Ndërlidhjet

Prishtina nuk po arrin të sigurojë informata nga Beogradi për rastin Ivanoviq


Fotografia e Oliver Ivanoviqit, e vendosur në ndërtesën e partisë "Liria, Demokracia dhe Drejtësia", në Mitrovicën Veriore
Fotografia e Oliver Ivanoviqit, e vendosur në ndërtesën e partisë "Liria, Demokracia dhe Drejtësia", në Mitrovicën Veriore

Autoritetet në Prishtinë nuk po arrijnë të sigurojnë informatat nga Beogradi në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Katër kërkesa, në formë të shkruar, i janë nisur Qeverisë së Serbisë nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, por asnjë prej tyre nuk është kthyer në Prishtinë me përgjigjet në lidhje me informatat që u janë kërkuar autoriteteve serbe.

Qeveria e Kosovës, sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri është shumë e interesuar që autori apo autorët e kësaj vepre kriminale të dalin para drejtësisë.

Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje më 16 janar, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Ai ishte qytetar i Kosovës, por kishte edhe shtetësinë e Serbisë, andaj ishte paralajmëruar që hetimet të përfshijnë edhe shkëmbimin e informatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, sipas ministrit Tahiri, autoritet serbe deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje nga katër shkresat sa kanë dërguar autoritetet e Kosovës në adresë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.

“Gjatë kësaj jave ne do të dërgojmë edhe një kërkesë tek autoritet serbe në Beograd, përmes së cilës do të kërkojmë të na bëjnë të ditur statusin e këtyre katër kërkesave. Do të thotë se ku janë. A kanë vullnet të na përgjigjen në to apo si qëndron puna”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Institucionet e Republikës se Kosovës, nënvizoi Tahiri, kanë vullnet që të bashkëpunojnë me palën serbe në Beograd, sa i përket zbardhjes së vrasjes së politikanit serb.

Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, tha Tahiri, i është përgjigjur Ministrisë së Drejtësisë në Beograd, në secilën kërkesë që ka dërguar.

“Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që kryesit e kësaj vepre t’i nxjerrim sa më parë para drejtësisë. Kemi bërë progres jashtëzakonisht të madh në këtë drejtim. Ne kemi vullnetin që të bashkëpunojmë edhe me palën serbe, me Qeverinë e Beogradit, në rast se kanë mundësi të na ndihmojnë çfarëdo prove, që kryesit e kësaj vepre t’i nxjerrim para drejtësisë”, tha Tahiri.

Të shtunën, me urdhër të prokurorit të rastit, autoritetet kompetente kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, në Mitrovicën e Veriut.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se ata janë arrestuar dhe suspenduar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale manipulim me prova.

“Prokurorët kanë ngritur dyshime për dëmtime të mundshme të provave të vendit të ngjarjes. Për shkak të mossigurimit si duhet të vendit të ngjarjes. Mbi këtë bazë janë arrestuar dy zyrtarë policorë dhe janë suspenduar për 48 orë”, tha Hoti.

Ndryshe, edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, që është mbajtur më 7 shkurt, është diskutuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është kërcënim edhe për rajonin derisa, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, duke iu referuar vrasjes së Ivanoviqit ka thënë se autoritetet kosovare nuk do të lënë gur pa lëkundur derisa përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG