Organizata e Kombet e Bashkuara (OKB) tha të premten se ndihet e shqetësuar se po kryhen krime lufte nga të dyja palët në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut i përmendi ndëshkimin kolektiv, marrjen e pengjeve dhe zhvendosjen e detyrueshme gjatë luftës që tashmë ka hyrë në ditën e 21-të të saj.
“Ne jemi të shqetësuar se po kryhen krime lufte. Ne jemi të brengosur për ndëshkimin kolektiv të banorëve të Gazës si përgjigje ndaj sulmeve mizore nga Hamasi, të cilat ishin krime lufte, po ashtu”, tha të premten zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani.
Ajo tha se i takon një gjykate të pavarur ligjore të thotë nëse janë kryer krime lufte.
Izraeli është duke e bombarduar pareshtur Gazën prej se militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 224 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Në bombardimet hakmarrëse izraelite janë vrarë së paku 7.028 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Numri i të vdekurve i dhënë nga Hamasi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Izraeli e ka rrethuar Gazën dhe e ka ulur furnizimin me ushqim, ujë dhe rrymë, duke e ndaluar plotësisht furnizimin me karburant, për të cilin thotë se po shfrytëzohet nga Hamasi për të prodhuar armë dhe eksplozivë.
Ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve në veri të Rripit të Gazës – gjysmës së popullsisë prej 2.3 milionë – të shkojnë në jug para ofensivës së pritshme tokësore.
“Askush nuk është sigurt”
“Askush nuk është sigurt në Gazë. T’i detyrosh njerëzit të evakuohen në këto kushte... dhe nën rrethim të plotë, ngre shqetësime serioze për zhvendosje të detyrueshme, gjë që është krim lufte”, tha Shamdasani.
“Përdorimi i armëve shpërthyese me ndikim të gjerë nga Izraeli në zonat e populluara dendësisht, ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe humbje jetësh në civilë që, nga ajo që shihet, është e vështirë të jenë në pajtim me ligjin humanitar ndërkombëtar”, tha ajo.
Shamdsani tha se një katastrofë humanitare po ndodh për njerëzit e Gazës “të cilët janë të ngujuar brenda Gazës dhe po ndëshkohen kolektivisht. Ndëshkimi kolektiv është krim lufte. Izraeli duhet patjetër ta ndalë menjëherë ndëshkimin e tërë popullit të Gazës”.
Ajo tha se edhe sulmet e grupeve të armatosura palestineze, përfshirë ato përmes lëshimit të raketave nga Gaza në Izrael, duhet të ndalen.
“Ata duhet patjetër dhe pa kushte t’i lirojnë të gjithë civilët që po i mbajnë. Të marrësh pengje është krim lufte”, nënvizoi ajo.
Krimi i luftës është shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar kundër civilëve dhe luftëtarëve gjatë konflikteve të armatosura, si dhe shkelje serioze e Konventës së Gjenevës nga viti 1949.