Ndërlidhjet

Çfarë gjuhe flet brusha e pikturës në Lepinë?


Shkolla e pikturës në afërsi të Prishtinës.
Shkolla e pikturës në afërsi të Prishtinës.

Gentonin, Millicën dhe Adilin nga fshati multietnik Lepinë, që gjendet në afërsi të Prishtinës, i ka bashkuar dashuria për artin dhe dëshira që një ditë të bëhen piktorë.

Ata janë nxënës fillestarë të një shkolle për pikturim, e cila, sipas mësuesit të pikturës, Bajram Mehmeti, gjithashtu mund të shërbejë si një shembull i bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Ky projekt është mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe po realizohet përmes organizatës joqeveritare "Gaia" nga Prishtina, me qëllim që fëmijë nën 16 vjeç, të cilët kanë talent, të mësojnë teknika të ndryshme të pikturës.

Pa probleme në komunikim

Sidoqoftë, kjo shkollë mori një karakter multietnik kur fëmijët nga komuniteti serb, shqiptar dhe rom shprehën dëshirën për ta ndjekur atë, thotë mësuesi Bajram Mehmeti, i cili i përket komunitetit rom.

Kështu, Genton Vllahiu 13- vjeçar, i cili vjen nga komuniteti shqiptar, u regjistrua me kënaqësi në shkollën e pikturës. Ai thotë se komunikimi nuk paraqet problem.

“Më pëlqen shumë dhe të gjithë kalojmë mirë. Flasim pak anglisht, pak shqip”, tha Gentoni, teksa po vizatonte portretin e një gruaje rome.

Fëmijët duke pikturuar në shkollën multietnike të pikturës.
Fëmijët duke pikturuar në shkollën multietnike të pikturës.

Në ditën kur Radio Evropa e Lirë e vizitoi këtë shkollë, fëmijët po punonin në dy tema – portrete dhe natyrë.

Millica Iliq është pothuajse pesë vjet më e re se Gentoni, por në të njëjtën mënyrë është e përkushtuar në pikturën para saj. Tani për tani, ajo kryesisht flet me miqtë në gjuhën e saj amtare serbe.

"Më pëlqen të vi këtu sepse kënaqemi", thotë ajo.

Adil Zeneli, nga komuniteti rom, është vetëm pesë vjeç, por ai tashmë e di se dëshiron të bëhet piktor.

"Më pëlqen këtu, është vërtet bukur dhe do të doja të isha piktor", thotë ai.

Mësuesi Bajram Mehmeti thotë se për një kohë të gjatë ka pasur dëshirë që njohuritë e tij të mund t’i transmetojë te brezat e rinj në fshatin ku ai jeton.

“Është shumë bukur që fëmijët rrinë bashkë. Ky është një aktivitet për fëmijët sepse ata tani nuk kanë aktivitete të tjera përveç shkollës”, shprehet Mehmeti duke shtuar se fëmijët mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit përmes punëtorive të tilla.

“Përmes pikturës mund të mësohet gjuha sepse ata (fëmijët) shoqërohen. Ka fëmijë që nuk dinë gjuhë të tjera përveç gjuhës amtare, por tani po mësojnë nga një fjalë. Fëmijët e shijojnë atë dhe mund ta shihni, ndonjëherë edhe kur nuk kemi orë, ata vijnë dhe pyesin se kur mund të vijnë”, shton ai.

Gentoni, Millica, Adili dhe shtatë bashkëmoshatarë të tjerë takohen me njëri-tjetrin katër herë në javë në shkollën e pikturës.

Disa prej tyre shoqërohen me njëri-tjetrin edhe jashtë këtij aktiviteti.

Senada Zeneli, nëna e Adilit, tregon se fëmijët janë njohur që më parë, duke pasur parasysh se të gjithë janë nga i njëjti vend dhe po rriten së bashku.

“Ata janë miq. Është Millica dhe Anxhella, të gjithë jetojnë në një lagje. Dhe Adili është shumë i lumtur kur shkon në orët e pikturës. Edhe kur vjen në shtëpi, merr ngjyra për të vizatuar. I pëlqen të vizatojë shumë”, thotë Senada.

Fëmijët që po ndjekin këtë punëtori të pikturës thonë se ndonëse nuk flasin gjuhën e njëjtë, nuk kanë fare problem që të komunikojnë mes vete.
Fëmijët që po ndjekin këtë punëtori të pikturës thonë se ndonëse nuk flasin gjuhën e njëjtë, nuk kanë fare problem që të komunikojnë mes vete.

Jasmina Illiq e ka regjistruar vajzën e saj Millicën në shkollën e pikturës sepse mendon se ka talent.

"Si prind, mendoj se fëmijët duhet të shoqërohen me fëmijë që janë nga komunitetet tjerë. Nuk ka aspak rëndësi se kush cilit komunitet i përket. E rëndësishme është që të jetë njeri i mirë”, thotë Jasmina.

Petar Gjorgjeviq, koordinatori i këtij projekti, shpreh kënaqësinë që nxënësit e shkollës janë fëmijë nga komunitete të ndryshme, kështu që ai ka marrë karakterin e multietnicitetit.

"Unë pres që t'i shoh këta fëmijë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pas disa vitesh, jo vetëm në fushën e pikturës, por edhe në sfera të tjera të jetës”, thotë Gjorgjeviq.

Kjo shkollë e pikturës do të zgjasë deri në fund të vitit dhe më pas, në përputhje me masat mbrojtëse për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të organizohet një ekspozitë me punimet e pjesëmarrësve të kësaj punëtorie.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG