojnë që shteti të bëjë më shumë sa i përket konfiskimit të armëve ilegale, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi. Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura.
Viktima N.H. bëhet gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Rrjeti i Grave të Kosovës është shprehur thellësisht i shqetësuar për vrasjen e gruas në Vushtrri.
“Kjo tragjedi tregon edhe një herë se gratë nuk janë të sigurta dhe se kjo pasiguri ndaj tyre vazhdon t’ua marrë jetën. Kërkojmë me ngulm që institucionet të veprojnë menjëherë dhe të sigurojnë mbrojtje maksimale për gratë në Kosovë”, ka thënë kjo organizatë përmes një postimi në Facebook.