Ndërlidhjet

Patrullimet ndër vite në mes të KFOR-it dhe forcave serbe


Konvoje të KFOR-it në fshatin Rudarë, në afërsi të Mitrovicës. Foto nga arkivi.
Konvoje të KFOR-it në fshatin Rudarë, në afërsi të Mitrovicës. Foto nga arkivi.

Më 7 gusht, nuk ishte hera e parë që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kreu një patrullim të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një praktikë, që ky mision ka kryer ndër vite.

KFOR-i nuk deshi të komentojë deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, lidhur me atë nëse patrullimet e sinkronizuara mes KFOR-it dhe forcave serbe mund të quhen të tilla, por të cilësohen si patrullime të përbashkëta, pasi ministrja kosovare ka thënë se për aktivitete të tilla askush nuk ka mandat dhe autorizim.

Nga misioni i KFOR-it megjithatë kanë shtuar se “patrullimet e sinkronizuara në mënyrë rutinore kryhen ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe përgjatë Vijës administrative kufitare".

"KFOR-i ka kontakt me Forcat e Armatosura serbe dhe bashkëpunimi është i mirë dhe efektiv”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mario Renna, zëdhënës i komandantit të KFOR-it.

Mediat në Kosovë atë ditë raportuan se forcat serbe u panë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Lajmi se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës, në këtë “patrullim të sinkronizuar” me KFOR-in, nxitën shqetësime në Prishtinën zyrtare.

Lidhur me atë që ka ndodhur në Karaçevë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.

Sidoqoftë, KFOR-i sqaroi se në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, "përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc".

Sipas njoftimit të KFOR-it, vija kufitare – që është e gjatë 350 kilometra – nuk është krejtësisht e shenjëzuar dhe e përcaktuar mirë dhe se patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin "përgjatë Vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni".

Megjithatë, KFOR-i tha se në patrullimet që zhvillon me forcat serbe, asnjëherë këto të fundit nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it.

Ky mision theksoi se patrullime të ngjashme ka kryer edhe në të kaluarën.

Ndërkohë, lidhur me këtë në një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi është njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, i cili deklaroi se hyrja e forcave të xhandarmërisë̈ serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Veliu, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se me KFOR-in janë dakorduar që të rinisin patrullimet edhe me Policinë e Kosovës.

Sidoqoftë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të dielën deklaroi se ngjarja e 7 gushtit nuk mund të quhet patrullim i sinkronizuar, por “patrullim i përbashkët” ndërmjet KFOR-it dhe Serbisë, pasi sipas saj, një patrullim i sinkronizuar nuk nënkupton që forca të shteteve të tjera, të futen në territorin e Kosovës. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

"Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka shkruar Haradinaj- Stublla në Facebook.

Patrullimet e sinkronizuara, që nga viti 2008

Përveç më 7 gusht, KFOR-i ka kryer edhe në të kaluarën patrullime të sinkronizuara me forcat serbe. Në qershor të vitit 2018, ishin kryer patrullimet e sinkronizuara ndërmjet ushtarëve të KFOR-it dhe atyre serbë. Ky aktivitet ishte zhvilluar në zonën veriore të Komunës së Istogut që gjendet në kufi me Serbinë, dhe siç kishte njoftuar Ushtria sllovene – që kishte marrë pjesë në këtë aktivitet – gjatë këtij patrullimi “nuk u identifikua asnjë aktivitet i dyshimtë”.

Më 27 qershor të 2017-ës dhe më 31 gusht të po këtij viti, ishin kryer patrullime të sinkronizuara. Për këto dyja patrullime, KFOR-i ka thënë se janë bërë me qëllim të “të rritjes së bashkëpunimit në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes teknike ushtarake”.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2016, forcat e KFOR-it po ashtu kishin kryer patrullime të sinkronizuara me forcat serbe, në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Komunën e Leposaviqit.

Më 5 maj, 2010, në ueb-faqen e NATO-s u tha se në pjesën veriore të Kosovës, pranë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, forcave daneze të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe, mbajtën patrullime të sinkronizuara nga shkurti i atij viti deri në muajin mars.

“Këto patrullime janë pjesë e programit të Komisionit të përbashkët për implementim dhe kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhej në njoftimin e NATO-s të publikuar në maj të vitit 2010.

Ndërkaq, në një raport të Kombeve të Bashkuara të vitit 2008, njoftohej po ashtu për patrullim të sinkronizuar mes KFOR-it dhe Forcave serbe.

Patrullimi thuhej se ishte kryer më 19 qershor, 2008 – vetëm pak muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë.

“Patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe u kryen sipas planit”, thuhej në një raport të OKB-së, ku theksohej se ky patrullim ishte kryer në Rudare të Serbisë më 19 qershor, 2008.

Më 22 korrik, 2020, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Michele Risi, kishte marrë pjesë në video-konferencën e tetë të “Javës së NATO-s në Beograd”, ku kishte theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Komandës së KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe “është kyç” për partneritetin midis dy forcave.

Risi kishte thënë se patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të armatosura serbe në vijën kufitare kontribuojnë në mbajtjen e paqes dhe atmosferës pozitive, që sipas tij, janë të rëndësishme për popullatën që jeton në atë zonë.

Në Kosovë, forcat e KFOR-it filluan të vendosen më 12 qershor të vitit 1999. Fillimisht, ishin rreth 50,000 mijë ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 3,500 trupa të KFOR-it.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG