Ndërlidhjet

FMN shpreh shqetësim për skemat e reja sociale në Kosovë


Ilustrim.
Ilustrim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për rritjen e skemave sociale dhe pagesave për veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu është shprehur udhëheqësja e misionit të FMN-së për Kosovën, Stephanie Eble gjatë konferencës për media me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

“Sa i përket shpenzimeve, që të mbahet presioni i shpenzimeve sociale do të jetë thelbësore që të vazhdohet tutje me reformën për veteranët e luftës dhe të frenohen skemat e reja dhe të mirëmbahen si duhet shtesat e fëmijëve, të mësimdhënësve e të tjera, sepse ato minojnë drejtësinë në sistemin pensional dhe nuk janë të targetuara vetëm për të varfrit dhe çdo rritje e pensionit duhet të lidhet vetëm me pensionin bazë”, ka thënë Elbe.

Udhëheqësja e misionit të FMN-së, megjithatë ka deklaruar se Kosova ka stabilitet ekonomik, dhe pret rritje prej 4 për qind, që sipas saj, “është ndër më të lartat në rajon”.

Ajo inkurajoi institucionet e Kosovës që të vazhdojnë reformat në Administratën Tatimore.

Nga ndërtimi i autostradave në rritje të skemave sociale

Ndërkaq, ministri Hamza tha se sa i përket buxhetit për vitin 2019, Kosova dhe FMN-ja kanë pak dallime.

“Sa i përket buxhetit të vitit 2019, e kemi diskutuar në mënyrë të detajuar. Është jashtëzakonisht pozitive që është qëndrim i përbashkët në mes të institucioneve të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që të vazhdojmë t’i ruajmë tri rregullat bazë: rregulla e pagave, rregulla e deficitit primar që ne nuk do ta kalojmë deficitin prej 2 për qind sipas rregullës fiskale dhe rregulla e bilancit bankar, pasi që ne e shfrytëzojmë euron dhe kemi nevojë ta ruajmë likuiditetin që të jetë e planifikuar prej 4,5 për qind e Bruto Produktit Vendor”, është shprehur Hamza.

Ndërkohë, sipas tij, sa i përket projeksioneve ekonomike, Kosova me FMN-në ka dallim prej rreth 30 milionë eurosh.

Ministri Hamza po ashtu ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë reformat sa i përket skemave sociale.

Projekt-buxheti për vitin 2019 që është miratuar në Qeverinë e Kosovës arrin shifrën e 2,3 miliardë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG