Ndërlidhjet

Harry dhe Meghan ndiqen me makinë, incidenti “gati katastrofal”


Princi Harry dhe Meghan. Fotografi nga arkivi.
Princi Harry dhe Meghan. Fotografi nga arkivi.

Princi britanik, Harry, bashkëshortja e tij, Meghan dhe nëna e saj, u përfshin në një “ndjekje me makinë gati katastrofale”, pretendoi zëdhënësi i çiftit. Në këtë ndjekje ishin përfshirë edhe paparaci.

Incidenti ka ndodhur pasi Duka dhe Dukesha e Suseksit kishin marrë pjesë në një ceremoni çmimesh në Nju Jork të martën.

Në deklaratën, zëdhënësi i çiftit, tha se “ndjekja me makinë” zgjati mbi dy orë. Ai shtoi se ngjarja për pak sa nuk përfundoi në aksident trafiku.

Policia e Nju Jorkut konfirmoi se ka ndodhur një incident dhe tha se një numër fotografësh “vështirësuan transportin [e Harryt dhe Meghanit]”.

Asnjë lëndim apo arrestim nuk është raportuar. Pallati Buckingham nuk ka komentuar ende.

Ka pasur pretendime se në ndjekje janë përfshirë disa makina dhe se kjo ka shtyrë që ato të lëviznin me shpejtësi të madhe, duke shkelur rregullat e trafikut.

Harry, Meghan, dhe Doria Ragland – nëna e Meghan – kanë tentuar të fshiheshin nga paparacit, duke shkuar në stacionin policor në Manhatan.

Më pas, Harry dhe Meghan kanë planifikuar që të largoheshin nga stacioni policor me një taksi, por fotografët i kanë parë dhe ata janë futur sërish në makinat e tyre.

Po ashtu ka pretendime se as prezenca e zyrtarëve policorë nuk e ka ndaluar ndjekjen me makinë. Çifti përdor sigurim privat gjatë qëndrimit në SHBA.

“Përderisa të qenit figurë publike vjen me një interes të shtuar të publikut, të qenit figurë publike asnjëherë nuk duhet të rrezikojë sigurinë e dikujt”, tha zëdhënësi i çiftit.

Nëna e princit Harry, princesha Diana, vdiq më 1997 gjatë një aksidenti me makinë në Paris, pasi makina me të cilën po udhëtonte u ndoq nga fotografët.

Gjatë një interviste për dokumentarin e realizuar nga BBC kushtuar princeshës Diana, princi Harry iu referua paparacëve si “tufë qensh” që vazhdimisht ndiqnin nënën e tij.

“Çdo herë që ajo dilte, kishte një tufë njerëzish që e prisnin”, kishte deklaruar ai. “Dua të them, një tufë qensh e ndiqnin atë, e ngacmonin, e ofendonin, tentonin që të bënin që ajo të reagonte në mënyrë që ta fotografonin atë të zemëruar”.

Princi Harry hoqi dorë nga detyrat e tij mbretërore dhe u shpërngul në SHBA më 2020. Vendimi i tij për t’u larguar nga Britania u nxit pjesërisht për shkak të ngacmimeve që përjetoi nga tabloidet britanike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG