Ndërlidhjet

Opozita kushtëzon votën për buxhetin e vitit 2019


Ilustrim
Ilustrim

Miratimi i buxhetit për vitin 2019 pritet të jetë një nga sfidat e radhës për Qeverinë e Kosovës, ngase opozita nuk premton se do të votojë projektligjin e propozuar për buxhetin.

Shqyrtimi i parë i këtij projektligji është paraparë të paraqitet në seancën e Kuvendit të Kosovës më 6 dhjetor.

Por, deputetët e partive opozitare nuk japin shumë shpresë se do të votojnë për miratimin në parim të buxhetit.

Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të votojë projektbuxhetin, kurse Lëvizja Vetëvendosje thotë se nëse nuk përmirësohen disa nga mangësitë buxhetore, nuk do ta mbështesë në formën aktuale të propozuar.

Përderisa subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Naser Osmani, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, thotë se nuk do votojnë buxhetin, pasi sipas tij, projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është projektuar në mënyrë të duhur, është ngarkuar me skema sociale dhe është i ndarë në baza rajonale.

“Lidhja Demokratike nuk e mbështet një buxhet të tillë, sidomos një buxhet që është bërë me ndarje buxhetore të lokaliteteve prej nga vijnë zyrtarët e Qeverisë. Ka shumë pak projekte në investime kapitale në komunat ku udhëheqë LDK-ja. Dhe kjo vërehet në shpërndarjen jo të drejtë që është bërë dhe me këtë shpërndarje ata e kanë prishur edhe formulën e granteve që është një formulë që shpërndahet në mënyrë proporcionale në bazë të disa kritereve”, tha Osmani.

“Këto janë arsyet pse LDK- ja nuk mund të votojë. Dhe sidomos duke u frikësuar se rrezikohet rregulla financiare që konsiderojmë se është rregull që mos të tejkalohet deficiti deri në 2 për qind e Bruto Produktit Vendor që është e definuar në bazë ligjore”, thotë Osmani.

Ndërkaq, Arbërie Nagavci, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha për Radion Evropa e Lirë, se projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është buxhet i konsoliduar, transparent dhe as në shërbim të qytetarëve.

Ky projektbuxhet sipas saj, akomodon lukse të shumta, dallime në paga të shërbyeseve civil, pavarësisht koeficientit të tyre, dhe rritje të shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Nëse nuk përmirësohen mangësitë e evidentuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Nagavci thotë se nuk do votojnë për projektligjin.

“Ne kemi parë se në agjenci të caktuara është dhjetëfishuar buxheti, qoftë për zyre të Kryeministrit apo të Presidentit. Dhe në anën tjetër nuk janë adresuar as qëndrimet që i ka pasur vetë Qeveria në programin qeverisës për prioritetet e veta. Nëse shohin në fushën e arsimit, ndonëse po proklamohet rritja e buxhetit, nuk ka investimet në infrastrukturë, asnjë çerdhe apo shkollë e re nuk është planifikuar të ndërtohet. Pra, kryesisht janë projekte të filluara shumë më herët dhe po zgjasin për një kohë të gjatë dhe thjeshtë janë paraqitje për një mashtrim të votuesit për rajone të caktuara”, shprehet Nagavci.

Në muajin tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2019, i cili parashihet të arrijë shifrën e 2,3 miliardë eurove dhe i cili parasheh rritje të shumës për pagesën e skemave sociale.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky buxhet pritet të jetë më i larti që ka pasur ndonjëherë Kosova, dhe konsiderohet të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

“Çështja e votimit është e drejtë e secilit deputet. Ne buxhetin e kemi përgatitur konform objektivave të programit të Qeverisë së Kosovës. Është një projektbuxhet i cili shkon në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit, ngrit kualitetin ndaj shërbimeve të qytetarëve të Republikës se Kosovës. Është një buxhet që në të gjitha kategoritë ka ngritje krahasuar më vitin e kaluar. Dhe duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë pozitivë dhe një buxhet kaq mirë të ndërtuar, nuk presim që nuk do të votohet”, tha Rafuna.

Në anën tjetër nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG