Ndërlidhjet

Fitër Bajrami falet duke respektuar masat kundër COVID-19 


Myslimanët festojnë Fitër Bajramin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Mijëra qytetarë të besimit Islam në Kosovë, në mëngjesin e së enjtes ua kanë mësyrë xhamive në mbarë vendin për të falur namazin e Fitër Bajramit, festë kjo të cilin e shënojnë myslimanët në mbarë botën, pas përfundimit të Muajit të Ramazanit.

Ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe është drejtuar nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Ai ka thënë se festa e Fitër Bajramit e përcjellë Muajin e Ramazanit, i cili është muaj i kultivimit të vlerave të larta shpirtërore dhe ku theksohet dashuria ndaj Zotit dhe gjatë të cilit besimtarët myslimanë bëhen më të ndjeshëm dhe mirëkuptues.

“Sot kemi festë. Kemi festën e Fitër Bajramit, e cila na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë, fqinjët tanë, miqtë dhe farefisin. Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit dhe bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore paraqet një ndër momentet që shërbejnë për të njohur veten, për të mësuar drejtë misionin tonë dhe për ta ruajtur ekuilibrin e shpirtërores përballë materiales”, theksoi myftiu Tërnava.

Pamje nga falja në Xhami të Madhe në Prishtinë.
Pamje nga falja në Xhami të Madhe në Prishtinë.

Festa e Fitër Bajramit në Kosovë është shënuar nën masat që janë në fuqi për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Respektimi i këtyre masave nga besimtarët myslimanë, të cilët festojnë Fitër Bajramin në xhamitë mbarë vendit, është kërkuar që më parë nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Myftiu Tërnava, ka theksuar se festa e Fitër Bajramit, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, në Kosovë është pritur duke u përballur me pandeminë COVID-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet e jetës. Ai ka përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me sëmundjen COVID-19, ndërkaq që për të infektuarit ka uruar shërim sa më të shpejtë.

Ai i ka ftuar qytetarët e vendit që sot shënojnë festën e Fitër Bajramit, që të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm përballë pandemisë së koronavirusit.

“Andaj, apeloj te ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njëri-tjetrin. Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit. Ne do të festojmë me të afërmit, me të dashurit dhe me miqtë tanë, do të ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes maksimal në shëndetin publik, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, theksoi Tërnava.

Të enjten në mbarë xhamitë në Kosovë, sipas udhëzimeve nga Bashkësia Islame e Kosovës, për t’iu shmangur qëndrimit për kohë të gjatë të besimtarëve në hapësira të mbyllura, është falur vetëm namazi i Fitër Bajramit dhe jo edhe ai i mëngjesit.

Bashkësia Islame e Kosovës ka udhëzuar që xhamitë të hapen vetëm 10 minuta para se të nisë falja e namazit të Fitër Bajramit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka uruar qytetarët e besimit Islam për Fitër Bajramin, duke thënë që në këtë ditë feste të shumëfishohet lumturia “duke e ndarë me të tjerët, duke uruar më të mirat për njëri-tjetrin dhe duke u kujdesur për shëndetin e njëri-tjetrit”.

“Mbarësia e kësaj dite le të vulos besimin se çdoherë mund të japim më shumë, më shumë sesa që marrim”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vitit të kaluar, në ceremoninë e faljes së kësaj feste në Kosovë ishin të pranishëm vetëm pjesëtarë të rrethit të ngushtë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, më 14 mars 2020, pezulloi faljen e organizuar nëpër xhamitë e Kosovës.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG