Ndërlidhjet

Përçarje në Qeverinë e Zaevit


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në mbledhjen e kabinetit të tij qeverisës, foto nga arkivi
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në mbledhjen e kabinetit të tij qeverisës, foto nga arkivi

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se Maqedonia gjendet para një sfide të madhe si shtet, atë të zhbllokimit të procesit të integrimit në Aleancën Veri-Atlantike dhe Bashkimin Evropian dhe nuk ka fare vend që partnerët e koalicionit qeverisës të sfidojnë politikisht njëri-tjetrin.

Këto komente vijnë pas paralajmërimit të liderët të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela se do të largohet nga Qeveria menjëherë pasi të kalojë Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet të votohet në Kuvend në muajin janar.

Sela është shprehur se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka shkelur marrëveshjen për formimin e Qeverisë reformatore, duke ia marrë pa të drejtë, partisë së tij, Ministrinë e Shëndetësisë.

Për Qeverinë e Zaevit, Sela ka thënë se është një “lavatriçe” për pastrimin e aferave korruptive të partnerëve të koalicionit.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, para votimit të ministrit të shëndetësisë nga radhët e socialdemokratëve, Venko Filipce tha se për Aleancën për Shqiptarët akoma është e hapur oferta për zëvendëskryeministër për zbatimin e reformave.

Pavarësisht paralajmërimit se do të largohet nga Qeveria, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Sela është shprehur se nuk do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Madje, ai ka thënë se do të mbështesë ligjet që kanë të bëjnë me reformat e kërkuara nga faktori ndërkombëtar.

“2018-ta është vit shumë i rëndësishëm për Maqedoninë, që të debllokohen proceset euro-integruese dhe Maqedonia sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s. Ne do të flakim interesin tonë partiak, që është zgjedhje sa më shpejtë me qëllim që të përballemi me Bashkimin Demokratik për Integrim”, ka thënë Sela.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë për Radion Evropa e Lirë thotë se është e pakontestueshme fakti se Qeveria e Zaevit edhe pa Aleancën për Shqiptarët ka shumicën, por në këtë drejtim nuk duhet anashkaluar porositë e faktorit ndërkombëtar, të cilat janë mëse të qarta, se të gjithë akterët politikë duhet të demonstrojnë përgjegjësi ndaj detyrimeve të përcaktuara qartë nga faktori ndërkombëtar.

“Mendoj se edhe kërkesa e të gjithë qytetarëve është që ata (liderët e partive politike) t’i harmonizojnë qëndrimet. Besimin e qytetarëve e kanë marrë në saje të premtimit për t’i realizuar reformat, zotimin se do të çlirojnë shtetin e kapur, si dhe synimin për të debllokuar procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Tash të gjitha palët përfshi këtu dhe faktorin ndërkombëtar inkurajojnë përfaqësuesit politikë që të gjejnë kompromis”, thotë Musliu.

Ndërkaq, ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Tito Petkovski konsideron se përplasjet në mes partnerëve të koalicionit qeveritar, shkaktojnë një klimë të keqe kundrejt listës së detyrimeve që ka marrë Maqedonia si detyrim në formë të precizuar për t’i realizuar në një afat të caktuar.

“E gjithë kjo kontribuon në krijimin e një klime të keqe politike në shtet, nëse mund të shprehem ashtu, para se të realizohen ata hapat kyç për të cilat Qeveria publikisht është zotuar në planin ndërkombëtar si obligime për vitin e ardhshëm”, nënvizon Petkovski.

Ndryshe, dikasteri i shëndetësisë së Maqedonisë për më shumë se dy muaj ishte i zbrazët, pas dorëheqjes së ministrit të atëhershëm të shëndetësisë Aben Taravari, i cili dha dorëheqje pasi u fut në garë zgjedhore për Komunën e Gostivarit, ku arriti të marr besimin e qytetarëve në këtë komunë.

Aleanca për Shqiptarët mbetej në qëndrimin se ky dikaster i takon kësaj partie, përderisa Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se menaxhimin e këtij dikasteri ia kishte dhënë Aleancës, për shkak të kandidatit të ofruar atëkohë, Arben Taravarit.

Votat e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët ishin vendimtare për formimin e Qeverisë nga Zoran Zaev,por rrethanat ndryshuan pasi dy deputetë që shin pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, kaluan si deputetë të pavarur, duke u deklaruar se do mbështesin Qeverinë reformatore të Zaevit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG