Ndërlidhjet

Përshkallëzohen tensionet mes Indisë dhe Pakistanit


India thotë se ka ndërmarrë sulme ajrore kundër militantëve në territorin e Pakistanit, duke shënuar eskalimin më të madh të tensioneve ndërmjet dy vendeve që posedojnë armë bërthamore.

Zyrtarët e lartë indianë tha se sulmet kanë shënjestruar kampet e trajnimit të grupit militant “Jaish-e-Mohammad”.

Pakistani tha se si kundërpërgjigje ka ngritur në ajër aeroplanët luftarakë, raporton BBC.

Sekretari i Jashtëm indian, Vijay Gokhale, deklaroi se sulmet lanë të vrarë një numër të madh të militantëve, përfshirë komandantë, mirëpo kishin shmangur viktimat civile.

“Raportet kredibile të intelegjencës thanë se grupi militant po planifikonte sulme tjera vetëvrasëse në Indi. Përballë një rreziku sulmet e menjëhershme parandaluese ishin shumë të nevojshme” tha sekretari Gokhale.

Zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit, gjeneral major Asif Ghafoor, tha se sulmet nga ana e Indisë nuk kanë shkaktuar viktima. Ai shkroi në Twitter se avionët indianë u detyruan të bënin një "tërheqje të nxituar" dhe lëshuan ngarkesën e tyre në një zonë të hapur.

Incidenti i fundit mes dy vendeve pason atë të 14 shkurtit, kur militantët më bazë në Pakistan kryen një sulm vetëvrasës ndaj një konvoji në rajonin e Kashmirit të administruar nga India. Sulmi la të vdekur mbi 40 ushtarë të Indisë.

India e akuzoi Pakistanin se ka ndërlidhje të drejtëpërdrejtë me sulmin përderisa e bëri përgjegjës për përkahjen që i bën grupit militant.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, kishte paralajmëruar grupin terrorist për pasoja të rënda.

“Dua t’iu them organizatave terroriste dhe mbështetësve të tyre, se kanë bërë një gabim të madh. Ata do të duhet të paguajnë një çmim të lartë për këtë. E siguroj popullin indian se fajtorët e këtij sulmi, përfundimisht do të marrin dënimin për këto veprime”, kishte thënë Modi.

Në anën tjetër, zyrtarë pakistanezë thanë se sulmi përbën një “shqetësim të thellë”, por kundërshtuan akuzat për lidhje më sulmuesit vetëvrasës.

“Kundërshtojmë ashpër çdo insinuatë nga elemente të Qeverisë indiane dhe qarqet mediale, të cilat pa u zhvilluar një hetim e ndërlidhin sulmin me shtetin e Pakistanit”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, lëshuan një deklaratë, ku i bën thirrje Pakistanit “t’i japë fund menjëherë ndihmës dhe strehimit të të gjitha grupeve terroriste që veprojnë në territorin e saj”.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në rajon gjatë disa dekadave.

India dhe Pakistani kanë pretendime ndaj rajonit të Kashmirit që nga viti 1947 si dhe kanë zhvilluar dy lufta për këtë rajon.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG