Ndërlidhjet

Prokurorë dhe gjyqtarë nën hetime për shkelje ligji


Ilustrim
Ilustrim

Zyra e Prokurorit Disiplinor në Kosovë, gjatë vitit 2017, ka pranuar 500 parashtresa për gjyqtarë dhe prokurorë, ku ka pasur dyshime se të njëjtit kanë bërë shkelje ligjore gjatë kryerjes së punës së tyre.

Zyrtarët nga zyra e Prokurorit Disiplinor, thanë për Radion Evropa e Lirë se janë trajtuar 471 parashtresa, të cilat kanë pasur pretendime për sjellje të pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokurori Arianit Salihu, nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, tha se gjatë vitit 2017, janë hapur 36 hetime disiplinore ndaj bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, ndërsa në Komisionet Disiplinore të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, i janë dërguar 20 lëndë ku pas zhvillimit të hetimit disiplinor, është gjetur sjellja e pahijshme ndaj tyre.

"Sjelljet e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, kanë të bëjnë kryesisht me neglizhencë në ushtrimin e funksionit gjyqësor dhe atij prokurorial, konflikt i mundshëm i interesit, sjellja jo e mirë me palët, qoftë në gjykatë, në prokurori apo edhe gjatë seancave gjyqësore, shkeljet e përcaktuara sipas kodeve të etikës për gjyqtar dhe prokuror dhe të tjera", tha Salihu.

Zyra e Prokurorit Disiplinor nga viti 2017 ka bartur në vitit 2018, një numër të caktuar të lëndëve dhe, siç thotë Salihu, ato po shqyrtohen me prioritet dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor, do të përfundojnë.

Ai tha po ashtu se edhe gjatë vitit 2018, Zyra e Prokurorit Disiplinor i ka pranuar gjithsejtë 23 lëndë/parashtresa, të cilat janë në procedurë të shqyrtimit.

Nga ana tjetër, në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se numri i madh i parashtresave të paraqitura dhe ankesave nda zyrtarëve brenda sistemit të drejtësisë, është shqetësuese.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu ka shprehur dyshimet e tij për punë që bënë Zyra e Prokurorit Disiplinor, ku sipas tij aty ka zbatim të drejtësisë selektive.

"Ne si instituti kemi monitoruar punën e gjykatave dhe prokurorive, dhe po ashtu punën e vetë Zyrës së Prokuroritë Disiplinor. Sjelljet e pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të shumta dhe ato paraqiten në ankesa të përpiluar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, por që kjo zyrë vazhdimisht ka qenë selektive në trajtimin e rasteve. Kush kanë qenë të ‘fuqishëm’ janë amnistuar, ndërsa kush ka qenë i ‘ligë’ është dërguar në procedurë disiplinore. Po që se do të ishte kjo zyrë e drejtë do të ndërtonin një llogaridhënie të gjykatësve dhe prokurorëve, por fatkeqësisht kjo zyrë ka shërbyer vetëm për agjenda të krerëve të sistemit prokurorial dhe gjyqësor", tha Musliu.

Me këtë konstatim nuk është pajtuar Salihu nga Zyra e Prokurorit Disiplinor. Ai thotë se nuk qëndrojnë pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

"Zyra e Prokurorit Disiplinor, aty ku gjen se ka elementet të paligjshme ndaj gjyqtarëve të prokurorëve, raportet përfundimtare i dërgon në komisionet disiplinore të këshillave gjyqësore dhe atij prokurorial, me rekomandim për inicime të procedurës disiplinore. Kjo Zyrë ka trajtuar një numër të madh të raporteve të Instituti të Kosovës për Drejtësi dhe lidhur me të gjeturat është njoftuar edhe Institutin e Kosovës për Drejtësi ", tha Salihu.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit, qoftë kur flitet për joefikasitet në punë, pastaj mospërmbarim të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.

Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefektive.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë me prioritet për shqyrtim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG