Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të dielën seancën solemne për 10- vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit. Seanca ka nisur me intonimin e himnit të Kosovës.
Në seancë, përveç deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, kanë qenë të pranishëm mysafirë të shumtë, përfaqësues nga vendet mike dhe diplomatë nga bota.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se kanë qenë të paktë ata që 20 vjet më parë kanë besuar që Kosova do ta fitonte lirinë, dhe po ashtu kanë qenë të paktë edhe ata që 10 vjet më parë kanë menduar se Kosova mund ta bënte shtetin.
“Shumë ngjarje kanë mbushur harkun kohor të këtyre dy dekadave. Duket sikur shekujt janë mbledhur brenda tyre. Për vrojtuesit e historisë, të arriturat janë shumë të mëdha. Dikush do të mund të thoshte të paimagjinueshme. Kemi ndërtuar një shtet demokratik, funksional, efektiv. Kosova sot është shtëpi e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se orientimi i sotëm i Kosovës është autokton, perëndimor dhe synon integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, raporte të ngushta e të përhershme me SHBA dhe aleanca me shtetet e botës së lirë.
Veseli ka theksuar se dekada e dytë e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Siç ka thënë ai, dashuria dhe krenaria për vendin nuk burojnë vetëm nga përvoja e së kaluarës, por mbi të gjitha nga besimi se vendi krijon kushte për jetë dinjitoze të qytetarëve të tij. Për t’u arritur ky qëllim, ka thënë Veseli, “duhet një kthesë e madhe në qasjen dhe sjelljen politike” të vetë politikanëve.
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar kongresisti amerikan, Eliot Engel.
Ai ka theksuar se janë bërë mjaft përpjekje për të arritur deri te pavarësia e Kosovës, 10 vjet më parë. Një dekadë pas asaj ngjarjeje, ka thënë senatori Engel, kanë mbetur edhe mjaft gjëra për t’u bërë.
“Nëse e shihni se ku ka qenë ky vend dhe ku po shkon, sa ka arritur, unë them urime ditëlindjen Kosovë, sepse keni bërë një ditëlindje të mrekullueshme. Mund t’ju them se askund në botë nuk ka njerëz më miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara se sa këtu në Kosovë. Prandaj edhe ju falënderoj".
"Përderisa shoh kah 10 vjeçari i ardhshëm, dëshiroj që Kosova të jetë e njohur nga të gjitha kombet në botë. Dëshiroj ta shoh Kosovën në BE, dëshiroj ta shoh Kosovën në NATO dhe dëshiroj ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara. Është me rëndësi që njerëzit ta kuptojnë se kjo është gjëja e duhur për t'u bërë”, ka thënë Engel.
Ai ka shtuar se Kosova duhet ta ketë një armatë shumetnike, “e cila do të jetë krah për krah me amerikanët për ta ndihmuar paqen nëpër botë”. Kongresisti Engel ka theksuar se ky është vizioni i tij për Kosovën, për të ardhmen se saj përparuese, demokratike dhe në paqe.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se pas një rrugëtimi një shekullor të mbushur me histori, një dekadë më parë, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike, duke u vendosur si shteti më i ri në hartën politike të globit.
Ai ka theksuar se dëshiron ta shmangë historinë që ka përshkuar rrugën e Kosovës drejt pavarësisë së saj. Kryeministri Rama ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete formalisht të ndara administrative. Por, siç është shprehur ai, të dyja vendet tash janë pjesë e një rrëfimi të përbashkët historik, e një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe interesi të pandashëm politik, si dhe jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, me ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe bashkëveprim politik dhe institucional të vazhdueshëm.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtë e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales. Por, historia, për të cilën mora leje, qysh në fillim, për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj”, ka thënë kryeministri Rama.
Fjalimi i tij ka përmbyllur seancën solemne të Kuvendit për shënimin e 10 -vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Facebook Forum