Besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut, pas një viti ndalesë për shkak të virusit COVID-19, kanë mundur të falin namazin e Bajramit në organizimin tradicional që ka përgatitur Bashkësia Fetare Islame, në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup.
Me këtë rast, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, ka theksuar se besimtarët myslimanë ndodhen para sfidës për të dalë triumfues në betejën kundër virusit COVID-19.
Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, për Radion Evropa e Lirë, thotë se këshillat e të gjitha xhamive, janë kujdesur që me përpikmëri të respektohen protokollet për frenimin e koronavirusit të ri.
“Për Bajram, ne si Bashkësi Fetare Islame, formuam një komision për organizimin e festës së Bajramit, që këtë vit për shkak të uljes së numrit të të infektuarve, e organizuam manifestimin tradicional për faljen e namazit të Bajramit, duke respektuar të gjitha protokollet për frenimin e virusit COVID-19, duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirat e hapura në oborret e xhamive. Bajrami si festë, nënkupton vizita tek të afërmit, respektimin e njëri tjetrit, nënkupton prezencën fizike gjatë vizitave tek të afërmit, andaj kemi apeluar që mos të shkëputen këto tradita që të qëndrojmë afër edhe fizikisht edhe shpirtërisht, por edhe këtë rradhë, kemi theksuar se kur ka mundësi që uratat dhe duatë të shprehen përmes telefonatave, të shprehet afërsia dhe pajtimi mes njerëzve. Më duhet të theksoj se edhe profeti Muhamed, na ka mësuar se besimtari nuk është në nivelin e duhur, nëse nga dora apo gjuha e tij, të tjerët dëmtohen”, thotë Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, duke nënvizuar se lidhjet familjare nuk duhet shkëputur, megjithëse thekson se në bazë të parimeve islame, mbrojtja e shëndetit është në piedestalin më të lartë të besimit.
“Edhe në rrethana të pandemisë, hadithet (udhëzimet) e Profetit Muhamed, na mësojnë se njerëzit kur janë në rrethana të këtilla, u ndalohet të shkojnë diku tjetër pra duhet të qëndrojnë të izoluar, nëse shohin se kanë së paku një simptomë të sëmundjes. Për atë ne kemi apeluar dhe vazhdojmë të apelojmë përmes imamëve të xhamive, nëpunësve fetarë, si dhe përmes protokolleve që i kemi shtypur dhe shpërndarë në të gjitha xhamitë, ku kemi theksuar se një besimtar nëse vëren vetëm një simptomë të vogël të sëmundjes, ai e ka obligim fetar që të mos përzihet me njerëzit e tjerë”, thotë Ismaili.
Nga ana tjetër Blerim Qaili, thotë se këtë festë të Bajramit, për dallim nga viti i kaluar, ndjehet më i sigurt për të vizituar me familjen e tij prindërit, që tashmë kanë kaluar të gjashtëdhjetat, pasi ata por edhe ai personalisht, është vaksinuar kundër COVID-19.
“Këtë vit, gjatë kremtimit të kësaj feste, ndjehemi më të sigurt pasi unë dhe prindërit kemi marr vaksinën, pra jemi të imunizuar, dhe tani mund të përqafoj prindërit e mi për dallim nga viti i kaluar, kur kjo pandemi imponoi një stil krejtësisht tjetër jetese, ku distanca duhej ruajtur dhe kjo e vështirësoi dhe afërsinë fizike me prindërit”, thotë Blerim Qaili, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të paraqiten për marrjen e vaksinës dhe me këtë të arrihet imuniteti kolektiv për t’iu kthyer një normalitetit.
Me vendim të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, është shkurtuar ora policore gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit të Ramazanit, duke mundësuar kështu besimtarëve mysliman të organizojnë iftare familjare.
Ndërkaq ora policore është shfuqizuar tërësisht gjatë festës së Bajramit, ndërkohë që autoritetet përkatëse, në vazhdimësi kanë theksuar se është me shumë rëndësi respektimi i masave për frenimin e virusit COVID-19, siç është dezinfektimi i duarve në vazhdimësi, urimet në distancë, mbajtja e maskave edhe në hapësirat publike etj.
Facebook Forum