Ndërlidhjet

Presidentja e Tajvanit arrin në SHBA, Kina paralajmëron "pasoja serioze"


Një turmë e përkrahësve rrethojnë presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjatë arritjes së saj në Nju Jork. 29 mars 2023.
Një turmë e përkrahësve rrethojnë presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjatë arritjes së saj në Nju Jork. 29 mars 2023.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka arritur në Nju Jork të SHBA-së, mes kritikave nga Kina, e cila e ka paralajmëruar SHBA-së për pasoja serioze.

Tsai kaloi nëpër SHBA gjatë udhëtimit të saj për në Amerikën Qendrore. Transmetuesi publik britanik BBC raporton se ajo mund të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy, në udhëtimin e kthimit.

Kina ka dënuar çfarëdo takimi të tillë dhe thotë se nëse ai takim realizohet, mund të çojë në një “konfrontim serioz”.

Në përgjigje, SHBA-ja ka thënë se Pekini nuk duhet të reagojë në masë të tepërt ndaj udhëtimit të presidentes Tsai.

SHBA-ja shpreson të ketë një “transit normal dhe pa trazira”, tha të mërkurën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke vënë në dukje se ky është udhëtimi i shtatë i presidentes Tsai përmes SHBA-së gjatë kohës së saj si udhëheqëse e Tajvanit.

“Kjo është një dukuri e zakonshme... Presidentët e tjerë të Tajvanit kanë kaluar transit në SHBA. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Kjo do të jetë hera e 29-të që një president i Tajvanit – që nga presidenti i parë më 1994 – kalon transit nëpër SHBA.

Tsai arriti në Nju Jork të mërkurën, ku u përshëndet nga turma të protestuesve dhe përkrahësve jashtë hotelit të saj.

Ajo do të udhëtojë për në Guatemalë dhe Belize këtë javë, në një vizitë ku synohet përforcimi i aleancave me vendet e Amerikës Qendrore, përpara se të kthehet në Tajvan përmes Los Anxhelosit, ku mund të zhvillohet një takim me liderin e lartë politik amerikan, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Pas arritjes së saj në SHBA, i dërguari i lartë i Kinës në Uashington akuzoi SHBA-në se po avokonte për pavarësinë e Tajvanit duke lejuar Tsai-n të “bënte bujë” në SHBA.

“Pavarësisht nëse janë udhëheqësit e Tajvanit ata që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo liderët e SHBA-së që vizitojnë Tajvanin, [këto vizita] mund të çojnë në një tjetër konfrontim tejet serioz në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha Xu Xueyuan, një diplomate e Kinës në një konferencë për shtyp.

Duke lejuar kalimin e Tsai-t në SHBA, Uashingtoni “minon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, tha Xu.

“Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të mos luaj sërish me zjarr për çështjen e Tajvanit”, shtoi ajo.

Tsai planifikohet të kthehet në Taipei më 7 prill.

Tajvani e konsideron veten shtet sovran, ndërsa Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur që duhet t’i ribashkohet Kinës. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për ta arritur këtë qëllim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG