Ndërlidhjet

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell: Kemi marrëveshje mes Kosovës e Serbisë

  • Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.
  • Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
  • Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
  • Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
  • Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
  • SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.
14:57 18.3.2023

Ende nuk ka nisur takimi i përbashkët

Edhe pse takimet dypalëshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me zyrtarët evropianë ka kohë që kanë përfunduar, takimi i përbashkët i tyre nuk ka nisur ende.

Po ashtu, nuk ka ende asnjë informacion se kur mund të nisë.

14:09 18.3.2023

Escobar për REL-in: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, palët nuk do të mund të zgjedhin se çka të zbatojnë nga ky propozim e çka jo.

Në cilësinë e vëzhguesit, Escobar merr pjesë në një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pritet të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se fokusi në këtë takim është te finalizimi i aneksit për zbatimin e Marrëveshjes, e jo te nënshkrimi.

“Jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Escobar duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë aspekt, tha ai, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Në rast se palët nuk pajtohen, ato, fillimisht, “nuk ecin përpara në integrimin e tyre euro-atlantik”, tha Escobar.

Ai shtoi se “të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën”.

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se është shumë e pagjasë që ai të shndërrohet ndonjëherë në një Republikë Sërpska, duke iu referuar kështu entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili vazhdimisht ka sfiduar funksionalizimin e këtij shteti.

13:30 18.3.2023

Përfitimet ekonomike nga propozimi i BE-së

Derisa pritet të nisë takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ne ju sjellim një material për pritjet e biznesmenëve në Kosovë dhe Serbi nga normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

Pro bashkëpunimit dhe marrëveshjeve - është qëndrimi i përbashkët i tyre.

Për më shumë, lexoni:

13:09 18.3.2023

Së shpejti takimi i përbashkët

Takimet dypalëshe të zyrtarëve të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përfunduan.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se takimi i përbashkët pritet të nisë së shpejti.

Kujtojmë se në agjendë është diskutimi për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për informacione në kohë reale.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG