Ndërlidhjet

Olimpiada përjashton dy trajnerë bjellorusë rreth rastit të atletes Tsimanouskaya


Atletja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya në një konferencë për media në Varshavë. 5 gusht 2021.
Atletja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya në një konferencë për media në Varshavë. 5 gusht 2021.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u ka anuluar akreditimin dy trajnerëve bjellorusë, pas dyshimeve se ata kanë tentuar të kthejnë me forcë në shtëpi atleten Krystsina Tsimanouskaya nga Lojërat Olimpike, që po mbahen në Tokio.

Ky Komitet ka marrë këtë vendim më 6 gusht “në interes të mirëqenies së atletëve të Bjellorusisë të cilët janë ende në Tokio”, është thënë në deklaratën e këtij Komiteti në Twitter.

Dy trajnerëve, të identifikuar si Artur Shumak dhe Yury Maisevich, u është kërkuar të largohen nga fshati olimpik menjëherë dhe ata besohet se kanë vepruar ashtu.

Një komision disiplinor është krijuar për të qartësuar rastin e atletes, Tsimanouskaya dhe rolin që kanë pasur Shumak dhe Maisevich në të.

“Atyre do t’iu ofrohet mundësia për t’u dëgjuar”, ka thënë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme e Japonisë ka lëshuar një deklaratë duke thënë se trajtimi i atletes bjelloruse ka qenë “i paarsyetueshëm” dhe “i papranueshëm”.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach e ka përshkruar incidentin “për keqardhje”.

Tsimanouskaya, e cila është në Varshavë tani, ka thënë se ka refuzuar udhëzimet e trajnerëve për t’u kthyer në vendlindje, duke u frikësuar pas kritikave që ka bërë në rrjetet sociale, për vendimet e trajnerëve të saj.

Atletja 24-vjeçare ka arritur në Varshavë më 4 gusht me mbrojtje diplomatike polake, dhe ndërkohë pritet që të kërkojë azil.

Ajo është bashkuar me burrin e saj, Arsen Zdanevich, më 5 gusht, sipas politikanit opozitar bjellorus, që jeton po ashtu në Poloni, Pavel Latushko, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Polonia u ka siguruar të dyve viza humanitare dhe është zotuar për të garantuar sigurinë e tyre.

Tsimanouskaya ka thënë në një konferencë për media më 5 gusht se ajo është e lumtur që është në Poloni mirëpo shpreson që do të kthehet në Bjellorusinë “e lirë” një ditë.

“Do të jem gati që të kthehem në Bjellorusi kur do të jetë e sigurt që të veproj ashtu”, ka thënë ajo.

“Nuk e kam tradhtuar atë, është vendlindja ime”.

Tsimanouskaya ka thënë se nuk e ka takuar kurrë Alyaksandr Lukashenkan, i cili ka shtypur protestat tash e një vit, pas zgjedhjeve presidenciale, të cilat janë konsideruar të manipuluara.

Ajo ka thënë se gjëra “të tmerrshme” po ndodhin në Bjellorusi.

Megjithatë, ajo ka thënë së dëshiron të fokusohet në Olimpiadë që të mos humbë koncentrimin.

Tsimanouskaya ka akuzuar zyrtarët bjellorusë se kanë tentuar ta detyrojnë që të niset nga Tokio në Bjellorusi, para se të përfundonte garat.

Ajo ka thënë se ata ia kanë bërë të qartë edhe para kthimit në shtëpi se do të mund të përballet me ndonjë formë ndëshkimi.

Në Varshavë, ajo ka thënë se gjyshja e saj e ka këshilluar që të mos kthehet në Bjellorusi, për shkak të raportimeve negative për të në media, pasi ka refuzuar të largohet nga Tokio.

Tsimanouskaya ka thënë më 5 gusht se tani dëshiron t’iu ndihmojë bjellorusëve që janë në gjendje të ngjashme.

Rasti i saj është kthyer në tregim të madh në Lojërat në Tokio dhe ka rikthyer vëmendjen në shtypjen që po bëhet në Bjellorusi, prej kur Lukashenka ka pretenduar fitore për një mandat të gjashtë presidencial.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG