Ndërlidhjet

Si do të përfitonte Irani nga eksportimi i raketave balistike në Rusi?


Raketat balistike iraniane, Fath-360.
Raketat balistike iraniane, Fath-360.

Së voni u raportua se Irani po përgatitet të eksportojë në Rusi raketa balistike me rreze të shkurtra veprimi, Fath-360 dhe Ababil (CRBM), dhe se ka filluar trajnimin e pjesëtarëve ushtarakë rusë për përdorimin e raketave Fath-360.

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas nuk i kanë konfirmuar këto raportime, ndërsa Irani vazhdon ta mohojë se e ka armatosur, apo se synon ta armatosë Rusinë.

Analistët, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë (REL), nuk ishin të sigurt për raportimet e fundit, por shtuan se, nëse konfirmohen ato, për Rusinë do të jenë ndihmë e mirëseardhur, ndërsa për Iranin përfitim dhe grackë.

Aleatët u shqetësuan se pas përdorimit të raketave balistike të Koresë së Veriut, Moska do t’i drejtohej edhe Iranit për t’i mbushur rezervat e veta.

“Megjithatë, kërkesat e mëdha në fushëbetejë mund t’ia kenë tkurrur Koresë së Veriut kapacitetet për furnizim”, tha për REL-in Nicole Grajewski, hulumtuese në programin për politika të paqes bërthamore në Carnegie.

Ajo tha se ka mundësi që Moska po i kërkon raketat balistike iraniane si strategji për ta “zvogëluar varësinë ndaj Koresë së Veriut”, gjë që do t’ia mundësonte Rusisë t’i shtyjë Penianin dhe Teheranin në garojnë mes vete dhe “Rusia mbase t’i rrisë në maksimum përfitimet e veta strategjike”.

Vizita në Teheran më 6 gusht e sekretarit të Këshillimit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu – i cili më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes i Rusisë – ka nxitur thashethemet se Moska po kërkon të marrë raketa nga Irani.

Nga dronët te raketat

Prej muajve të parë të luftës në Ukrainë, dyshohet se Rusia ka përdorur dronët Shahed dhe Mohajer-6 të prodhuar nga Irani, shumë prej të cilëve janë gjetur pasi u rrëzuan në qytetet dhe fushëbetejat ukrainase.

Irani fillimisht e kishte mohuar se po e armatoste Rusinë, para se të dorëzohej dhe të pranonte se kishte furnizuar "një numër të kufizuar dronësh" në Moskë përpara luftës.

Më gjithë dëshmitë e mëdha, Teherani vazhdon të mohojë se dronët e tij po përdoren nga Rusia kundër Ukrainës. Kjo nuk i ka ndaluar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të vendosin sanksione ndaj Iranit për mbështetjen e Moskës.

Grajewski tha se dronët iranianë “kanë përparësi ndaj atyre rusë sa i përket teknologjisë, prodhimit dhe përdorimit operacional”.

Por, kur bëhet fjalë për raketat balistike, “në pyetje është sasia, jo cilësia”.

Përveç rritjes së reputacionit që do t’ia sillte furnizimi me raketa balistike për Rusinë, Irani do të fitonte gjithashtu njohuri të rëndësishme për mënyrën se si Fath-360 dhe Ababil performojnë në betejë.

Për më tepër, tha Grejewski se "përdorimi operacional dhe çdo modifikim rus do të ndihmonte potencialisht Iranin në disa fusha ku ka mungesë të raketave të saj".

Më parë u raportua se Rusia synonte raketat balistike me rreze të shkurtra veprimi, Fateh-10 dhe Zolfaqar. Por, Irani do ta shkelte pragun e gamës dhe ngarkesës së regjimit të kontrollit të teknologjisë së raketave (MTCR), nëse i eksporton ato në Rusi, tha Behnam Ben Taleblu nga Qendra për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.

Megjithatë, raketat Fath-360 dhe Ababil nuk e kalojnë pragun prej 300 kilometrave dhe 500 kilogramëve të MTCR-së.

“Sidoqoftë, kjo nuk nënkupton që [CRBM) duhet të injorohen, sepse ato e ndihmojnë Rusinë t’i ruajë raketat e veta me rreze të gjata veprimi dhe janë shenjë shtesë e thellimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Iranit”, tha Taleblu.

Të rrezikosh për ta rritur partneritetin

Edhe nëse s’e shkel rregulloren e MTCR-së, Irani prapëseprapë do ta zemërojë Perëndimin nëse i dërgon raketa balistike Rusisë.

Masat kufizuese të OKB-së ndaj Iranit për eksportin dhe importin e raketave skadoi në tetor 2023, por Shtetet e Bashkuara dhe E3 (Britania, Franca dhe Gjermania), si dhe BE-ja i zgjatën sanksionet kundër Iranit për raketat balistike.

“E3 ishte e vendosur në paralajmërimet ndaj Iranit”, tha Grajewski. “Furnizimi i Rusisë me raketa balistike iraniane do ta ndërlikonte çdo zgjidhje për programin bërthamor të Iranit”.

Bisedimet për rikthimin e marrëveshjes bërthamore kanë ngecur dhe marrëveshja është e paraparë të skadojë në tetor 2025, prandaj Irani mund të jetë duke synuar t’i forcojë marrëdhëniet me Rusinë në rast se shpresat për ringjalljen e marrëveshjes shuhen.

Irani mori pjesë në parakalimin vjetor të ushtrisë ruse, që u mbajt në Moskë më 12-14 gusht, dhe shfaqi disa nga teknologjitë e tij më të fundit ushtarake, duke përfshirë dronin Mohajer-10 - versioni i përditësuar i Mohajer-6 - që Rusia e ka përdorur në Ukrainë.

Por, Grajewski argumentoi se më e dukshme ishte prania në Moskë e gjeneralit Ali Shadmani, një zëvendëskomandantit të Shtabit Qendror të Khatam al-Anbiya, që është përgjegjës për komandën operacionale të Forcave të Armatosura të Iranit.

Taleblu tha se Irani kishte pranuar gjëra të ndryshme për ta armatosur Rusinë me dronë, duke përfshirë para dhe ar, dhe pohoi se “se ka gjasa që bashkëpunimi i tillë të thellohet".

“Irani synon të bëhet partner i lartë i Rusisë, që është një arsye pse bashkëpunimi i armëve mes të dyve për Ukrainën nuk ka gjasa të ndahet”, shtoi ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG