Ndërlidhjet

Nën bombardime të ashpra: Askund sigurt për palestinezët në Gaza


Qyteti i Gazës. 8 tetor 2023.
Qyteti i Gazës. 8 tetor 2023.

AP

Mbi 180.000 palestinezë në Rripin e Gazës janë të strehuar në strehimoret e Kombeve të Bashkuara, përderisa avionët luftarakë izraelitë po vazhdojnë bombardimet në këtë territor të vogël ku jetojnë 2.3 milionë persona, pasi militantët e Hamasit nisën një sulm të paprecedent ndaj Izraelit më 7 tetor.

Në mesin e personave që gjenden në strehimoret e OKB-së është edhe 27-vjeçarja Sabreen al-Attar. Kur dëgjoi se po binin raketat pa pushim, ajo më 7 tetor ngarendi që të largohej nga ferma e saj në Beit Lahija, në jug të kufirit izraelit. Nga përvoja, ajo e dite se hakmarrja izraelite do të ishte e shpejtë dhe e ashpër.

Pasi mori fëmijët, al-Attar shpejt u strehua në një prej dhjetëra strehimoreve të ngritura në shkollat që udhëhiqen nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë në Qytetin e Gazës. Aty, shpërthimet me intensitet të paprecedent vazhduan pa ndalim dhe të hënën, më 9 tetor, në strehimore u harxhuan furnizimet me ushqim dhe ujë.

“Kur iki, e bëj për fëmijët e mi”, thotë ai, teksa i dridhen duart. “Jeta e tyre është mbi supet e mia”.

Por, banorët thonë se në Gaza realisht nuk ke nga të ikësh. Ky territor është ngufatur nga bllokada 16-vjeçare e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti. Kur nisi lufta – siç ka shpërthyer edhe katër herë më parë që kur grupi militant palestinez, Hamas, mori pushtetin në vitin 2007 – edhe objektet e OKB-së që supozohet të jenë zona të sigurua, rrezikojnë të përfshihen në luftime. Kombet e Bashkuara thanë se një sulm i drejtpërdrejtë goditi një nga strehimoret e tij të dielën dhe të hënën, zjarri dëmtoi pesë shkolla të tjera që janë shndërruar në strehimore.

*Video: Kronologjia e konfliktit izraelito-palestinez

Historiku i konfliktit izraelito-palestinez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Në qendrën e Rimalit, që është qarku komercial dhe i zhurmshëm i Qytetit të Gazës ku ndodhen ndërtesa shumëkatëshe në të cilat kanë selitë mediat ndërkombëtare dhe organizatat e ndihmës, al-Attar thotë se shpresonte se Rimal do të ndihej e sigurt. Në nisje të dhunës, Rimani nuk ishte shënjestër e menjëhershme e Izraelit, për dallim nga qytetet kufitare apo kampet e refugjatëve që janë të mbipopulluara.

Por, më pas ushtria izraelite nisi të shënjestronte lagje pas lagjeje me sulme ajrore të shpejta dhe të intensifikuara. Bombardimet arritën edhe zemrën e Qytetit të Gazës, duke e shndërruar lagjen e pasur në një shkretëtirë të pabanueshme. Rimali po ashtu ishte goditur nga sulmet ajrore izraelite gjatë luftës së përgjakshme në Gazë më 2021, por jo në këtë masë.

*Video: Pamje nga droni të shkatërrimit në Rripin e Gazës

Bombardimet izraelite kthejnë Gazën në rrënoja
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Bombardimet izraelite që goditën Universitetin Islamik në Gazë, ministritë dhe ndërtesat shumëkatëshe në Rimal, nisën pasditen e së hënës. Bombat thyen edhe dritaret e strehimores së Al-Attarës, tregon ajo. Jeta në strehimore, të stërmbushur me 1.600 persona të tjerë, ishte me plot rreziqe, por Al-Attra thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër pos të qëndronte atyre, duke iu thënë dy djemve të saj – Mohammedit 2 vjeç, dhe Nabilit 7 vjeç – që të qëndrojnë larg dritareve.

“Nata ishte shumë, shumë e vështirë”, thotë ajo gjatë një bisede me AP-në të realizuar të martën. “Nuk kemi tjetër vend ku të shkojmë".

Bombardimet në Rimal dhe rreziqet potenciale për shkollat e OKB-së që po përdoren si strehimore vënë në pah dëshpërimin e civilëve në Gaza për të gjetur strehim, përderisa pjesët e sigurta të Gazës me shpejtësi janë duke u tkurrur. Në Gaza nuk ka bunkerë kundër bombardimeve për civilët. Përpara paralajmërimit të ushtrisë izraelite të hënën se Rimali do të shënjestrohej, banorët dolën në rrugë dhe morën me vete çfarëdo gjësende që mund të bartnin dhe nuk kishin idenë se për ku ishin nisur.

Një ditë më vonë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Richard Hecht sugjeroi që palestinezët të tentonin të largoheshin nga Gaza dhe të kalonin kufirin për në Egjipt – një sugjerim që në dukje ishte jopraktik.

Përderisa zyrtarët e Hamasit, që operojnë në pjesën e Gazës nga pikëkalimi në Rafah, thanë të martën se banorët e Gazës që paraprakisht janë regjistruar mund të kalojnë kufirin për në Egjipt. Por, numri i personave që lejohet të udhëtojnë zakonisht ka qenë i vogël. Kjo ka çuar në radhë të gjata të pritjes në kufi me ditë ose me javë edhe në kohët kur nuk ka pasur tensione.

“Këtu kurrë nuk ka një Plan B”, thotë 31-vjeçarja Maha Hussaini, teksa shikon e tmerruar banorët e Rimalit duke vështruar lagjen e saj në Qytetin e Gazës që ndodhet më në jug, teksa bombardimet godasin lagjen e saj po ashtu.

Izraeli akuzon Hamasin se po rrezikon popullatën civile në Gaza duke vendosur armë dhe raketahedhës në zonat e populluara dendësisht. Po ashtu, i akuzon militantët se po përdorin civilët si mburoja njerëzore.

Mbi 1.000 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur deri më tani në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore në këtë territor, pas sulmeve hakmarrëse izraelite për shkak të sulmeve ndaj Izraelit të Hamasit, që kanë lënë mbi 1.200 izraelitë të vrarë. Po ashtu, mbi 150 civilë dhe ushtarë izraelitë janë marrë pengje.

Izraeli thotë se duhen shumë përpjekje për të shmangur viktimat në mesin e civilëve përderisa ai shënjestron caqet e Hamasit në Gaza, territor në të cilin ka shumë ndërtesa dhe pak hapësirë të pashfrytëzuar.

Por, ushtria izraelite për një kohë të gjatë ka kryer sulme në lagje të banuara, duke shkaktuar dëme në mesin e civilëve dhe të infrastrukturës civile. Autoritetet e Hamasit të hënën raportuan për shkatërrimin e shtatë xhamive dhe 15 shtëpive të civilëve, që lanë të vrarë shumë anëtarë të një familjeje.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha po ashtu se ka urdhëruar “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës tashmë të bllokuar, duke u zotuar se do të bllokohen dërgesat me ushqime, ujë dhe karburante në territor.

“Askush nga ne nuk e di se çfarë do të thotë ‘siguri’ në Gaza”, thotë 28-vjeçarja Hind Khoudary, e cila po strehohet në bodrumin e Hotelit Roots.

“Këta nuk janë persona që kanë lidhje [me militantët], këta janë persona nga shtresa më të larta, organizata të huaja dhe media”, thotë ajo, duke iu referuar personave që ka përreth. “Por, në ditë si këto, kjo nuk ka zero dallim”.

Banorët e përshkruajnë rrezikun e bombardimeve të ashpra izraelite: ikja nga shtëpitë e tyre, strehimi në banesat e familjarëve të tyre, ikja e serishme për në shkollat e OKB-së dhe më pas nisja nga fillimi në përpjekje për të gjetur kuptimin e një grimce sigurie.

“Është më mirë sesa të vdeshës”, thotë 37-vjeçari Muhammad al-Bishawi, i cili është i lodhur nga ngarendja midis strehimoreve të OKB-së në Qytetin e Gazës dhe në shtëpinë e tij në Beit Lahija për të siguruar ushqim dhe furnizime të tjera para se të kthehet sërish në strehimore.

Të shtunën, pas sulmit masiv të Hamasit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi civilët në Gaza për tmerret që do të vinin, duke premtuar se Rripi i Gazës do të goditej me gjithë forcën e ushtrisë izraelite.

“Largohuni tani”, tha ai, duke iu drejtuar palestinezëve në Gaza. “Sepse ne do të operojmë gjithkund”.

Khoudary, e cila po e dëgjonte fjalimin e Netanyahut, thotë se në ato momente sulmet ajrore nisën të intensifikoheshin dhe ajo mbeti e bllokuar në shtëpinë e saj, pa pasur se ku të shkojë.

“Pse nuk na tha ai [Netanyahu] se ku të largohemi”, pyet ajo. “Sepse, ne vërtetë do të donim ta dinim këtë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG