Ndërlidhjet

Partitë pajtohen se duhet të bëhen reforma zgjedhore


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Për shkak të parregullsive, të cilat që i kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovës, partitë politike që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës kanë shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për të përmirësuar dhe forcuar procesin zgjedhor.

Kryetarët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord edhe për themelimin e një komision ‘ad hoc’ parlamentar për të përmirësuar dhe përforcuar procesin zgjedhor, duke adresuar rekomandimet e vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja.

Ahmet Isufi, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në pushtet, tha për Radion Evropa e Lirë, se problemet të cilat janë vërejtur në proceset zgjedhore nga vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet të eliminohen.

"Sigurisht, janë elemente, të cilat në të kaluarën kanë paraqitur problem, por që duhet të eliminohen, këto janë parë edhe në bisedimet që kemi pasur edhe me zonjën Apostolova [Nataliya Apostolova, Përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Prishtinë], me të cilën jemi pajtuar që të bëhet një korrigjim sa më i mirë në mënyrë që proceset e ardhshme zgjedhore të jenë më demokratike", tha Isufi.

Isufi ka shpjeguar se vërejtjet, të cilat janë parë në proceset zgjedhore, janë të ndryshme duke u nisur nga ato të komisioneve e vëzhguesve.

"Është fjala për listat, të cilat duhet të pastrohen për shkak se ka pasur defekte në të kaluarën. Po ashtu, një sistem i kontrollimit më të madh sa i përket vëzhguesve e komisioneve dhe organizatave të ndryshme që monitorojnë zgjedhjet. Po ashtu, edhe mënyrave teknike, të cilat duhet të perfeksionohen në mënyrë që të kemi proces zgjedhor më të mirë dhe që është më demokratik", theksoi Isufi.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdulla Hoti, u shpreh për Radion Evropa e Lirë, grupet parlamentare së bashku edhe me OSBE-në dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë dakorduar që të fillohet një reformë substanciale për procesin zgjedhor.

"Ka plot rekomandime në disa raporte të nxjerra pas procesit zgjedhor, e që lidhen me transparencën e procesit zgjedhor me kompletimin e listave, pastrimin e listave zgjedhore që lidhen me procesin e ankesave. Janë reforma që prekin një seri të institucioneve që menaxhojnë procesin zgjedhor, por edhe institucionet e drejtësisë që trajtojnë ankesa që dalin nga procesi", tha Hoti.

Hoti tha se pas fillimit të punës së komisionit do të shihet se sa shpejt mund të bëhen këto ndryshime dhe ku janë dallimet e partive politike.

"Kur të ulemi tash si komision parlamentar do të shohim se ku janë dallimet politike dhe deri në çfarë niveli mund të arrihet konsensus", tha Hoti.

Edhe në Partinë Socialdemokrate konsiderojnë se më shumë se 35 rekomandime, të cilat kanë ardhur nga vëzhguesit e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, duhet të trajtohen sa më parë. Shefi i Grupit Parlamentar nga PSD-ja, Dardan Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se bashkë me rekomandimet kanë ardhur edhe udhëzimet se si mund të gjendet zgjidhje për ato pengesa.

"Ky proces mund të përfundojë shpejt dhe mirë, por po e them se këtu hisedarë janë të gjitha subjektet në Kuvend të përfaqësuara me grupe parlamentare dhe secili subjekt duhet ta ketë edhe vullnetin edhe gatishmërinë edhe për punë, edhe angazhim po edhe për t'i zgjidhur këto probleme. Ajo çka shohim sot në Kosovë është se vetëm një subjekt është serioz në trajtimin e çështjeve si këto, e ajo është Partia Socialdemokrate", u shpreh Sejdiu.

Ky komision pritet të themelohet në seancat e ardhshme plenare. Po ashtu, ata janë marrë vesh që në kuadër të Komisionit 'ad hoc' parlamentar të formojnë një grup punues këshillues të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët u zhvillua në prani të Përfaqësueses së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, dhe shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Jan Braathu.

Kryetarët e grupeve parlamentare i kanë ftuar të dy institucionet për të mbështetur dhe ndihmuar përpjekjet e tyre për të përmirësuar kornizën legjislative zgjedhore.

Ndryshe, partitë politike dhe institucionet e Kosovës në shumë raste këto pesë - gjashtë vjetët e fundit, kanë provuar të zbatojnë disa reforma zgjedhore, por kryesisht kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG