Ndërlidhjet

Vetting-u i premtuar hyn në qorrsokak


Pallati i Drejtësisë në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Pallati i Drejtësisë në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Prej vitesh në Kosovë flitet për një proces verifikimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por aktualisht nuk dihet nëse do të ndodhë një proces i tillë. Një proces i tillë quhet vetting.

Qeveria e kaluar, ku ministre e Drejtësisë ishte Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte formuar një grup profesionistësh i cili pritet që të dalë me një raport për skenarët e mundshëm të kryerjes së vetting-ut në drejtësi.

Por, ky proces duket se është në pikëpyetje pas ardhjes së qeverisë së re.

Ministri i aktual i Drejtësisë, Selim Selimi, ka një qasje tjetër sa i takon kryerjes së vetting-ut.

Ai nuk përjashton vetting-un, por thotë se ngritja e mekanizmave të llogaridhënies në sistemin e drejtësisë është primare për të.

“Do të punoj që çdo proces i llogaridhënies të ketë gjithëpërfshirje. Pra, çdo hisedar i sistemit të drejtësisë duhet të jetë në tavolinë dhe çdo hisedar duhet të punojë bashkë dhe është e domosdoshme që në tavolinë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, është ai që ka dhënë rekomandime të shumta për përmirësimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe na mban llogaridhënës me raporte të ndryshme”, thotë ministri Selimi.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se nuk mund të kryhet asnjë proces i vetting-ut pa pjesëmarrjen aktive të vetë institucioneve të drejtësisë.

“Ata do t’i propozojnë mënyrat më të mira se si do të ndërtohet sistemi i llogaridhënies. Tash, unë nuk mund të prejudikojë propozimet e tyre për këtë proces”, thotë ministri Selimi.

GLSP: Të vazhdohet vetting-u pavarësisht se kush është në qeveri

Grupi për Studime Juridike dhe Politike prej kohësh avokon për një proces të vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët.

Rreze Hoxha nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se për të pasur besueshmëri, gjyqësori dhe prokuroria duhet të kalojnë nëpër verifikim.

Përveç verifikimit të pasurisë, gjyqtarët dhe prokurorët, sipas Hoxhës, duhet të kalojnë edhe nëpër verifikim të së kaluarës dhe vlerësim të aftësive profesionale.

“Ne konsiderojmë se duhet të pritet studimi i grupit të ekspertëve, i cili është formuar gjatë kohës së qeverisë së kaluar, i cili është thënë se do të vijë me një studim se çfarë duhet të përfshijë vetting-u dhe pastaj kuptohet se i mbetet në përgjegjësinë dhe diskrecionin e Ministrisë së Drejtësisë të vendosë lidhur me dizajnimin e procesit dhe pastaj me hartimin e ligjeve që janë të domosdoshme për të impelmentuar atë”, thotë Hoxha.

Qeveria e kaluar dhe premtimet për vetting

Pas formimit të qeverise së kaluar të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, premtimi i parë që u bë ishte kryerja e vetting-ut në drejtësi.

Asokohe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, formoi një ekip profesionistësh për të hartuar strategjinë se si do të mund të kryhej verifikimi i policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë.

Haxhiu kishte premtuar përfundim të procesit në një afat brenda 24 muajsh.

Drafti i parë i grupit punues, që parasheh skenarët se si mund të kryhet vetting-u, pritet që të dorëzohet deri në fund të muajit qershor.

Por, ministri i ri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se për grupin punues që ka krijuar qeverisja e kaluar ka dëgjuar vetëm përmes mediave dhe se kur ka pranuar detyrën, kishte parë vendimin.

Ministri Selimi thotë se do të shqyrtojë dokumentin që do të dorëzojë grupi i punës, mirëpo kjo sipas tij nuk nënkupton se do të vazhdohet në formën se si është nisur ky proces.

Prokurorët dhe gjyqtarët në Kosovë kaluan nëpër një proces të verifikimit në vitin 2010.

Secili nga gjithsej 450 gjyqtarët e prokurorët e atëhershëm është dashur të riaplikojnë për vendin e tyre të punës.

Në raportin e OSBE-së, me titull “Pavarësia e gjyqësorit në Kosovë: Dimensionet Institucionale dhe Funksionale”, thuhet se procesi i verifikimit që ndodhi në vitin 2010 ishte pozitiv, porse jo i përkryer.

Përvoja me vetting-un në Shqipëri

Shqipëria filloi reformën në drejtësi qysh në vitin 2016. Në kuadër të këtij procesi filloi edhe vetting-u në drejtësi, proces ky që prodhoi mospajtime të shumta politike.

Procesi i vetting-ut në Shqipëri u bazua në tri shtylla rivlerësimi nëpër të cilat kaluan prokurorët dhe gjyqtarët; kontrolli i pasurisë, kontrolli i figurës dhe kontrolli i aftësive profesionale.

Me kontrollin e pasurisë, gjithsecili prokuror dhe gjyqtar ishte i obliguar që të arsyetonte ligjshmërinë e pasurisë së tij.

Kontrolli i figurës nënkuptonte hetimin e së kaluarës dhe lidhjet e mundshme me persona të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion.

Ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kalonin kontrollin e aftësive profesionale shkarkoheshin apo në disa raste pezulloheshin nga puna dhe obligoheshin të ndjekin një program trajnimi të detyrueshëm njëvjeçar pranë organit që njihet si Shkolla e Magjistraturës.

Çfarë prodhoi vetting-u në Shqipëri?

Njohësit e fushës së drejtësisë në Shqipëri, janë skeptikë se procesi i vetting-ut ka ndikuar në ngritjen e kredibilitetit të sistemit të drejtësisë në këtë shtet.

Sokol Hazizaj, jurist i njohur në Shqipëri, thotë se procesi i vetting-ut ka qenë i dobët dhe ka ndikuar në uljen e efikasitetit të gjykatave në dhënien e drejtësisë.

Problemet me të cilat është përballur ky proces në Shqipëri nuk duhet lejuar të ndodhin në Kosovë, thotë juristi Hazizaj.

“Duhen ofruar njerëz të cilët janë marrë më drejtësinë jo si organizata jofitimprurëse, por që janë marrë me drejtësinë si akterë dhe faktorë brenda pushtetit të së drejtës, gjyqtarë, prokurorë e të tjerë që kanë punuar nëpër vendet e tyre në debatin për të dhënë drejtësi. Në momentin që vetimi i njerëzve ose seleksionimi i njerëzve vijnë nga organizata të cilat nuk kanë lidhje fare me drejtësinë, me dhënien e drejtësisë, me përmbajtjen e vetimit në drejtësi, me raportet procedurale midis qytetarëve dhe dimensioneve që marrin pjesë në dhënien e drejtësisë, atëherë reforma është e dështuar”, thotë Hazizaj.

Mbi 100 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar deri më tani pasi kanë dështuar që të kalojnë procesin e vetting-ut në Shqipëri.

Rreth 40 të tjerë janë larguar vullnetarisht.

Si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë kritikuar vazhdimisht për efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Organizata vendore dhe ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen sa i takon luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në rastin e Kosovës, gjatë vitit 2019, institucionet e drejtësisë nuk arritën që të ngrehin asnjë aktakuzë për zyrtarët e profilit të lartë.

*Sqarim për fjalën vetting

Vertting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ky proces ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG