Ndërlidhjet

Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar të martën me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Presidenca ka thënë përmes një komunikate për media, se Osmani i ka thënë të dërguarit gjerman se Kosova ka nevojë të vazhdueshme për mbështetjen gjermane teksa e forcon pozitën në skenën ndërkombëtare, duke përmendur Këshillin e Evropën, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.

Zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se ka biseduar me zyrtarin gjerman për zbatimin e marrëveshjeve që kanë dalë prej Procesit të Berlinit.

Ai e ka përmendur në veçanti nevojën për zbatimin e marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, para mbajtjes së samitit të këtij viti.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në të ardhmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG