Ndërlidhjet

Arkivimi i krimeve seksuale të luftës për të ngritur padi


Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Në një raport të publikuar nga organizata që drejton Rushiti, janë mbledhur dëshmitë e 345 personave të dhunuar gjatë luftës, dëshmi këto që të cilat, siç thotë ajo, do të shërbejnë për shumë institucione, për të ngritur padi e për të kërkuar drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Rushiti tashmë është bërë publik një raport-dokument me rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Çka ju shtyri ta publikoni këtë raport?

Feride Rushiti: Realisht ky është një raport statistikor, i cili si iniciativë ka filluar në vitin 2019. Duke punuar ngushtë me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe duke e parë që institucionet nuk kishin ndonjë iniciativë për të bërë një arkivim të mirëfilltë në raport me krimet e luftës, në veçanti me krimet e dhunimit seksual të luftës, si organizatë e kemi parë të arsyeshme që të fillojmë ta ndërtojmë një platformë, e cila do t'i grumbullonte dëshmitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale, në mënyrë që këto dëshmi t'i shërbenin drejtësisë në raport me të vërtetën, por edhe të binin një narrativë të drejtë, bazuar në fakte dhe dëshmi nga njerëz të gjallë si dhe për t'i adresuar nevojat dhe kërkesat, që përtej dëshmive në raport me luftën, t'i mbledhim edhe kërkesat e nevojat me të cilat ballafaqohen të mbijetuarit të dhunës seksuale të luftës.

Dua të theksoj se institucionet kanë mungesë të dokumenteve në raport me krijimin e arkivës [për krime lufte] apo dokumentim të krimeve të luftës. Pra, edhe dy dekada pas [luftës] nuk ka infrastrukturë për të arkivuar mirë këtë çështje. Edhe iniciativa rajonale KOMRA (Komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001) nuk është që i ka dhënë hapësirë të veçantë krimeve të dhunës seksuale. Kjo për faktin që është e vështirë edhe paraqet një ndjeshmëri e veçantë për mënyrën se si do të duhej të adresohet ky krim, si duhet të merret intervista, çfarë duhet t'i ofrohet të mbijetuarit kur e mban intervistën.

Prandaj, duke qenë organizatë lidere që nga viti 1999 në ofrimin e shërbimeve direkte për të mbijetuarit të dhunës seksuale të luftës, e më pastaj duke avancuar agjendën e të mbijetuarve të dhunës seksuale deri në njohjen ligjore të tyre dhe duke punuar me policinë dhe prokurorinë, kemi menduar se është qenësore të krijojmë një arkiv, i cili do t'i shërbente vendit, historisë së re të Kosovës me sa më shumë fakte dhe të dhëna se si është ushtruar ky krim, në çfarë përmasa ka qenë dhe nga cilat forca është kryer, por edhe cilat janë pasojat e dhunimit, qoftë në aspektin shëndetësor, social e ekonomik.

Krasniqi-Goodman: Do të jem zëri i viktimave të luftës në Kuvend
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:16 0:00

Po ashtu për të ditur se a ka pasur dëshmitarë prezentë kur është ushtruar dhe çfarë rruge ka pasur mënyra e ushtrimit të këtij krimi e të gjitha me radhë. Kjo vetëm e vetëm për të ndryshuar edhe diskursin publik edhe mediatik, por edhe narrativën edhe për t'i sfiduar disa norma në raport me të kaluarën, si dhe për të vënë në pah që edhe burrat kanë qenë pjesë e dhunës seksuale. Kanë qenë edhe komunitetet joshqiptare pre e dhunës seksuale. Edhe të gjitha këto informata të na shërbejnë pastaj në ndryshimin e legjislacionit, në bërjen e politikave për avancimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe për t'ju siguruar atyre qasje në drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndihmojë ky raport në proceset gjyqësore?

Feride Rushiti: Dua të them se projekti është udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitim, ndërsa është realizuar në partneritet të ngushtë me tri organizata të licencuara siç është 'Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave', 'Medika Gjakova' dhe 'Medika Kosova'. Ky raport ka marrë kohë një vit vetëm për ta ndërtuar platformën, pasi është i pari për nga lloji. Na ka rastisur të bashkëbisedojmë edhe me profesorë të njohur ndërkombëtarë, që janë marrë me drejtësinë tranzicionale. Nuk është që edhe në botë ka arkiva të mirëfillta në raport me dhunën seksuale, sepse është një krim shumë kompleks për t’u dëshmuar dhe dokumentuar.

Prandaj, të dhënat të cilat kemi arritur t’i grumbullojmë gjatë kësaj periudhe - edhe me disa kufizime për shkak të pandemisë - terreni nuk ka qenë lehtë i qasshëm, pastaj i kemi kursyer moshat e shtyra, pasi nuk kemi dashur t'i ballafaqojmë me personat që e kanë realizuar intervistën. Mirëpo ky raport, të cilin e kemi quajtur 'Viktimat pa emër' na shërben për të avokuar për ndryshime ligjore, na shërben për të avokuar për ndërtimin e politikave në raport me realizimin e të drejtave të viktimave.

Në raport me drejtësinë, secili person që ka dhënë dëshmi dhe i ka grumbulluar të dhënat, në të ardhmen ka qasje dhe mund ta tërheqë për nevoja të saj/ tij, kuptohet në raport me gjykatën. Kështu që në këtë drejtim edhe mënyra e ushtrimit të dhunës, forma, zinxhiri komandues, uniformat, të gjitha këto mund t'i shërbejnë prokurorisë për të pasur një pistë orientimi se si të udhëhiqet lënda dhe si të hedhen faktet dhe dokumentet. Në këtë drejtim ne kemi arritur të grumbullojmë 345 raste të dokumentuara, ku prej tyre 20 janë burra dhe djem, ndërsa 6 për qind i përkasin komuniteteve joshumicë, romë, boshnjak, ashakli dhe egjiptian.

Radio Evropa e Lirë: Pse sistemi i drejtësisë nuk po i trajton rastet e personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë?

Feride Rushiti: Mendoj se rreth 48 raste janë të evidentuara dhe janë në proces të grumbullimit të të dhënave dhe informacioneve. Një rast të cilin e përfaqëson qendra jonë [QKRMT] është një rast që ne mendojmë dhe shpresojmë se rasti do të rezultojë pozitivisht dhe ka për t'u vënë drejtësia në vend.

Mirëpo, janë disa raste në proces dhe dua të them se rëndësi të veçantë ka edhe rritja e numrit të prokurorëve, rritja e numrit të gjykatësve, profesionalizmi i tyre. Nuk është e lehtë që të dokumentohet krimi. Mos të harrojmë që po flasim për një krim që ka ndodhur 22 vjet më parë.

Të vetmin fakt dhe dëshmi që e posedon gjykata është dëshmia e personit të gjallë, prandaj do kohë, por edhe do profesionalizëm, angazhim e resurse. Në këtë drejtim ne edhe e kemi publikuar protokollin kombëtar për trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale, në raport me prokurorin dhe policinë për krime lufte. Ky protokoll vë në pah përqendrimin e gjithë mekanizmave institucionalë në shërbim të qasjes në drejtësi, po në veçanti e vë në theks prezencën e psikologut, avokatit, pasi rastet, të cilat veç kanë dëshmuar më herët, e kanë shumë të vështirë për t’iu rikthyer një procesi.

Disa nga këto gra dhe burra veçse kanë dhënë dëshmi në periudhën e UNMIK-ut, kanë dhënë dëshmi në periudhën e EULEX-it. Dhe fatkeqësisht nuk kanë pasur kurrë asnjë përgjigje qoftë negative apo pozitive. Edhe janë të zhgënjyer dhe nuk besojnë shumë. Prandaj, duhet të punohet shumë në rritjen e besimit në aspektin psikologjik ashtu që të arrihet të dëshmohet saktë dhe qartë në raport me krimin e ushtruar në periudhën e viteve 1998-1999.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni ju se mungesa e përvojës së prokurorëve me rastet e tilla ka bërë që të ketë hezitim për t'u marrë me këto raste?

Feride Rushiti: Duhet të ketë më shumë resurse profesionale pasi më duket se numri i prokurorëve është tre vetëm, që është një numër mjaft i vogël, jo vetëm për t'i trajtuar krimet e dhunës seksuale, por të gjitha krimet e luftës.

Mos të harrojmë se edhe në atë fushë nuk është se është bërë diçka, apo që vlen për t'u theksuar. Pastaj edhe gjykatësit duhet të jenë të përgatitur se si t’i qasen këtij lloji të krimit, pasi është i ndjeshëm dhe kërkon sensitivitetin e vet. Duhet të rriten resurset në kuptimin e prokurorëve, por duhet edhe të ketë vazhdimisht ngritje profesionale të avancuar në mënyrën se si duhet të hetohen këto krime.

Përtej kësaj, duhet ketë masa paraprake se si duhet të trajtohet viktima në proces, pasi që krejt rasti varet se sa është ajo (viktima) në gjendje psikologjike që të dëshmojë dhe të rikthehet në vitin 1999 apo 1998, kur edhe i ka ndodhur ngjarja traumatike. Kjo çështje e [viktimave të dhunës seksuale ] duhet të jetë prioritet i shtetit, mos të harrojmë.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e ardhshëm për të shtyrë përpara çështjen e personave të dhunuar seksualisht?

Feride Rushiti: Shikoni, kemi në plan që të dhënat e këtij raporti, që është i shifruar, t’i ndajmë me disa nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës, për të filluar ndryshimet ligjore, duke filluar nga mandati i Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave, pastaj shërbimet shëndetësore, e çështje tjera që kanë dalë në raport me kërkesat e të mbijetuarave të dhunës seksuale.

Janë një varg kërkesash që janë nxjerrë në pah nga ky raport dhe këto kërkesa shpejt shpresojmë të bëhen të qarta dhe definuese për Kuvendin e Kosovës për ndryshime të legjislacionit, në mënyrë që kauza e të mbijetuarave të dhunës seksuale të shkojë tutje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG