Escobar: Presim finalizim të aneksit të zbatimit të propozimit evropian
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli të shtunën për Radion Evropa e Lirë në Ohër, ku pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më poshtë mund të lexoni disa pjesë nga biseda, ndërsa të plotën do të mund ta lexoni së shpejti në evropaelire.org.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, teksa flasim, liderët e Kosovës dhe Serbisë janë duke zhvilluar një takim në kuadër të dialogut, këtu në Ohër. Ditëve të fundit ju kemi dëgjuar duke folur për shpresat që keni për këtë takim. Por, cilat janë pritjet tuaja realiste nga dita e sotme?
Gabriel Escobar: Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është vërtet një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi.
Radio Evropa e Lirë: A jeni takuar sot me të dy liderët?
Gabriel Escobar: Jo sot, por i kam takuar këtë javë. Jam takuar së fundi me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe shpresoj të takohem me presidentin [e Serbisë, Aleksandar ] Vuçiq, më vonë gjatë ditës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, ka pasur shumë presion që marrëveshja të arrihet në muajin mars. Pse është aq i rëndësishëm ky afat kohor?
Gabriel Escobar: Janë disa arsye. E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por të konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve mes disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike.
Ndërmjetësuesit evropianë në Ohër
Bisedimet e sotme midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ndërmjetësohen nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti: Do të kemi bisedime për planin e zbatimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka ende pajtim sa i takon planit të zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Duke folur për gazetarët në Ohër, ai tha se për tekstin e këtij plani do të diskutohet gjatë takimit të sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Kurti.
“Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të raporteve”, shtoi Kurti.
Ai u zotua se do të bëjë "më të mirën për Kosovën dhe të gjithë qytetarët, pa dallim".
Vuçiq takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi në Ohër kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Takimi u zhvillua në prag të bisedimeve të Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në Instagram, Vuçiq e falënderoi Kovaçevskin për mikpritje dhe dëshirën e tij “për të kontribuar në vazhdimin konstruktiv të dialogut”.