Ndërlidhjet

Përshkallëzon mosmarrëveshja midis SHBA-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale


John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump.
John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump.

John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, kërcënoi të hënën se Uashingtoni do të vendosë sanksione kundër gjykatësve dhe prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale nëse ata nisin të hetojnë krimet e dyshuara të luftës, të kryera në Afganistan nga amerikanët.

“Do t’i ndalojmë gjykatësit dhe prokurorët (e Gjykatës Ndërkombëtare Penale) të hyjnë në SHBA. Do t’i sanksionojmë fondet e tyre në sistemin financiar të SHBA-së dhe do t’i persekutojmë ata në sistemin penal të SHBA-së. Do të bëjmë të njëjtën gjë me çdo kompani apo shtet që ndihmon hetimet e amerikanëve nga gjykata”, tha Bolton.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Bolton i bëri deklaratat pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale i tha Uashingtonit se është "në prag" të njoftimit të një vendimi për hetimet e mundshme në Afganistan.

“Po ua bëjmë me dije qëndrimin tonë përpara se ta marrin atë vendim”, tha Sanders.

Në fakt, vendimi i pritur do të autorizojë një hetim për mizoritë e pretenduara nga talibanët dhe forcat e Qeverisë afgane.

Por, ai mund të përfshijë edhe raste ku hetuesit amerikanë akuzohen për torturimin e të burgosurve në Afganistan dhe në “lokacione të zeza” në Poloni, Rumani dhe Lituani.

Bolton tha se administrata e Trumpit “do të përdorë çdo mjet të nevojshëm për t’i mbrojtur qytetarët tanë dhe ata të aleatëve nga persekutimi i padrejtë i kësaj gjykate të paligjshme”.

"Ky president nuk do të lejojë që qytetarët amerikanë të ndiqen penalisht nga burokratët e huaj dhe ai nuk do të lejojë që kombet e tjera t’i diktojnë mjetet tona të vetëmbrojtjes", tha Bolton.

Çfarë është saktësisht Gjykata Ndërkombëtare Penale?

Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucioni i parë i përhershëm gjyqësor në botë që pretendon juridiksionin për të ndjekur penalisht individët për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Ajo u krijua si një organizatë ndërqeveritare në Hagë, Holandë, në vitin 2002, në bazë të një traktati të njohur si Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Gjykata mbikëqyret nga një asamble e 123 vendeve që e kanë ratifikuar Statutin e Romës. Këto shtete anëtare përfshijnë gjithë Amerikën e Jugut, pothuajse gjithë Evropën, pjesën më të madhe të Oqeanisë dhe rreth gjysmën e Afrikës.

Tridhjetenjë vende e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës.

Katër prej këtyre shteteve nënshkruese - Shtetet e Bashkuara, Rusia, Izraeli dhe Sudani - i kanë njoftuar Kombet e Bashkuara se nuk synojnë më të bëhen palë pjesëmarrëse.

Dyzetenjë shtete anëtare të OKB-së nuk e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Ato përfshijnë Kinën dhe Indinë, të cilat janë shumë kritike ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Si është strukturuar Gjykata Ndërkombëtare Penale?

Gjykata Ndërkombëtare Penale përbëhet nga katër degë - presidenca, sektori gjyqësor, prokurori dhe regjistri.

Tre gjyqtarë formojnë presidencën e gjykatës, e cila është përgjegjëse për administratën e saj.

Secili anëtar i presidencës zgjidhet nga gjyqtarët e gjykatës për një maksimum prej dy mandatesh - secili prej tyre zgjat tre vjet.

Sektori gjyqësor ka 18 gjyqtarë që ulen në tri dhomat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale: një dhomë e procedurës paraprake, një gjykatë gjyqësore dhe një gjykatë apeli.

Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale heton rastet e referuara nga shtetet, nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga gjyqtarët në dhomën e procedurës paraprake.

Në rastet që arrijnë në gjykim, ajo gjithashtu zhvillon procedurat ligjore kundër të pandehurve.

Regjistri është përgjegjës për çështje jogjyqësore, siç janë: ndihma juridike, menaxhimi i gjykatave, dëshmitarët dhe viktimat, njësia e paraburgimit dhe shërbimet tradicionale të administratës.

Cila është historia e kundërshtimit të Uashingtonit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale?

Shtetet e Bashkuara kurrë nuk i janë bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe vazhdimisht kanë kundërshtuar fuqizimin e një gjykate ndërkombëtare që do të mund të gjykojë udhëheqës ushtarakë dhe politikë amerikanë në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Kjo, kryesisht për shkak të shqetësimeve se ushtarët amerikanë dhe udhëheqësit civilë mund të vihen në gjyq, pa mbrojtjen kushtetuese të SHBA-së, nga një prokuror anti-amerikan në një gjykatë me gjyqtarë joamerikanë.

Trupat amerikan në Afganistan
Trupat amerikan në Afganistan

Në vend të kësaj, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ndiqen penalisht në gjykatat e SHBA-së, sipas Aktit të Krimeve të Luftës të vitit 1996 - një ligj që vlen nëse viktima ose kryerësi i një krimi të dyshuar të luftës është shtetas i SHBA-së ose një anëtar i ushtrisë amerikane.

Administrata e presidentit amerikan, George W. Bush, në mënyrë aktive ka bërë përpjekje që të mos lejojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale të ketë juridiksion mbi Shtetet e Bashkuara apo qytetarët e tyre.

Ajo e ka bërë këtë duke negociuar marrëveshje dypalëshe me rreth 100 vende të tjera, për të siguruar që qytetarët e SHBA-së do të kenë imunitet nga ndjekja penale nga Gjykata Ndërkombëtare.

Administrata e presidentit Barack Obama është angazhuar me gjykatën, duke marrë pjesë në organet qeverisëse të saj dhe duke ofruar mbështetje për persekutimet në vazhdim.

Përse mosmarrëveshjet SHBA-Gjykatë janë përshkallëzuar papritmas?

Kërcënimi i Boltonit për t’i sanksionuar gjykatësit dhe prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale vjen pak ditë përpara një vendimi të pritur nga gjykata, nëse prokurorët e saj duhet të nisin hetime formale për krimet e mundshme të luftës në Afganistan, gjatë 15vjetëve të kaluar, e që potencialisht mund të përfshijnë edhe amerikanë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka thënë në vitin 2016 se pjesëtarët e ushtrisë amerikane dhe të CIA-s mund të kenë kryer krime lufte duke i torturuar të burgosurit në Afganistan.

Në nëntor të vitit 2017, prokurorja e gjykatës, Fatou Bensouda, ka thënë se do të kërkojë autorizim nga gjyqtarët e gjykatës për hetime të situatës në Afganistan.

Pasi Afganistani është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjykata mund të kërkojë juridiksion mbi çdo krim lufte, gjenocid ose krim kundër njerëzimit të kryer në Afganistan, pas 1 majit, 2003.

Por, qeveria në Kabul nuk ka kërkuar një hetim të tillë, e as Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Kjo do të thotë se mënyra e vetme për realizimin e një hetimi formal është që prokurori i gjykatës të marrë autorizim nga dhoma e procedurës paraprake e gjykatës.

Bolton tha se administrata Trump e kundërshton idenë që Gjykata Ndërkombëtare Penale të ketë autoritet më të lartë se Kushtetuta e SHBA-së dhe sovraniteti i SHBA-së.

Bolton u zotua gjithashtu se Uashingtoni "nuk do të bashkëpunojë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale”.

"Ne nuk do të ofrojmë asnjë ndihmë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Do të lejojmë që gjykata të vdesë vetë. Në fund të fundit, për të gjitha synimet dhe qëllimet e saj, ajo tashmë është e vdekur për ne", tha Bolton.

Pas komenteve të Boltonit, zëdhënësi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Fadi El Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë ky institucion "si një gjykatë e ligjit, do të vazhdojë të kryejë punën pa u penguar, si institucion i pavarur dhe i paanshëm i mbështetur nga 123 shtete".

Abdallah tha se këto 123 vende "besojnë se gjykata është e rëndësishme për të siguruar përgjegjësi për krimet që tronditin vetëdijen e njerëzimit”.

Çfarë është rezultati i pritur i një hetimi të Gjykatës Ndërkombëtare Penale?

Alex Whiting, profesor i Shkollës së Ligjit në Harvard, i cili ka punuar në zyrën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale më 2010-13, thotë se kjo gjykatë ka "kompetenca jashtëzakonisht të kufizuara hetimore dhe është pothuajse tërësisht e varur nga bashkëpunimi" i shteteve anëtare për mbledhjen e informacioneve.

Në blogun e tij “Vetëm siguri”, Whiting thotë se hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale “nuk do të kenë bashkëpunim nga Qeveria afgane, talibanët apo Shtetet e Bashkuara”.

Whiting gjithashtu vë në dukje se Akti Amerikan për Mbrojtjen e Shërbyesve i ndalon zyrtarët e SHBA-së të bashkëpunojnë vullnetarisht.

Ai thotë se nëse hetimi në Afganistan miratohet nga dhoma e procedurës paraprake, "pret që hetimi të zgjasë me vite”, ndërsa rezultatet të jenë “shumë të pasigurta".

Whiting parasheh që mosmarrëveshja aktuale SHBA-Gjykatë të rezultojë me dobësimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

“Rreziku është që presioni amerikan për t’i dhënë fund gjykatës ose për të kufizuar aktivitetet e saj, mund të ketë pasoja të vërteta këtë herë, duke bërë që edhe miqtë e gjykatës të dëshirojnë të sakrifikojnë institucionin për t'u përqendruar në qëllime të tjera", thotë Whiting.

Ai shton se kthimi i administratës Trump kundër trashëgimisë së mbështetjes së institucioneve për "arritjen e përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare" ka gjasa të vazhdojë "për shumë vite të ardhshme".

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG