Gazeta ruse Novaya, është e njohur për raportet e saj hulumtuese për korrupsionin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut. Në një shtet të renditur si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, raportimi i saj ka marrë shumë vlerësime ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë edhe i ka vënë gazetarët e saj në një rrezik të madh.
Gjashtë gazetarë dhe kontribues të tjerë, janë vrarë që nga viti 2000. Shumë të tjerë janë sulmuar.
Dmitry Muratov, i cili ndihmoi në themelimin e gazetës më 1993 dhe ka shërbyer prej kohësh si kryeredaktor i saj, mori Çmimi Nobel për Paqe më 8 tetor 2021, së bashku me gazetaren filipino-amerikane Maria Ressa.
Pavarësisht kërcënimeve dhe vrasjeve, Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se Muratov "ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës" dhe "ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar gjithçka që duan, për çfarëdo që ata duan, për sa kohë që ato shkrime janë në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë ".
Puna e rrezikshme për gazetën ruse Novaya

Në korrik të vitit 2000, redaktori i gazetës Novaya, Igor Domnikov vdiq disa muaj pasi u sulmua në hyrje të banesës së tij në Moskë, nga një sulmues i cili disa herë e goditi në kokë me një objekt të rëndë. Domnikov mbuloi çështjet e kulturës dhe arsimit.
Kolegët e tij thanë se vrasësi mund ta ketë ngatërruar me një gazetar tjetër të gazetës Novaya, i cili ishte kërcënuar pasi kishte hetuar korrupsionin në industrinë e naftës. Dy reporterët jetonin në të njëjtën ndërtesë.

Redaktori i gazetës Novaya, Yuri Shchekochikhin vdiq në vitin 2003, nga një sëmundje misterioze që dyshohej se ishte rezultat i helmimit radioaktiv. Ai kishte hetuar përfshirjen e mundshme të shërbimeve ruse të sigurisë, në një seri bombardimesh në apartamente të ndryshme në Moskë dhe qytete të tjera në vitin 1999.

Gazetarja hulumtuese e gazetës Novaya, Anna Politkovskaya, u qëllua për vdekje në ashensorin e banesës së saj në qendër të Moskës më 7 tetor, 2006. Ajo ishte një kritike e Presidentit rus Vladimir Putin, raportimi i të cilës ekspozoi korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në Republikën e Çeçenisë, në rajonin e Kaukazit.

Gazetarja e gazetës Novaya, Anastasia Baburova (majtas) dhe avokati i saj rus i të drejtave të njeriut Stanislav Markelov, u qëlluan dhe u vranë në janar 2009, kur po largoheshin nga një konferencë shtypi në Moskë. Markelov dhe Baburova, kishin ekspozuar disa nga rastet më të rënda të abuzimeve nga Ushtria Ruse në Çeçeni.