Ndërlidhjet

Pak përfitime për prodhuesit nga MSA-ja


Një kultivues i dredhëzave në Kosovë. Fotografi nga arkivi.
Një kultivues i dredhëzave në Kosovë. Fotografi nga arkivi.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në aspektin ekonomik nuk po arrin të ketë përfitimet e plota.

MSA-ja e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016, u hapi rrugë bizneseve të vendit, në veçanti atyre prodhuese për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh.

Por, përgjatë kësaj kohe konsiderohet se mungoi informimi i duhur i bizneseve për përfitimet që mund t’i kenë nga kjo marrëveshje.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneseve ju mungon motivimi që ato të përpiqen të eksportojnë në tregjet evropiane.

Sipas tij, bizneset nuk janë të informuara për lirimet doganore të cilat ata mund të përfitojnë gjatë procesit të eksportit të produkteve të tyre.

“Oda Ekonomike Amerikane ka publikuar një hulumtim i cili ka gjeneruar disa të gjetura të cilat sugjerojnë që bizneset në Kosovë, siç janë ato prodhuese, që mund të shfrytëzojnë MSA-në në favor të ekonomisë vendore, kanë shumë pak njohuri për marrëveshjen. Ne kemi rekomanduar që institucionet përgjegjëse të punojnë më shumë në një fushatë vetëdijesuese e cila do të ju mundësonte bizneseve që të dinë më shumë për përfitimet që bizneset kanë nga MSA-ja”, thotë Zeka.

MSA, përveç tjerash, në aspektin ekonomik parasheh që nga viti në vit, tatimi doganor për produktet që vijnë nga Bashkimi Evropian të zbritet, derisa pas 10 vjetësh të hyrjes në fuqi, të gjithë produktet të mos kenë fare taksë doganore.

Ndërkohë, Komisioni Evropian së fundi ka bërë thirrje që Kosova të forcojë bazën e saj të prodhimit, në mënyrë që të ketë përfitime të plota nga MSA-ja.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 është thënë se do të investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro, ku nga kjo shumë e mjeteve do të përfitojnë edhe prodhuesit nga Kosova.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, thotë për Radion Evropa e Lirë se iu ka munguar informimi i duhur për përfitimet nga MSA-ja.

Megjithatë, ai tregon se si biznes prodhues që nga hyrja në fuqi e MSA-së kanë arritur të depërtojnë më shumë në tregjet evropiane.

“Nuk jemi të informuar sa duhet as ne si biznes e as të tjerët. MSA-ja është një marrëveshje e mirë pasi që ne si biznes kemi arritur në vitin 2017, të jemi më shumë prezent në tregjet evropiane. Kemi depërtuar me produktet tona në Bullgari, Hungari, Gjermani dhe Suedi. MSA-ja ka sjell gjëra të mira, por ne si biznes duhet të jemi të informuar për përfitime edhe të tjera”, thotë Kosumi.

Ai shton po ashtu se edhe lehtësirat fiskale që kanë ndërmarrë edhe Qeveria e Kosovës në një formë kanë mundësuar që me prodhimet e tyre të jenë konkurrentë me produktet e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Lëndën e parë e prodhojmë vetë. Prodhimet tona janë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe standardin më të lartë që e kërkon BE-ja për produktin tonë. Për t’u futur në treg është çmimi dhe kualiteti. Disa lehtësira që i ka bërë qeveria na kanë mundësuar që të jemi konkurrentë edhe me kualitet edhe me çmim dhe kemi pasur rritje të eksportit”, thotë Kosumi.

MSA është një nga hapat e parë për një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kosova është e fundit në rajon sa i përket kësaj rruge.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG