Ndërlidhjet

Pandemia lë pa viza bizneset kosovare


Qytetarët duke pritur para ambasadës hungareze në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Qytetarët duke pritur para ambasadës hungareze në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Ka disa vjet që kompania ‘Eurometal’ nga Ferizaj, që merret me prodhimin e konstruksioneve të metalit, ka filluar të eksportojë produktet e veta në vende të ndryshme të Evropës.

Aktualisht, prodhimet e kësaj kompanie shkojnë në Norvegji, Suedi, Zvicër, Gjermani dhe Francë.

Por, për të shkuar në këto vende dhe për të dërguar metalin që prodhojnë në fabrikën e tyre, punëtorët e kësaj kompanie duhet të pajisen me viza.

Sherif Musliu nga kjo kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se procesi është vështirësuar edhe më shumë gjatë pandemisë.

“Për viza (biznes-viza), për ne si pronarë ka ndikuar sepse nuk kemi mundur të pajisemi me viza. Realisht në Norvegji duhet të shkojmë me ekipet tona për montim, mirëpo problemi i vizave për dërgimin e punëtorëve atje, po duhet të pajisen fillimisht me viza për t’u bërë gati për montim atje. Gjë që po na merr shumë kohë dhe të them të drejtën nuk po jemi të sigurt a po mund të shkojmë ajo. Kjo është një pikëpyetje për kontraktimin e punëve”, tregon Sherif Musliu, që është djali i pronarit të kësaj kompanie.

Musliu thotë se si pasojë e mospajisjes me viza, kanë dështuar të realizojnë punët e tyre jashtë vendit.

“Jashtëzakonisht na shkakton problem sepse produktet tona, është një produkt që ne vetë e prodhojmë dhe vetë duhet ta bëjmë montimin e tyre. Është vështirë që dikush tjetër ta bëjë prodhimin dhe dikush tjetër montimin. Kjo lëmi shkon që t’i e përgatit dhe t’i duhet ta finalizosh deri në fund”, thotë Musliu.

Musliu tregon se për t’u pajisur me viza dhjetë ose 12 punëtorë, të cilët duhet të bëjnë montimin e konstruksioneve të ndryshme në ndonjë vend evropian, duhet të paguajnë qindra euro.

Kjo kompani, e cila është themeluar në vitin 1996, aktualisht ka 110 punëtorë.

Ndihmë për t’u pajisur me vizë

Shqetësimin e bizneseve kosovare e ka ngritur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se vizat vazhdojnë të jenë pengesë e patejkalueshme për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Rukiqi tregon se në muajt e fundit të pandemisë, ka pasur shumë kompani kosovare që kanë kërkuar ndihmën e Odës Ekonomike për t’u pajisur me vizë Shengen.

“Ne ashtu-kështu jemi të diskriminuar, por sado pak një pjesë e tyre kanë pasur viza, të cilat tash u kanë skaduar dhe për shkak se një pjesë e madhe e zyrave për çështje konsullore nuk punojnë, ata kanë mbetur pa viza”, thotë Rukiqi.

Si pasojë e mospajisjes me viza, Berat Rukiqi thotë qindra kontrata po rrezikohen dhe kostoja e eksportit po rritet.

“Pasi nuk e kemi liberalizimin siç e kanë vendet tjera, e udhëtojnë pa procedura, duhet ta gjejnë një mënyrë këto ambasadat e vendeve Shengenit që t’i rifillojnë këto shërbime dhe të krijojnë mundësi që ata që kanë nevoja biznesore të udhëtojnë”, thotë Rukiqi.

Viza vetëm për raste urgjente

Ambasada e Gjermanisë është prej të paktave të Zonës Shengen që ka vazhduar të lëshojë viza biznesi, vetëm në rast të ftesave speciale, thonë drejtues të organizatës joqeveritare, Germin.

Lirim Krasniqi nga kjo organizatë, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti të përshkruar me pandemi, është vështirësuar edhe më shumë pajisja me viza për qytetarët e Kosovës.

“Sipas informacioneve që kemi ne, në katër muajt e fundit, janë duke u lëshuar viza vetëm për raste urgjente shëndetësore”, thotë Lirim Krasniqi nga Germin.

“Viza janë duke u lëshuar edhe për ata persona që duhet të bëjnë vazhdimin e vizave të skaduara, mirëpo në rastet e tjera jo”, shton ai.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë, të cilët nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve evropiane.

Liderët politikë dhe qeveritë e kaluara, kanë premtuar liberalizimin e vizave që nga viti 2011.

Së fundmi, Kosovës i është thënë se ka plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave, por vendimi për këtë çështje ka ngecur për shkak të skepticizmit që kanë shfaqur shtetet si Franca dhe Holanda.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG