Ndërlidhjet

Çfarë dihet deri tani për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri?


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një djalë 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një djalë tjetër të dielën mbrëma në qytetin verilindor të Kosovës, Vushtrri. I dyshuari është kapur pak kohë pas aktit dhe është dërguar në mbajtje, ku thuhet ta ketë pranuar fajësinë.

Motivet e vrasjes nuk dihen ende, derisa autoritetet thanë se po kryejnë hetime të vazhdueshme.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin me inicialet B.D, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale, “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

"I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën 'Galip Badivuku' në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë. I pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale", është thënë në një njoftim të Prokurorisë.

Çfarë ndodhi?

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën akuzën për vrasje të rëndë.

Policia tha se si prova materiale ka gjetur tre gëzhoja dhe se e ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në kryerjen e vrasjes.

“Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek”, tha Policia.

Motivet ende nuk dihen

Preteni tha se nuk mund të flasë për motivet e mundshme të vrasjes dhe se për këtë janë duke u kryer hetime të vazhdueshme.

Policia e Kosovës, ndërkohë, tha se është duke i vazhduar hetimet në bashkëveprim me prokurorin e rastit, për t’i zbardhur të gjitha rrethanat që ndërlidhen me rastin e vrasjes.

Xhaxhai i viktimës, Nysret Zymeri, tha për media në vend se familja nuk e njeh dorasin dhe nuk ka pasur telashe me njerëz të tjerë.

“Nuk e dimë se si ka ndodhur. Të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe, ne nuk e kemi pritur... Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur dorasin, as tani nuk e njohim”, ka thënë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG