Temperaturë, dhimbje koke, kollë dhe pneumoni, janë simptomat më të shpeshta, me të cilat paraqiten pacientët javëve të fundit në qendrat e mjekësive familjare në Prishtinë dhe në komuna të tjera të Kosovës.
Specialistët shëndetësorë thanë se nga rastet e paraqitura në qendra, aktualisht bëhet fjalë vetëm për një llojviroze.
Specialistja e mjekësisë familjare, Dr. Florie Hyseni – Morina, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë, se shumica e rasteve janë me virozë të zakonshme stinore.
“Rastet te ne kanë simptoma të lehta, kryesisht nga trakti i sipërm respirator me bllokim apo shkuarje nga hunda, dhimbje fyti, kollitje. Por, ka raste që simptomat janë pak edhe më të rënda, me temperaturë të lartë me irritim të traktit respirator e ndoshta edhe me pneumoni”, tha Hyseni-Morina.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë gjatë një dite kërkojnë ndihmë mjekësore rreth 200 qytetarë, ku sipas profesionistëve, rreth 50% e tyre kanë probleme me viroza.
“Në këto raste ne dyshojmë për viroza të zakonshme ose viroza stinore. Ekzistojnë afërsisht 200 lloje të viruseve që shkaktojnë ftohje të zakonshme që japin simptoma. Kurse, te gripi simptomalogjia është më e rëndë. Nuk përjashtohet edhe mundësia e rasteve me COVID-19, përderisa virusi është ende prezent dhe simptomat janë të ngjashme”, tha Hyseni - Morina.
Në javën e fundit, numri më i lartë i të infektuarve me COVID-19, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një ditë ishte 18.
Në IKSHPK thanë më 10 janar se nga fillimi i sezonit më 3 tetor 2022 deri më 1 janar 2023, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë raportuar afro 24 mijë raste të sëmundjes të ngjashme me grip. Nga ky numër, 3.406 raste ishin të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator akut.
Sipas Institutit, gjatë kohës 26 dhjetor deri më 1 janar, janë raportuar 1.871 raste të sëmundjes së ngjashme me gripin.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thonë se pragu epidemik për të shpallur një epidemi është rreth 5 mijë raste të raportuara në javë.
Epidemiologia Pranvera Kaçaniku – Gunga, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, se intensiteti i influencës sezonale, sipas numrit të rasteve të paraqitura është në “aktivitetin e mesëm të qarkullimit”.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë influencë.
“Në bazë të kontakteve të përditshme me QKMF-të e të gjitha komunave dhe IKSHPK-në, numri i vizitave në kujdesin Parësor Shëndetësor flet për viroza të stinës”, tha Berisha.
IKSHPK-ja dhe mjekët rekomandojnë mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e duarve.
Po ashtu, rekomandohet të shmangen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë, të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, spitalet rajonale), si dhe të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
Facebook Forum