Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, i ka thënë Papa Françeskut se lufta me Kinën nuk ekziston “si mundësi”, dhe ka thënë se bisedimet konstruktive me Pekinin varen nga respektimi i demokracisë së ishullit.
Kina ka pretendime territoriale ndaj Tajvanit, ishull që vetëqeveriset, dhe deklaron se do ta rikthejë kontrollin e tij dikur, qoftë edhe përmes forcës.
Vatikani përbën qeverinë e fundit evropiane që ka lidhje diplomatike me Tajvanin, në vend të Pekinit, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe kombet tjera perëndimore mbajnë raporte joformale.
Tsai, në një letër nisur kreut të Selisë së Shenjtë, e ka shprehur mbështetjen e saj për pozicionin e Vatikanit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, për “politikat miqësore ndaj migrimit” dhe shëndetin publik.
“Ne identifikohemi me qëndrimet tuaja”, ka shkruar Tsai.
Tajvani dhe Kina janë ndarë më 1949 pas një lufte civile dhe nuk kanë marrëdhënie zyrtare, mirëpo i lidhin miliarda dollarë të tregtisë dhe investimeve.
Tsai i është referuar në letrën e saj edhe deklaratës së Papës, të bërë ditë më parë, se “virusi i luftës” duhet të shërohet.
“Lufta e armatosur nuk është absolutisht opsion”, ka shkruar Tsai.
Kina e ka rritur presionin ndaj Tajvanit, përfshirë lëshimin e raketave në det, pasi ish-udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi, dhe disa zyrtarë tjerë amerikanë, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Tajvan, në gusht të vitit të kaluar.
Ndërkohë, këtë ishull e kanë vizituar edhe zyrtarë të Britanisë dhe shteteve tjera perëndimore.