Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, duhet pranuar me kujdes.
Kështu vlerësojnë Mentor Vrajolli, njohës i çështjeve të sigurisë në Kosovë dhe Ognjen Gogiq, politolog serb nga Beogradi.
Megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme nëse zhvillimet në veri të Kosovës mund të shndërrohen në konflikt rajonal.
Përfaqësuesit e disa partive politike opozitare në Kosovë, shprehin mendimin se veprimet, për të cilat kanë shprehur shqetësime emisarët perëndimorë, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, duhet të shmangen, së paku nga Qeveria e Kosovës.
Për të gjetur një zgjidhje për daljen nga kriza aktuale, BE-ja ka thirrur një takim urgjent të enjten. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar ftesën, por mbetet e paqartë nëse në Bruksel do të ketë një takim trepalësh.
Kurti ka thënë se do të bisedojë për shtensionimin e situatës në veri, ndërkaq Vuçiqi ka deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin kosovar, por vetëm me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Gjatë një debati të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, më 20 qershor, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur shqetësimin se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.
Në të njëjtin debat, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka theksuar se “nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], atëherë ne po presim që të kemi viktima”.
Po atë ditë, Kurti ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës “është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës”.
Në veriun e banuar me shumicë serbe, tensionet janë rritur qysh në fund të majit. Serbët po kundërshtojnë hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, kur serbët në Zveçan që u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të lënduar pati nga të dyja palët.
Protestat e tilla, ndonëse me intensitet më të ulët, po vazhdojnë ende.
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.
Vrajolli: Rreziku nga efekti domino është real
Shtëpia e Bardhë në Uashington, ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vendosur që emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, e cila ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001, ta vazhdojë të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe situata aktuale në rajon, “paraqesin kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme”.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thotë për Radion Evropa e Lirë se që para dhe pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Serbia ka pasur elementët e saj të përfshirë në vendet e rajonit, të cilët kanë potencial për destabilizim.
Ndërkaq, veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, kanë krijuar parakushte që këta elementë të veprojnë drejt destabilizimit atje.
“Rreziku që një konflikt të ketë një efekt domino edhe në vendet tjera të rajonit, është i madh, është real. Për këtë arsye mendoj se, për aq sa munden [palët] të tregojnë vullnetin e mirë që të marrin hapin fillestar për të shtensionuar situatën. Por, mendoj që komuniteti ndërkombëtar kësaj here duhet të jetë i vendosur. Rikthimi i konfliktit është gjithmonë i mundshëm në qoftë se hapat merren vetëm për de-përshkallëzim të situatës dhe jo edhe për përmirësim të gjendjes në terren”, thotë Vrajolli.
Gogiq: Gjendja dramatike, por jo për krizë rajonale
Politologu Ognjen Gogiq nga Beogradi vlerëson se deklaratat e Ecobarit dhe Lajçakut në debatin e Këshillit Atlantik, tregojnë se ata nuk kanë instrumente të mjaftueshme për menaxhimin e krizës dhe për të ndikuar te palët.
Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, deklaratat e tyre janë “thirrje për ndihmë” në Uashington.
“Sa i përket rrëfimit për konflikt rajonal, për këtë nuk ka indikacione. Ajo që mund të ndodhë është që mund të ketë konflikt vetëm në veri të Kosovës. Madje, edhe përfshirja e Serbisë me ushtri është pak e besueshme. Por, nuk mund të bëhet fjalë se e gjithë kjo mund të bartet në Mal të Zi apo në Bosnjë e Hercegovinë. Gjendja në terren është vërtet dramatike, por nuk bëhet fjalë për krizë rajonale”, thotë Gogiq.
Ai shton se bazuar në zhvillimet që nga 26 maji i sivjetmë, por edhe trazirat e vitit të kaluar në veri të Kosovës, incidentet e dhunshme atje janë të pritshme. Por, ai nuk beson se mund të arrihet në situatën kur Serbia do të intervenonte ushtarakisht, sepse kjo do të nënkuptonte konfrontim të saj me NATO-n.
Siç thotë Gogiq, nëse kjo do të ndodhte, “konflikti do të lokalizohej, sepse në Kosovë është KFOR-i, i cili deri më tash ka qenë i përmbajtur, por mund të aplikojë dhunën e adekuate” në rast se kjo do të jetë e domosdoshme.
“Kosova të reflektojë” dhe t'i shmangë “aventurat”
Deklaratat e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë që shprehin shqetësimin për një konflikt të mundshëm rajonal, me pikënisje në veri të Kosovës, janë mjaft serioze, vlerësojnë përfaqësuesit e partive opozitare të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, anëtar i Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kontekstin e zhvillimeve gjeostrategjike dhe të pushtimit rus në Ukrainë, Rusisë i nevojitet një vatër krize ose konflikti në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, në rast se veprimet e Qeverisë së Kosovës pretendohet se mund të jenë shkak për nxitjen e një konflikti të tillë, atëherë ajo duhet të jetë e kujdesshme dhe e koordinuar me partnerët perëndimorë.
“Çdo veprim i yni, që çon në drejtim të një konflikti në rajon, atëherë është në shërbim të interesit gjeostrategjik rus dhe është ndesh me interesin gjeostrategjik të NATO-s dhe aleates sonë, SHBA-së. Prandaj, mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë dhe të bashkërenditë qëndrimet dhe veprimet me partnerët ndërkombëtarë”, thotë Berisha.
Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, aktualisht anëtar i Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se incidentet në veri të Kosovës, mund të jenë fakte që mbështesin paralajmërimet e emisarëve amerikanë dhe evropianë.
Megjithatë, ai nuk pret ndonjë ndërhyrje ushtarake konvencionale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, për shkak të pranisë së KFOR-it. Ai nuk përjashton futjen e elementëve të caktuar nga atje, për ta destabilizuar veriun, deri te përplasjet me policinë vendore dhe pjesëtarët e KFORI-it. Të gjitha këto, sipas tij, sfidojnë vendimet e Qeverisë e Kosovës lidhur me menaxhimin e situatës në veri, por edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Prandaj, gjithnjë sugjerohet që këto veprime [të Qeverisë së Kosovës] të ndërmerren në bashkëveprim dhe koordinim të mirë me partnerët tanë. Është, vërtet, aventurë nëse bëjmë çfarëdo përpjekje dhe nuk e kemi mbështetjen e partnerëve tanë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.
Konflikti mund të shmanget “deri në episodin tjetër”
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur kryeministrit Kurti tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga Serbia që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake dhe të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri. Së fundmi, është kërkuar edhe lirimi i pakusht i tre policëve të Kosovës, për të cilët autoritetet serbe pretendojnë se janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë, ndërkaq Prishtina zyrtare pretendon se ata janë rrëmbyer në territorin e Kosovës.
Megjithatë, mbetet pikëpyetje nëse palët do të gjejnë rrugën drejt daljes nga kriza.
Mentor Vrajolli konsideron se pala e Kosovës, aktualisht, është më e ngurtë në kërkesat e saj. Sipas tij, sundimi i ligjit në veri të Kosovës, të cilin e synon Qeveria e Kosovës, është një formë e zgjidhjes së problemeve. Por, siç thotë ai, “sundimi i ligjit nuk duhet të manifestohet edhe si shfaqje e fuqisë”.
Megjithatë, shmangia nga një konflikt i drejtpërdrejtë me Serbinë, sipas Vrajollit, nuk varet krejtësisht nga Kosova.
“Potenciali - se a do të ketë konflikt ose jo - mendoj se kryesisht varet nga ajo se sa ushtrohet presion në Beograd që të mos ketë konflikt. Mendoj se për pjesën veriore, nuk është se vendos Kosova se a do të ketë ose jo konflikt. Në pjesën veriore, në njëfarë forme vendos Beogradi, përmes strukturave të saj. Kjo për shkak se këto struktura aktuale që janë në veri, kanë potencial që të shkaktojnë konflikt dhe ato kryesisht, janë në listën e pagave të Beogradit zyrtar”, thekson Vrajolli.
Politologu Gogiq, vlerëson se bazuar në praktikat e krizave të mëhershme në veri të Kosovës, konflikti është shmangur në momentin e fundit. Kjo, siç thotë ai, është e mundshme sërish.
Sipas tij, Kurti tashmë ka dërguar sinjale se do t’i tërheqë forcat speciale të policisë proporcionalisht me largimin e elementëve kriminalë nga veriu i Kosovës, si dhe ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve atje.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Ndërkaq, ai shpreh mendimin se edhe presidenti Vuçiq, i cili është lutur nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, që t'i lirojë tre policët kosovarë, mund ta bëjë këtë.
Por, dalja nga kriza aktuale, siç thotë ai, nuk nënkupton se janë zgjidhur problemet.
“Kjo nuk nënkupton stabilitet afatgjatë. Kjo do të thoshte se vetëm ka përfunduar ky episod dhe tash e presim të ardhshmin. Besoj që do të arrijmë deri te de-përshkallëzimi në periudhën e ardhshme, por jo edhe deri te zgjidhja”, thekson Gogiq.
BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të dështimit për ndërmarrjen e hapave për uljen e tensioneve, duke theksuar se mund të ketë edhe masa të tjera.