Ndërlidhjet

Përmendorja shqiptare, “gisht në sy” disave


Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar, Dedë Gjo Luli në Tuz të Malit të Zi.
Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar, Dedë Gjo Luli në Tuz të Malit të Zi.

A po ashpërsohet retorika nacionaliste ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe përfaqësuesve të tyre politikë?

Kjo pyetje po shtrohet pasi në Tuz, pranë Podgoricës, ditë më parë është ngritur përmendorja e heroit kombëtar shqiptar, Dedë Gjo Luli, përpara shtëpisë ku ai ka jetuar.

Kjo është përmendorja e dytë e kësaj figure historike, pas asaj që është ngritur kohë më parë në qendër të qytetit të Tuzit.

Ndaj saj ka reaguar ashpër Fronti Demokratik, parti opozitare në Mal të Zi, pro-serbe, e cila, tash e sa muaj, propagandon tezën se po bëhen përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe se autoritetet në Podgoricë po e tolerojnë atë.

Në këtë parti pretendojnë se bëhet fjalë për një person që ka luftuar kundër ushtrisë malazeze dhe ka qenë kundër asaj që Plava dhe Gucia t’i përkasin Malit të Zi, i cili në Kongresin e Berlinit, më 1878, është njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur.

Përmendorja e Dedë Gji Lulit në qendër të qytetit të Tuzit.
Përmendorja e Dedë Gji Lulit në qendër të qytetit të Tuzit.

Në komunikatën e Frontit Demokratik thuhet se kjo tregon për “pretendimet gjithnjë e më të hapura të shovinistëve shqiptarë ndaj pjesëve të territorit malazez, në drejtim të krijimit të Shqipërisë së Madhe”.

Po sipas kësaj komunikate, autoritetet malazeze e lejojnë këtë për t’iu kthyer, siç thuhet, borxhin shqiptarëve që kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi më 2006.

Nikollë Camaj, nga partia shqiptare Lidhja Demokratike, thotë se Dedë Gjo Luli nuk është figurë e diskutueshme, porse, sipas tij, kurdo që shqiptarët në Mal të Zi festojnë diçka, “ajo, për fat të keq, vazhdon t’iu pengojë botëkuptimeve serbomadhe”.

Sipas Camajt, edhe malazezët kanë arsye për të festuar për Dedë Gjo Lulin.

“Dedë Gjo Luli është një patriot dhe nacionalist shqiptar... Ai ka bërë përpjekje t’i çlirojë territoret shqiptare nga turqit. Kjo ka qenë e pritshme nga njerëzit e formatit të tillë në atë kohë. Shikuar nga këndi i realitetit të sotëm, pjesa që Dedë Gjo Luli dhe bashkëluftëtarët e tij e kanë çliruar nga turqit, i takon Malit të Zi”.

“Historikisht, ato janë territore që kurrë më parë nuk i kanë takuar Malit të Zi. Dhe, do të ishte e pritshme që edhe Mali i Zi të festonte, sepse Dedë Gjo Luli ka çliruar territore që sot i përkasin këtij shteti”, thotë Camaj.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, nuk iu përgjigj thirrjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për të komentuar reagimet e ashpra ndaj zbulimit të përmendores së re të Dedë Gjo Lulit.

Historiani Sherbo Rastoder thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha figurat historike janë të diskutueshme dhe se u nënshtrohen interpretimeve të mëvonshme historike.

Sipas Rastoderit, kur bëhet fjalë për Dedë Gjo Lulin, i padiskutueshëm është fakti se ai ka qenë një nga të parët e Kryengritjes së Malësisë më 1911 (pjesë e Malit të Zi, e banuar me shqiptarë).

“Ka qenë një kryengritje, në bashkëpunim me shtetin malazez, kundër Perandorisë Osmane. Në këtë kuptim, Dedë Gjo Luli do të duhej të vlerësohej në Mal të Zi si figurë e patriotizmit shtetëror dhe kombëtar”.

“Në anën tjetër, ai ka qenë njëri nga ata që e kanë kundërshtuar dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë te Mali i Zi. Dhe, në këtë kontekst, si zgjidhje kompromisi që kanë gjetur atëbotë fuqitë e mëdha, Malit të Zi i është dhënë Ulqini”, shpjegon Rastoder.

Nikollë Cemaj konsideron se Fronti Demokratik dhe deklaratat e tij të fundit për përmendoren e re, i rrisin tensionet kombëtare në Mal të Zi, gjë që, sipas tij, shkon në favor të partisë në pushtet.

"…sepse i lë shqiptarët pa zgjidhje tjetër përveçse të mbështesin njerëzit që sot janë në pushtet. Mendoj se me këtë, Fronti Demokratik i bën favor të madh Partisë Demokratike të Socialistëve (në pushtet)”, thotë Camaj.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG